E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e mandateve, përplasje midis Rregullores së Kuvendit, Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës



Çështja e heqjes së mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste rrezikon që të thellojë jo vetëm krizën politike, por të shkaktojë një përplasje të madhe institucionale dhe ligjore. Zëvendësimi i deputetëve bojkotues të PS-së, përveçse do të ashpërsonte edhe më shumë qëndrimet midis maxhorancës dhe opozitës, do të nxirrte në pah përplasje dhe kundërshtime midis dokumenteve të rëndësishëm ligjor, siç është Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe Kodit Zgjedhor.

Përplasja

Rregullorja e Kuvendit dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë zëvendësimin e deputetëve bojkotues në rast se ata nuk bëjnë betimin. Maxhoranca e ka shfrytëzuar këtë pjesë për t’i “kërcënuar” deputetët bojkotues që të hyjnë në Kuvend, duke u vendosur si afat të fundit muajin dhjetor. Megjithatë, Rregullorja e Kuvendit dhe Kodi Zgjedhor bien ndesh me Kushtetutën në këtë pikë. Kjo pasi Kushtetuta, ndonëse sanksionon heqjen e mandateve për deputetët që bëjnë betimin, nuk përcakton kohën dhe afatin që deputetët duhet të bëjnë betimin. Gjithashtu, nëse do të ndodhte zëvendësimi i deputetëve socialistë, atëherë do të shkelej Neni 164 i Kodit Zgjedhor. Sipas këtij neni, deputeti zëvendësohet nëse deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Por aktualisht, ndonëse deputetët e PS-së vijojnë bojkotin, asnjëri prej tyre nuk ka deklaruar publikisht refuzimin për të bërë betimin dhe për të hequr dorë nga mandati.

Polemikat
Debati për zëvendësimin e deputetëve socialistë me kandidatët në listat shumemërore të partive të koalicionit u hap nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Topalli tha se do t’i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kërkuar zëvendësimin e deputetëve socialistë, pasi ata nuk kanë bërë betimin. Nga ana tjetër, maxhoranca i la afat opozitës deri në muajin dhjetor, deri në aplikimin e kësaj lëvizjeje. Por, për këtë çështje, reagoi ashpër kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Nga qyteti i Elbasanit, ku PS-ja zhvilloi protestën e radhës për të kërkuar hapjen e kutive të votimit, kryesocialisti Edi Rama tha se djegia e mandateve jo vetëm është e pamundur, por është një diversion i turpshëm i maxhorancës për të përçarë opozitën. “Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme e u thonë të pavërteta, nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS-së, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër, mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen, sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës”, - deklaroi Rama.

Shamku viziton sudetentet grevistë: “Qeveria të mos i braktisë”

Deputetja e Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Arsimit dhe Edukimit në këtë parti, Ledi Shamku, ka vizituar dje studentët grevistë të Kamzës, të cilët kërkojnë heqjen e mesatares për të vazhduar studimet e nivelit të dytë. Në ditën e katërt të grevës së urisë kanë nisur problemet shëndetësore për studentët e Universitetit të Kamzës dhe dy prej tyre janë shoqëruar në spital. Pas takimit Shamku ka akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për veprime në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë kërkesat e studentëve grevistë. “Unë isha aty brenda dhe di të them që buletini i luftës në arsim vazhdon. Ata studentë nuk kërkojnë asgjë më tepër sesa një të drejtë ligjore që u takon, që ua ka siguruar Karta e Bolonjës, që mbasi të mbarojnë sistemin ‘Bachelor’ me 3 vjet, të vazhdojnë të profilizohen për të marrë të drejtën e punësimit në profesion në +2. Dhe këtë e përcakton Karta e Bolonjës, si të drejtë të papërjashtueshme nga askush. Problemi është këtu, që duke shkelur me katër këmbë ligjin e Bolonjës, po shkelet njëkohësisht edhe një aspekt i përgjithshëm i ligjit, që është fuqia prapavepruese, që s’mund ta ketë asnjë ligj. Asnjë ligj nuk mund të ketë një fuqi prapavepruese këtu e 3 vjet. Nuk ndodh të shkelet Karta e Bolonjës, nuk ka arsye të shkelet sistemi 3+2 i lirë për këdo dhe nuk arsye të shpiket mbi këtë shkelje, një tjetër shkelje që është një ligj prapaveprues. Unë nuk e marr vesh ç’është kjo histori, në qoftë se kjo qeveri ka shpallur luftë me turne kundër studentëve, të vijë dhe të na e thotë këtu, sepse para një viti e gjysmë studentët e Tiranës, të UT-së, ishin në shesh, 1 muaj e gjysmë, 2 muaj grevë për të marrë një copë letër. Para dy muajsh studentët e Vlorës ishin njësoj si këta këtu, 15 studentë në grevë për të marrë një copë letër siç u takonte me ligj. I ka shpallur luftë studentëve kjo qeveri? Se në qoftë se e kanë bërë kështu, e kanë gabim dhe po i them ministrit të Arsimit se po e shndërrojnë Kartën e Bolonjës si me qenë karta e Gërdecit”, - tha Shamku.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›