E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Kartat nuk kanë nevojë për verifikim, propozimi i PS absurd

Propozimi i bërë nga socialistët për përdorimin e aparateve që vërtetojnë rregullsinë e kartave të identitetit, i cili nuk është marrë në konsideratë nga KQZ, është cilësuar absurd nga ana e ish- kryetarit të KQZ, Çlirim Gjata. Ai ka ironizuar një propozim të tillë duke e quajtur absurd përdorimin në qendrat e votimit të aparateve të tilla. Ky propozim në fakt është bërë nga opozita nisur nga pretendimi që ata kanë për falsifikimin e kartave të identitetit. Ajo që mua më tërhoqi vërejtjen ishte kërkesa për një aparat në qendrën e votimit për të kontrolluar kartën. Unë do shkoja pak më tej, do thosha edhe një aparat për aparatin që do kontrollojë kartën. Pra dalim tek parimi Po rojet kush i ruan? Kjo shkon në absurd nëse për çdo qendër votimi, që nuk e kam parë në asnjë vend të botës të kontrollohet dokumenti i identifikimit për shkak se mund të ketë dalë një kartë false, u shpreh Gjata. Sipas tij, ata që hartuan kodin zgjedhor nuk mund të kundërshtojnë ligjet që po vetë miratuan, duke nënvizuar se pretendimet për dokumentet e identifikimit nuk dëmtojnë procesin zgjedhor, por vetëm imazhin e vendit në raport me komunitetin ndërkombëtar. Nuk ka ndodhur ndonjë proces zgjedhor që të mos ngrihen probleme identifikimi. As ky nuk do ti shpëtonte. Mund të them dhe se tjetri mbrapa ndoshta nuk do ti shpëtojë pretendimeve të tilla. Janë bërë zgjedhjet dhe është vënë re se absolutisht nuk janë cenuar për shkak të dokumenteve të identifikimit. Zgjedhjet gjithmonë kanë pasur probleme të tjera, shumë më të mëdha se këto, përfundoi Gjata. Nga ana e saj, opozita pretendon se janë prodhuar karta false, nisur edhe nga fakti se sipas tyre firma prodhuese nuk ka asnjë lloj pajisje për të dalluar kartën e vërtetë. Ndër të tjera të majtët hedhin idenë e manipulimit të zgjedhjeve nga ana e qeverisë aktuale nëpërmjet ndryshimit të rezultatit të zgjedhjeve duke prodhuar edhe karta false. Ndërkohë që në lidhje me këtë shqetësim, qeveria përsërit vazhdimisht se karta përmban në vetvete të gjitha elementet e sigurisë, duke përjashtuar mundësinë e falsifikimit të saj.
Elementët e sigurisë tek karta e identitetit
Kartat elektronike kanë përmbajtjen e një cipi elektronik që ka shenjat e gishtave, që e bëjë kartën e identitetit të çdo qytetari të pangatërrueshme dhe të papërsëritshme. Elementë të tjerë sigurie janë vendosur në pasaportë. Si faqja e të dhënave të pasaportës ashtu edhe e tërë karta janë në polikarbonatë dhe shënimet në to janë me lazerin ingrey, që është një teknologji e përcaktuar nga të gjitha vendet e zhvilluara të BE-së dhe jep garanci për sigurinë dhe efikasitetin e këtyre dokumenteve. Gjithashtu, element tjetër sigurie janë mikrotekstet, janë relievet e ndryshme që ndodhen në katër cepat e pasaportës, është një seri me dizajne që ndryshojnë ngjyrë në pozicione të ndryshme, është harta e Shqipërisë dhe e Evropës që janë të vendosura edhe në kartë edhe në pasaportë si dhe prezenca e fotografisë dixhitale që është e gdhendur në lazerin ingrey.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›