E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësi, ISHP monitorim plazheve dhe ujërave bregdetarë

TIRANË - Instituti i Shëndetit Publik ka nisur tashmë kontrollet për cilësinë e ujërave bregdetarë, monitorime të cilat do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit të verës, deri në fund të shtatorit, por edhe për problematika të tjera në plazhe. Tashmë, ISHP ka marrë mostrat në 73 pika në të gjithë vijën bregdetare, rezultatet përfundimtare të të cilave do të bëhen publike në fund të analizimit të tyre.
"Plazhet janë një nga fokuset që kemi në punën tonë. Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, për sezonin e verës është të mbajmë situatën nën kontroll gjatë stinën së verës, në mënyrë që t’u garantojmë pushuesve plazhe të sigurta dhe pushime te qeta", tha sot Adrian Hoxha, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik. 

ISHP ka disa elementë të punës në këtë drejtim, që tashmë ka nisur t’i zbatojë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, ky institut ka një projekt që konsiston në kontrollin e ujërave bregdetarë. "Projekti funksionon gjatë gjithë stinës së verës dhe aplikohet përmes marrjes së mostrave në 73 pika në gjithë bregdetin, duke filluar nga Velipoja, Shëngjin, Gjirin e Lalzit, në plazhet e Durrësit, Kavajës, Lushnje, Vlorë, Himarë, Borsh, deri në Sarandë. Në total, monitoriojmë 73 pika, nga ku marrim mostra dhe bëjmë kontrollin e ujit", theksoi Hoxha.
Gjatë gjithë stinës së verës, sipas tij, ISHP do të ushtrojë kontroll të rreptë të këtyre pikave, duke bërë matje dy herë në muaj deri në fund të shtatorit. Ndërkohë, në maj është kryer dhe kontrolli i parë, me marrjen e mostrave nga këto pika dhe ekzaminimin e tyre. I njëjti proces do të vijojë deri në fund të shtatorit. 

ISHP ndjek dhe situata të tjera në zonat bregdetare dhe turistike, sikurse dhe uji i pijshëm, mbetjet, ujërat e zeza, etj. "Problem tjetër që po monitorojmë janë mbetjet urbane në zonat turistike. Po bëjmë një vlerësim të situatës dhe në bashkëpunim me DSHP-të lokalë do të marrim rast pas rasti për të monitoruar, kontrolluar dhe synuar zgjidhje për problemin e mbetjeve, për ato kompetenca që kemi", tha Hoxha. 

Lidhur me derdhjen e ujërave të zeza në det, Hoxha theksoi se "është një proces pozitiv që impiantet e ujërave të zeza tashmë janë prezent, por dhe po punohët në të gjithë zonën bregdetare, dhe që do t’i japin një zgjedhje përfundimtare këtij problem, sipas parametrave dhe standardeve ndërkombëtare".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›