"Pavarësisht hetimeve, qeveria të shlyejë detyrimin financiar"
Pavarësisht çdo rezultati që do të dalë nga hetimet, qeveria ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të dëmshpërblejë të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, ku pati të vdekur dhe rreth 200 të plagosur. Thirrja vjen nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit (ZMK), sipas së cilës, "dëmi material dhe fizik është shkaktuar nga kryerja e veprimeve dhe mosveprimeve nga ana e shtetit shqiptar". Sipas drejtorit, Altin Goxhaj, çdo punonjës apo familje të të dëmtuari në këtë rast duhet të dëmshpërblehet nga shteti apo kompanitë private përgjegjëse të kontraktuara nga shteti. Në vlerësimin e dëmit duhet të merren në konsideratë dëmi material që i është bërë objekteve private (banesave dhe lokaleve të biznesit), duke ofruar dëmshpërblimin apo rehabilitimin e drejtpërdrejtë. Sipas ZMK-së, forma e dëmshpërblimit duhet të përcaktohet në marrëveshje individuale apo kolektive me pronarët e objekteve përkatëse. Goxhaj tërheq vëmendjen lidhur me pretendimet, në rast se "godinat janë të paligjshme dhe s‘mund të dëmshpërblehet shkatërrimi apo dëmtimi i tyre", nuk duhen të merren parasysh nga ana e qeverisë. ZMK shprehet se, përveç dëmshpërblimit për banesat e dëmtuara, të merret në konsideratë dëmi i shkaktuar ndaj automjeteve, të cilat kanë qenë në zonë të parkuara apo në ecje, pranë zonës ku ndodhën dy shpërthimet. Lidhur me përgjegjësinë, ZMK, duke u nisur nga ligji aktual "Për mbrojtjen e konsumatorëve" (nr.9135, datë 11.9.2003), si dhe duke iu referuar apriori edhe projektligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve, do të nisë në marrëveshje me të dëmtuarit procedurat e përfaqësimit gjyqësor për të garantuar përfitimin e dëmshpërblimit në të gjitha format dhe përmasat e tij për të gjithë banorët e dëmtuar. Ditën e sotme ZMK do të paraqitet pranë Avokatit të Popullit për të marrë mbështetjen e nevojshme institucionale, në mënyrë që të dëmtuarit të marrin dëmshpërblimin që u takon.