Të akuzuarit për kontrabandën e cigareve kërkojnë pafajësi
Kontrabanda e cigareve nga Porti i Durrësit, për të cilën Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda dënuan disa persona, përfundon në Gjykatën e Lartë. Dje ishte parashikuar që të zhvillohej seanca e radhës, ku të pandehur janë Ndoc Gjergji, Ardian Cani, Bilal Koçi, Fatmir Zotaj, Gentian Koçi, Leonard Koka, Skënder Thaçi dhe Tahir Hoxha. Këta persona, sipas burimeve nga Gjykata Supreme, pretendojnë pafajësi, ndryshe nga masat e dënimit që kanë marrë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, ku janë dënuar së bashku 25 vjet burg. Të dyja shkallët e ulëta të gjyqësorit i kanë dënuar personat e pandehur me kohën e paraburgimit, ndërsa tashmë “vulën” do ta japë Gjykata Supreme. Personat që kërkojnë pafajësi u hetuan “për kontrabandë”, ndërsa u arrestuan në vitin 2005.
#