E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Galeria”, sekuestrohen 11 tonë krom, arrestohen 3 persona



LIBRAZHD - Në kuadër të operacionit “Galeria” janë sekuestruar edhe 11 tonë mineral kromi i vjedhur nga tre persona. Sipas burimeve policore, pas vjedhjes para disa ditëve të sasisë prej 20 dhe 10 tonësh mineral kromi të sekuestruar nga policia në kudër të operacionit “Miniera e kromit”, ditën djeshme janë sekuestruar edhe 11 tonë të tjera mineral kromi të vjedhura nga prona shtetërore. Si pasojë e këtij akti, 3 shtetas janë akuzuar si autorët e grabitjes pasi në banesat e tyre është sekuestruar një sasi e konsiderueshme mineral kromi. Një ndër autorët është 60-vjeçari Osman Bosi, lindur dhe banues në fshatin Katjel të Librazhdit, të cilit iu gjend dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi kromi prej 4 tonësh, e vjedhur në stoqet e minierës në Katjel, të cilat figurojnë si pronë shtetërore. Ndërsa shtetases Merjeme Alisufi, 56-vjeçare, i janë gjendur në banesë 2 tonë krom që i kishte marrë po ashtu në pronat shtetërore të minierës në Katjel. Nga ana tjetër, është ndaluar edhe 50-vjeçari Bedri Gurra, edhe ky banues i këtij fshati, të cilit iu sekuestruan 5 tonë krom, të vjedhura gjithashtu në stoqet e minierës. Që të tre këta persona akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”.

“Gambling”, kontroll 37 bizneseve të lojërave të fatit

ELBASAN - Ditën e djeshme, në kudër të operacionit “Gambling”, policia ka kryer kontrollin e 37 lojërave të fatit në qytetin e Elbasanit, nga ku 8 rezultuan me dokumentacion mangët. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Elbasanit, nga kontrolli subjekte të lojërave të fatit, 8 prej tyre rezultuan me dokumente të parregullta dhe ndaj këtyre subjekteve ka nisur menjëherë procedimi penal. Ndaj pronarëve të këtyre subjekteve, i pari në listë renditet Kastriot Muzhaqi, 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Bilardo e Y. Zylfit” u kapën 2 automatë lojëra fati dhe 1 kompjuter për lotari sportive, për të cilat nuk dispononte asnjë dokumentacion nga Tatim-Taksat.
Ndërsa Luan Shkëlqimi, 45 vjeç, në lokalin e tij të quajtur “Super Bast”, u gjet me 1 kompjuter loto sporti në gjendje pune për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion ligjor për këtë veprimtari. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Vladimir Cerovën, 45 vjeç, pasi në lokalin loto-sporti iu gjet 1 kompjuter, për të cilën nuk disponohej asnjë lloj dokumentacioni përkatës, por edhe me 23-vjeçarin Hasan Daja, në pikën e tij të lotos sportive, sikundër të njëjtin problem për policinë ka shfaqur edhe Gazmend Filja, 34 vjeç. Ndërsa Indrit Çelës, vjeç 36, në lokalin e tij, iu gjetën 5 automate për të cilat nuk dispononte asnjë lloj dokumentacioni përkatës nga Tatim-taksat apo Ministria e Financave. 4 automate të tilla u gjendën edhe në lokalin e Arben Zerani, 30 vjeç dhe 8 të tjera në lokalin e Admir Spahos, 36 vjeç. Nga ana e policisë u sekuestruan të gjitha mjetet e konstatuara pa dokumentacion të rregullt, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprat penale të “organizimit të lotarive të palejuara” dhe “vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”.

“Gambling 2” edhe në Vlorë, sekuestrohen 16 kompjuterë lojërash fati

VLORË – Edhe Vlora u përfshi dje në aksionin e përgjithshëm policor kundër lojërave të fatit, duke çuar në bllokimin e disa aparaturave pa licencë lojërash fati. Gjithçka erdhi në kuadër të operacionit të koduar “Gambling 2”, nga Sektori Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë në bashkëpunim dhe me Degën e Tatim-Taksave. Kontroll është ushtruar në subjektet që zhvillonin aktivitet të palejuar të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, si rezultat i të cilave u bë i mundur bllokimi i 16 kompjuterëve. Ndër to, 12 kompjuterë për lojëra fati pa licencë u gjetën dhe bllokuan në lagjen “Lef Sallata” të qytetit Vlorë, në lokalin e Oltjon Varfit, banues në lagjen “Pavarësia”. Kurse në lagjen “Hajro Çakërri”, në lokalin e Vladimir Koçit, banues në Vlorë, u gjetën 4 kompjuterë për lojëra fati, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia tha se veprimet procedurale në ngarkim të Oltjon Varfit e Vladimir Koçit, për veprën penale të “organizmit të palejuar të lojërave të fatit” në gjendje të lirë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›