Dhunë në Ballsh, Bylis fiton mes protestave
Bylisi fitoi 2-0 me Kamzën në Ballsh, por takimi u shoqërua me shumë incidente, madje një lojtar i kamzalinjve u godit me shishe plastike në kokë të hedhur nga një tifoz vendas. Skuadra nga kryeqyteti protestoi duke u futur në fushë me pesë minuta vonesë në pjesën e dytë në shenjë proteste, pasi në përfundim të së parës, Bylisi kishte kaluar në avantazh me një penallti të shumë kontestuar nga drejtuesit e Kamzës. Për tu veçuar është edhe një incident midis dy futbollistëve të Kamzës, portierit Alfred Osmani dhe Xhenald Radës, të cilët për pak nuk shkuan në konflikt fizik. Bylisi me fitoren ndaj Kamzës ruajti kryesimin tashmë në kuotën 31 pikëve. Elbasani doli me sukses nga prova e vështirë me Luftëtarin, duke fituar 2-1 në Gjirokastër. Kapiteni i Elbasanit, Erjol Merxha, shënoi një gol të shpejtë pa kaluar dhjetë minuta lojë, ndërkohë që Endri Dalipi dyfishoi shifrat me penallti në minutën e 30-të. Mbrojtësi Besmir Sinani shënoi golin e nderit në minutën e 63-të. Elbasani me tri pikët e mara ndaj një rivali direkt për zonën e Kategorise Superiore konfirmoi vendin e dytë në renditjen e së Parës, duke mbetur po dy pikë larg Bylisit kryesues. Lushnja bëri detyrën në Librazhd, duke fituar me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Sopotit vendas. Dy gola në pesë minutat e fundit të pjesës së parë, 41 dhe 45, të realizuar nga Alban Bizhyti konfirmuan qartë dominimin e ish-skuadrës së ardhur nga Kategoria Superiore. Erlind Koreshi me golin e tij të tretë për Lushnjën në minutën e 75-të i konfirmoi vendin e tretë formacionit të Artan Banos, në fitoren e katërt në transfertë në gjashtë ndeshje. Partizani fitoi jo pa vështirësi ndaj Gramshit (2-1) në ndeshjen e javës së 13-të të Kategorisë së Parë të zhvilluar në “Selman Stërmasi”.Artan Karapici dhe Klodian Asllani shënuan dy gola brenda tre minutash për Partizanin, përkatësisht 15 dhe 18, duke krijuar përshtypjen e një fitoreje me goleadë ndaj gramshiotëve, por veterani Gentian Stojku shkurtoi diferencën në minutën e 54-t, teksa rezultati 2-1 nuk ndryshoi më deri në fërshëllimën e gjyqtarit Jubica. Për Karapicin ky ishte goli i katërt sezonal, ndërsa për Asllanin i treti. Kjo ishte dhe fitorja e parë e Partizanit në ballafaqimin e parë historik me Gramshin. Me këtë fitore, e pesta sezonale dhe e pesta në shtëpi, Partizani u ngjit në kuotën e 18 pikëve, duke u ngjitur në vendin e shtatë. Bilisht Sport u tregua i pamëshirshëm ndaj Memaliajt të vendit të fundit, duke fituar me rezultatin bindës 3-0. Alfred Allamani është figura kryesore te devollinjtë e drejtuar nga Trifon Meraku, teksa edhe në këtë takim 26-vjeçari shënoi dy nga tre golat e Bilishtit, pikërisht në minutat 10 dhe 15. Allamani ka realizuar 8 nga 11 golat e Bilishtit në 13 javët e para të këtij sezoni. Eduard Rustemi mbylli llogaritë e takimit në minutën 80-të, duke e ngjitur Bilishtin në kuotën e 17 pikëve.
Brian Filipi përjetësohet në Lezhë
Drejtuesit lezhjanë pagëzojnë stadiumin me emrin e ish-futbollisti Brian Filipi. Besëlidhja nuk arriti të fitojë dot me Pogradecin (0-1) në stadiumin e pagëzuar sot me emrin e ish-futbollistit të Ravenës në Itali e Kombëtares U-21 shqiptare, Brian Filipi, të ndarë nga jeta pas një aksidenti tragjik disa muaj më parë. Golin e vetëm të takimit e realizoi Saimir Lamnica në minutën e katërt. Me tre pikët e marra në Lezhë, Pogradeci konsolidoi vendin e katërt në Kategorinë e Parë.
KATEGORIA E PARË
JAVA 13, 5.12.2009
Partizani - Gramshi 2-1
Skrapari - Burreli 1-1
Bilisht - Memaliaj 3-0
Sopoti - Lushnja 0-3
Bylis - Kamza 2-0
Luftëtari - Elbasani 1-2
Besëlidhja - Pogradeci 0-1
Ada - Turbina 2-2
RENDITJA
1. Bylis 31
2. Elbasani 29
3. Lushnja 26
4. Pogradeci 25
5. Ada 22
6. Kamza 21
7. Burreli 18
8. Partizani 18
9. Bilisht Sport 17
10. Luftetari 16
11. Gramshi 13
12. Besëlidhja 12
13. Turbina 12
14. Sopoti 10
15. Skrapari 9
16. Memaliaj 7
Mançester nuk ndalet, fiton 4-0
Kampioni i Anglisë në fuqi, Manchester United, ka shënuar fitore të pastër si vizitor me Uest Ham, duke e mposhtur në Upton Park me rezultat 4-0. Në fund të pjesës së parë (45’+1), veterani Paul Skols ia dha avantazhin skuadrës mysafire me një gol të shënuar me këmbën e majtë. Me një supergol të Darron Gibson (61’), Djajtë e Kuq dyfishuan epërsinë. Dhjetë minuta më pas Luis Antonio Valencia shënoi golin e tretë, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Uejni Runi një minutë pas (72’). Arsenali fitoi me rezultat 2-0 kundër Stoke Cityt në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Emirates. Në minutën e 21-të, portieri i Stoke mbrojti penalltinë e Cesc Fabregas, ndërsa pesë minuta më pas (26’), Andrey Arshavin krijoi epërsinë. Aaron Ramsey shënoi golin e sigurisë për vendasit (79’) duke ua humbur shpresat mysafirëve për barazim. Pas kësaj fitoreje, Arsenali ngjitet në pozitën e tretë me dy pikë më shumë se Tottenhami që të dielën zhvillon ndeshjen kundër Evertonit. Të kuqtë e Liverpulit nuk kanë arritur të nxjerrin më shumë se një pikë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën kundër Blackburnit. Takimi Blackburn Rovers dhe Liverpulit, ka përfunduar me rezultat të barabartë, pa gola.
Mesi dhe Pep, më të mirët e “Onze”
Lexuesit e revistës franceze të futbollit ‘Onze Mondial’ kanë zgjedhur Pep Guardiolën e Barcelonës, si trajnerin më të mirë, ndërsa lojtari më i mirë është zgjedhur, Lionel Mesi. Guardiola fitoi çmimin si trajner i edicionit 20082009 duke fituar 62.56% të votave. Në pozitën e dytë doli Aleks Ferguson, me 19.41%, kurse në pozitën e tretë Hose Murinjo me 11.46%. Përveç përzgjedhjes së trajnerit gjithashtu u zgjodh edhe njëmbëdhjetëshi më i mirë si dhe lojtari më i mirë. Ashtu siç pritej më i miri u zgjodh Lionel Mesi me 69.96% të votave. Ronaldo doli në pozitën e dytë me 11.82%, ndërsa Iniesta i treti me 5.98%. Ndërkaq në njëmbëdhjetëshin më të mirë janë përfshi këta futbollistë: Iker Kasilas (Real Madrid), Daniel Alvesh (Barcelona), Xhon Terru (Çelsi), Karles Pujol (Barcelona), Evra (Mançester Junajted), Lasana Diarra (Real Madrid), Çavi Hernandez (Barcelona), Majkëll Esien (Çelsi), Andres Iniesta (Barcelona), Kristiano Ronaldo (Real Madrid), Lionel Mesi (Barcelona).
KUPA E BOTWS
Maradona
Maradona, trajneri i Argjentinës, i cili nuk ka qenë i pranishëm në hedhjen e shortit, pasi e ka pasur të ndaluar nga FIFA, pohoi se në një botëror janë skuadrat më të mira: “Rrjedhimisht nuk ka rivalë të lehtë për t’u mundur”. Maradona shtoiL “Kemi besim të plotë te lojtarët argjentinas. Jemi koshientë që jemi në lartësinë e historisë sonë. Jemi optimistë”.
Kaka
“Grupi i ferrit” konsiderohet ai i Brazilit, ku janë edhe Portugalia, Bregu i Fildishtë dhe Koreja e Veriut. Braziliani Kaka: “Besoj se është grupi më i fortë i këtij Botërori. Natyrisht që ka edhe grupe të tjera të vështira, por ky grup me Brazilin, Portugalinë e Korenë e Veriut është me të vërtetë shumë shumë i vështirë”.
Lizarazu
Biksente Lizarazu, ish-kampioni i botës (1998) dhe i Europës (2000), nuk humbet rastin të kritikojë sërish Rajmond Domenekun, që sipas tij është problemi i vërtetë i një kombëtareje, e cila nuk të frymëzon asnjë simpati, por as besim për të ardhmen. Franca është ekipi që u tregua i paaftë të imponohej gjatë eliminatoreve, dhe e preu biletën për në Botëror vetëm me një gol të diskutueshëm.
7 Dhjetor 2009