Vendimi, 2 mijë tituj pronësie ndryshojnë në Tiranë
Rrethi i Tiranës, nga më problematikët në ndarjen e tokave me ligjin 7501, do të ketë ndryshim të dukshëm të situatës. Në prefekturën e Tiranës janë shqyrtuar gati 2 mijë tituj pronësie, të cilët do të kenë një vendim final brenda pak ditësh. Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, tha dje për gazetën “standard” se “pritet që të jepet vendimi për këto dosje”. Mësohet se shqyrtimi i titujve është në rritje, duke bërë që numri i vendimeve finale për tokat e dhëna me ligjin 7501 të jetë shumë herë më i madh. Ligji parashikon penalizim për ata që kanë abuzuar dhe shqyrtimet do të ligjërojnë përfundimisht këto toka bujqësore, por me mjaft interes për t’u përdorur për qëllime të tjera.
Vendndodhja e këtyre tokave është e shpërndarë në gjithë Tiranën, kryesisht në zonën e autostradës, në fshatrat afër qytetit etj. Mjaft qytetarë kanë bërë denoncime për vjedhje tokash, ndarje të paligjshme si dhe abuzime nga ana e drejtuesve komunalë, të cilët kanë kryer ndarje toke me shumicë. Prefekti tha se ka pasur vonesa në shqyrtim, për shkak se bashkëpunimi me komunat nuk ka qenë në nivelin e duhur. Gjithsesi, komisioni vendor ka zbritur në terren, ku ka bërë matjet. Puna ka nisur me qytetarët që kanë bërë ankesa. Menjëherë pas shqyrtimit, merret një vendim, më pas kalohet tek kryekomisoni që drejtohet nga zëvendëskryeministri. Vendimi i dhënë nga kryekomisioni është përfundimtar dhe i prekuri ka vetëm 60 kohë për të bërë ankimim në gjykatë, në rast se nuk është dakord me vendimin. Komisioni Zonal i Verifikimit të Tokës në Tiranë ka disa muaj që ka nisur nga puna dhe mësohet që shqyrtimi i dosjeve të jetë më i madh. Tirana është një nga rrethet më problematike në ndarjen e tokës, ku janë bërë abuzime të shumta. Nisja e shqyrtimeve ka bërë që në zyrat e prefekturave të ketë një dyndje qytetarësh, të cilët kanë paraqitur ankesa, por edhe për t’u njohur me shqyrtimet.
Shqyrtimi
Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore e që më pas janë ndarë nga Ministria e Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga 1.8.1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.
Abuzimet
Sipas të dhënave, është vërejtur se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperative janë ndarë 12 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, ka probleme kufijsh në 180 raste për 2 700 hektarë. Rreth 12 mijë subjekte kanë zënë tokë në mënyrë të paligjshme në një sipërfaqe prej 6 100 hektarësh. Ndërkohë, janë kryer abuzime me dokumentet e pronësisë të dhëna sipas ligjit 7501 dhe 8053. Ministria e Bujqësisë shprehet se bëhet fjalë për 170 hektarë pyje, 254 hektarë kullota, 296 hektarë tokë e pashfrytëzueshme. Sipas të dhënave paraprake, në shumë raste ka më tepër se dy mbivendosje. Ndërkohë, duhet pasur parasysh se 80 për qind e anëtarëve të komisioneve të ndarjes së tokave pranë komunave kanë qenë me arsim 8-vjeçar. Gjatë këtyre viteve, gjithsej janë ndarë 563 mijë hektarë tokë bujqësore për 445 mijë familje.
Penalizimet
Në shumë raste, këto prona kanë qenë rreth zonave urbane e në bregdet dhe ato tashmë janë kthyer në troje për ndërtim ku janë ngritur objekte. Në këto raste do të penalizohet vetëm ai që e ka përfituar titullin e pronësisë në mënyrë të padrejtë. Nëse ka kryer transaksion dhe këtë pronë ai nuk mund t’ia kthejë shtetit, atëherë do të paguajë çmimin për metër katror sipas vlerës së tregut, përcaktuar në hartën e vlerës së tokës që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Mijëra shqyrtime tokash edhe në bregdet
Zona bregdetare po shytohet e gjitha, ku Komisionet Vendore të Tokës po kontrollojnë të gjithë titujt e tokës bujqësore. Komisionet vendore kanë nisur punën për shqyrtimin e titujve të pronësisë të dhënë me ligin 7501. Prefektët e zonave bregdetare kanë bërë të ditur se komisionet vendore kanë filluar shqyrtimin e ankesave të ardhura nga qytetarët. Prefekti i Durrësit, Klodian Pajuni, ka deklaruar se ka nisur procesi i verifikimit të titujve dhënë vite më parë. Janë me mijëra ankesat e ardhura për ndryshim destinacioni apo për rritje të sipërfaqes së tokës në mënyrë abuzive. Komisionet vendore do të verifikojnë gjithë bregdetin shqiptar, ku sipas ankesave, duket se janë edhe abuzimet më të shumta.
E drejta e ankesës
Në rast se evidentohet se toka është vjedhur apo përfituar pa të drejtë, komisioni vendor do t’i propozojë komisionit që drejtohet nga zëvendëskryeministri për t’i hequr titullin e pronësisë. Personi i prekur do të ketë afat vetëm 60 ditë për t’u ankimuar në gjykatë, ndryshe, vendimi i komisionit do të hyjë në fuqi, duke tjetërsuar pronësinë e duke ia kaluar shtetit.
“PS-ja mashtron, janë legalizuar 21 mijë shtëpi e apartamente”
Ministria e Transporteve përgënjeshtroi dje akuzat e lëshuara nga Partia Socialiste, sipas të cilave, procesi i legalizimeve po dështon. Zëdhënësja e ministrisë, Erla Mëhilli, tha dje se procesi po ecën normalisht. Ajo tha se “procesi është në fazën përmbyllëse. 21 mijë shtëpi e apartamente janë legalizuar dhe 130 mijë pasuri të tjera mbyllin procedurat”. Sipas ministrisë, akuzat e PS-së janë politike, të cilat kanë si synim të bllokojnë procesin. “Përfaqësuesi politik i asaj partie që i quajti banorët e zonave informale me epitetet më të padenja dhe bëri çdo përpjekje për të bllokuar procesin e legalizimit, gënjeu sot publikisht duke thënë se procesi nuk ka filluar”, - tha Mëhilli. Në deklaratën për shtyp, u theksua se procesi është drejt përfundimit në masën më të madhe të tij, që përfshin rreth 130 mijë pasuri. “Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë dhënë lejet e legalizimit për mbi 21 mijë shtëpi e apartamente, ndërkohë që sipas afateve të përcaktuara, 15 ditë pas dhënies së lejes së legalizimit, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën hipotekimin e këtyre pasurive, duke shënuar kështu finalizimin e të gjitha procedurave. Në vijim e sipër janë dhe 130 mijë pasuri të tjera, që brenda një kohe po kaq të shkurtër dhe me të njëjtën shpejtësi do të mbyllin procedurat”, - thuhet në deklaratën për shtyp.
Sigurimi i banesave nga zjarri, jo i detyrueshëm
Pronarët e banesave apo apartamenteve janë të lirë për të vendosur në rast se duan të sigurojnë ose jo banesën e tyre nga zjarri. Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje projektligjin për administrimin e objekteve. Ky projektligj parashikonte që të gjitha banesat dhe apartamentet të siguroheshin për zjarrin. Deputetët e të dyja palëve, si nga PD-ja ashtu edhe nga PS-ja, propozuan heqjen e kësaj pike, pasi sipas tyre, në kushtet e vendit tonë sigurimi kundër zjarrit duhet të jetë vullnetar dhe jo një normë detyruese. Anëtarët e komisionit i kërkuan drejtores së Politikave dhe Strehimit, Doris Andoni, riformulimin edhe të disa neneve të tjera të projektligjit, për të cilat gjykuan se kanë nevojë për përmirësim. Në projektligj përcaktohet detyrimi për regjistrimin ligjor, jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri. Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë etj.