Shëngjin- Çelet sezoni turistik, Berisha: Problem mbetet ndotja
Lezhë- Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka çelur dje sezonin turistik në Shëngjin. Gjatë ceremonisë ai u shpreh se po punohet për të përmirësuar kushtet turistike.
Jam sot këtu, për tu angazhuar para jush, se qeveria do të bëjë gjithcka që cdo vit kushtet e mikpritjes suaj, kushtet e banimit, të jetesës, të argëtimit, të miqve, të vizitorëve, por edhe të juajat, të bëhen gjithnjë e më të mira. Turizmi është shndërruar sot një degë kryesore të ekonomisë shqiptare,- tha Berisha.
Gjithashtu ai ka pranuar se problemi më i madh i plazheve shqiptare është ndotja, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ta mbajnë pastër ambientin.
E tërë kjo bukuri, e cila për për tu njohur, nga Europa dhe bota, e ka një problem dhe problemi janë mbeturinat, të cilat ti kap syri rëndom, aty ku nuk duhet. Ky është problemi ynë. Por, jam optimist që në do të dimë gjithnjë më shpejtë dhe më mirë ta trajtojmë këtë problem. Ndaj dhe thirrja ime ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve, burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve, të mendojmë se si ta mbajmë më pastër mjedisin përreth,- vijo ai.
Gjithashtu gjatë vizitës në Shëngjin ai ka inaguruar disa objekte publike të cilat përbëjnë investime me vlerë prej 1 miliardë lekë (të reja), përfshijnë punime të përfunduara, fillim punimesh, si dhe punime të tenderuara për vepra infrastrukturore që do të fillojnë së shpejti.