E Diel, 1 Nëntor 2026

Shënime nga Durrësi i panjohur

Ajo është një rrugë e gjatë, afro 7 kilometra. E përshkon një pjesë të Durrësit që nga deti deri atje ku dikur shtrihej këneta. Zyrtarisht kjo është rruga "Aleksandër Goga", porse shumë durrsakë të vjetër e quajnë akoma "Rruga e Mundimeve". E quajnë kështu, sepse në krah të saj, më së shumti në krahun e majtë, kur bën të shkosh në krah të kundërt të detit, ndodhen disa prej vendeve më të rëndësishme të qytetit, por që kanë të bëjnë shumë me mundimet njerëzore, sikurse ndodh rëndom me gjërat e rëndësishme. Më e para nga të gjitha është Prefektura. Në këtë godinë, dikur selia e PPSh-së lokale, janë vendosur dhe vendosen gjëra fort me peshë. Diku më tej vijnë me radhë Varrezat e Dëshmorëve, Drejtoria e Policisë, Gjykata dhe Prokuroria, Spitali dhe më pas varrezat e vjetra dhe të rejat. Duket sikur i gjithë fati i durrsakëve vendoset në këtë rrugë që mban emrin e një dëshmori fatkeq. Por në fakt kjo nuk është vetëm një përshtypje kalimtare që na e kujton kolegu ynë Gëzim Kabashi, teksa bëjmë humor me të. Në fakt, ne jemi nisur për në zonën e Porto-Romanos, atje ku kjo rrugë mbaron dhe nis një zonë tjetër. Këtu, prej kohësh është vendosur dhe po punohet që të ndërtohet një nga parqet më të mëdhenj industrialë e energjetikë të krejt Ballkanit. Pa të shohim se ç‘ndodh në këto anë?

Nga gropat, te makinat e luksit
Nuk kuptohet ende edhe fort mirë se ku nis e mbaron qyteti. Gjithsesi, brenda pak minutash nisin të shfaqen gropat e para nëpër rrugën shumë të rrahur. Tani, pas një heshtje të përzishme, që na ka shoqëruar në krah të varrezave, kemi një tjetër pamje. Njerëz, gjallëri, tregu që gjallon nga kalimtarët që bëjnë pazar… jemi në hyrje të Spitallës. Kjo dikur ka qenë një fshat që u krijua nga tharja e kënetës andej nga vitet ‘60. Me këtë rast u vendosën këtu banorë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Dyndja e dytë pasoi pas ‘90-ës. Këtu dikur ekzistonte një ndërmarrje bujqësore shtetërore, apo "fermë", sikurse i thoshin asokohe, dhe në fillim ishte fare e lehtë të ndërtoje një shtëpi pa pyetur askënd. Tani zona është një kombinim mes vilave fort të mira dhe shtëpive të ulëta që mezi mbahen në këmbë. Është në fakt një lloj simboli i Shqipërisë së sotme, ku gërshetohen shumë mirë horizontalja me vertikalen, varfëria me makinat e luksit, veshjet firmato me ato të "gabit" e kështu me radhë.
E lemë pas Spitallën dhe rrëmujën e qendrës së saj dhe marrim djathtas, andej nga duken kodrat e para. Përtej tyre është autostrada. Një xhade e gjerë është duke u ndërtuar bash e në mesin e ish-kënetës. Kjo autostradë e re do të lidhë Durrësin me parkun e ri energjetik dhe me depozitat e reja të naftës dhe të gazit, aq shumë të përfolura nga ambientalistët dhe nga kundërshtarët e tyre.
Për pak minuta ndalojmë në një shesh të madh. Mrekullohemi nga sasia e makinave të shtrenjta që na zënë sytë. Përballë tyre djem të rinj krenarë përtypin çamçakëz. Nuk na e venë fort as veshin dhe as syrin. Dukemi sheshit që nuk jemi nga ata që kemi ardhur për të blerë ndonjë "BMW X5". Megjithatë janë shumë të sjellshëm dhe na tregojnë se nga duhet të marrim që të mbërrijmë në Manastirin e Shën Vlashit, mjekut shenjtor.

Një kosovar në këmbë të manastirit ortodoks
Edmir Lisaku është një djalë i ri. Ka një servis makinash dhe një lokal të thjeshtë krejt e në krye të kodrës së Shënavlashit. Më mirë me thënë, na duket neve i ri, sepse ndryshojmë sakaq mendim, kur mësojmë se është baba i tre djemve. E folura e tij na kujton sakaq Kosovën. Ai e kupton habinë tonë dhe mundohet të na e largojë kureshtjen. "Gjyshi im ka qenë prej Istogut të Pejës - nis të thotë njësoj si një plak i moçëm - kur i ka përzanë shkjau e i ka pritë Zogu janë vendos në këtë vend ktu. Gjyshi ka qenë vetëm 19 vjeç dhe ishte krejt i vetëm. Na kanë thanë se shumë kosovarë kanë vdekë atëherë. Ktu kodra ishte e rrethume nga kneta dhe ata, të msum me klimën e bjeshkëve, nuk e patën duru malarjen, mushkonjat dhe gjithë të tjerat që sillte atëherë klima e këtushme. Patën vdekë shpejt e shpejt me qindra. Mos harroni që ata jetoshin në kushte shumë të këqija, ndër baraka të sajume, apo shtëpi me kallama. Nga kjo familje vi unë. Tash jemi brezi i tretë i kosovarëve që jetojmë këtu. Këtu ka edhe banorë të tjerë. Ka të krishterë që kanë qenë jetë e mot. Ka të tjerë që kanë ardhur mbas nesh, por ka dasht Zoti shkojmë shumë mirë me njani-tjetrin". Mbiemri i parë i fisit të Edmirit ka qenë Bajrami, por gjyshi, që erdhi nga bjeshkët e Istogut, e kishte ma shumë për zemër që ta quanin "Lisaku", nga lis, pyll i vogël me lisa, të cilat i kujtonin fëmijërinë e mbarë e në ajër të pastër.
Në këmbët tona sillet vërdallë një kolopuç fort i këndshëm, i cili i ngul sytë tek aparatet tona. Është Blendi, djali dyvjeçar i Edmirit. Lart, mbi kryet tanë, rëndon një mur i lartë si kështjellë. Është manastiri i Shën Vlashit, tani edhe Akademia Teologjike "Ngjallja e Krishtit".

Në Akademi, duke kujtuar Kukuzelin
Në fillim na duket si një kështjellë e rrethuar me murin e lartë prej guri dhe me bedenat të baraslarguar, njësoj si qëmoti. Pastaj kapërcejmë një portë të rëndë prej guri dhe befas, para nesh shfaqet një kishë e hijshme, krejt e bardhë. Neve na kujtohet se pikërisht kjo kishë ishte e para që u bë objektivi i studentëve maositë e ateistë në aksionin kundër fesë në shkurtin e 1967-ës. Pikërisht këtu nxënësit e atëhershëm të gjimnazit "Naim Frashëri" nisën stuhinë ateiste. Në fillim mbështillemi nga një ndjenjë qetësie që të krijohet kur largohesh nga zhurma e përditshme, pastaj një si gjendje pezull na bën që të qëndrojmë gjatë në ambientet e rregullta dhe krejt të pastra brenda mureve rrethues. Më në fund dallojmë që larg dy qenie njerëzore, jo si ikonat, por vërtet njerëzore. Miqësohemi shumë shpejt me ta. I pari është dhjaku - kandidati për prift - Spiro Kostoli dhe tjetri është pedagogu Llambi Terziu, kavajas. Të dy kanë qenë shokë klase në këtë akademi dhe të dy janë specializuar në Greqi për muzikë bizantine. Miqtë tanë të rinj na sajdisin me nga një kafe sipas zakonit tradicional të manastirit dhe na tregojnë ambientet e brendshme. Tani në Akademi studiojnë afër 40 studentë. Shkolla që përgatiste klerikë ortodoksë ishte vendosur në fillim në Plazhin e Durrësit. Këtu qëndroi për katër vjet. Që nga 1996 u ndërtua ky kompleks kishtaro-akademik. "Sot në Akademi përgatiten studentë nga e gjithë Shqipëria. Nga 22 //////////////studentë, 139 prej tyre janë dorëzuar klerikë, të tjerë shërbejnë si katekistë, disa punojnë në Kryepiskopatë dhe disa vazhdojnë studimet kualifikuese jashtë vendit - thuhet në një fletëpalosje të Akademisë - kërkesat për regjistrim janë këto: çdo kandidat duhet të jetë i krishterë ortodoks, i pagëzuar; të ketë mbaruar shkollën e mesme; të ketë një rekomandim nga episkopi i zonës ku banon; të jetë nga mosha 18-40 vjeç dhe i pajisur me një vërtetim mjeko-ligjor". Ndërsa shëtisim një copë herë në qetësinë e Akademisë, na kujtohen edhe një herë fjalët e shkruara në fletëpalosje: Thotë Zoti ynë Jesu Krisht: Të korrat janë të shumta, por punëtorët janë të paktë.
Duke rrufitur kafenë e ofruar nga miqtë, nis një bisedë e gjatë për Jan Kukuzelin, reformatorin durrsak të muzikës bizantine, dhe për sistemin që ai përdori në të shkruarën e muzikës. Dhjaku na vë përpara një "pentagram" të muzikës bizantine. Nuk marrim vesh gjë fare. Vetëm se shkrimi na ngjan me germat arabe.
Te porta e madhe ndahemi me miqtë tanë. Edhe për pak kohë do ta lemë pas qetësinë dhe do të zhytemi në rrëmujën e fushës. Përfitojmë nga lartësia e kodrës së Shën Vlashit që të fotografojmë fushën, dikur kënetë, dhe Durrësin që duket larg, në këmbë të kodrave të Bishtit të Pallës.

Nga plehrat, te portili i ri
Ora ka kaluar si pa e kuptuar. Këtë e kuptojmë kur shohim fëmijët të dalin nga shkolla. Të patrazuar, ata ecin përbri një togu me plehra që vazhdon të digjet jetë e mot. Duket sikur njerëzit e këtyre anëve janë mësuar tashmë me tymin kutërbonjës, helmet që vijnë nga toka, balta, rrëmuja. Janë të gjithë të qetë. Krejt përballë plehrave shohim atë që ka mbetur nga fabrika kimike, një aventurë e çmendur që çoi vetëm në helmimin e të gjithë zonës me lindanin/////////////// e tmerrshëm dhe thuajse të paasgjësueshëm. Këndej nuk ka pemë. Vetëm disa shkurre u mbijetojnë kimikateve të mbetura nga "Kimikja" dhe kripës që ka lënë pas këneta. Një grua që po mbledh kanaçe në plehra na shikon me inat. Merr një gur në dorë, por nuk e vërvit. Mbase ka dashur thjesht të na kujtojë se portreti i njërit apo i tjetrit nuk mund të nxirret aq kollaj në gazetë, sidomos kur ai është në hall të madh. Kishte të drejtë.
Kalojmë edhe një ish-repart ushtarak me lapidarin në krah që na kujton se dikur këtu ka qenë kampi i njohur i përqendrimit që mbante emrin e Porto-Romanos. Ky emër na kujton një periudhë legjendare të Durrësit, periudhën romake. Asokohe Dyrrahiumi ishte një nga portet më të rëndësishëm të perandorisë së përbotshme në Mesdhe. "Porto-Romano" është shqipërimi historik për "Porte-Romane". Në fakt gërmadhat e portës së madhe janë ende në këmbë. Jemi krejt e në skaj të Bishtit të Pallës, të cilit sot studiuesit i thonë me elegancë, por edhe me një lloj përkëdhelie, "Kepi i Palit", për të mos lënë që të kalojë ndonjë ngatërresë e pakëndshme në terma që përdoren në sfera të ndryshme të jetës. Një lokal i mijëvjeçarit të tretë, një bunker i stërmadh i kohës së komunizmit dhe rrënojat romake gërshetohen me njëri-tjetrin njësoj si në një libër të trashë historie. Përballë me rrënojat e vjetra lartësohen disa si sfera të bardha shumë të mëdha. Këto janë depozitat e reja të naftës dhe të gazit. Në këtë shkretëtirë, mes zhukave dhe detit, duket se ato kanë zënë vend mirë. Në det, fare afër nesh, një dragë po vazhdon të thellojë shtratin e detit. Këtu është menduar të ngrihet porti i ri ku do të mbërrijnë naftëmbajtëset. Sipas një tradite që me sa duket vazhdon që nga koha e pushtimit italian, vendasit i thonë "portili". Një punë që do të kushtojë shumë para, shumë diskutime dhe shumë frikë për të ardhmen. Ne mbështesim kurrizin te muret e vjetra romake dhe rrimë e vrasim mendjen duke iu gëzuar diellit të vakët të vjeshtës së dytë: A thua t‘i kenë pasur edhe paraaradhësit tanë këto dilema? Vështirë të thuash po. Asokohe gjërat i prisnin me shpatë dhe fjalët ishin më të pakta.

###

Një histori nga kampi i përqendrimit

Nga kampi i dikurshëm i Porto-Romanos tani ka mbetur në këmbë vetëm një karakoll i vjetër dhe disa godina të një reparti ushtarak të mëvonshëm. Një lapidar u kujton kalimtarëve, që ecin në anë të plehrave, se pikërisht këtu dikur luheshin drama të mëdha. Të burgosur, kryesisht politikë, kanë kaluar këtu një pjesë të mirë të rinisë së tyre. Në fasadën e lapidarit shkruhet: "Luftëtarëve trima nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit, që nën udhëheqjen e patriotëve 1942-43, organizuan qëndresën antifashiste në kampin e përqëndrimit 402/0".
Për kampin është shkruar shumë për periudhën e pushtimit italian, porse ai ka qenë ndërtuar dhe vënë në punë disa vjet më parë. Një nga të internuarit e shumtë që kanë jetuar me vite në këtë shpat kodre mes detit dhe kënetës ka qenë dhe i famshmi Mustafa Gjinishi, njëri nga udhëheqësit më të njohur gjatë Luftës NAÇL, i vrarë pabesisht nga drejtuesit komunistë, deri atëherë shokë të tij, në një pritë që iu organizua në Peshkopi në 1944.
Gjinishi dhe shokët e tij antizogistë janë mbyllur pikërisht në këtë kamp pas dështimit të komplotit të tyre antizogist në 1935, që ka hyrë në histori me emrin "Kryengritja e Fierit". Kur nisi kryengritja në Fier, Gjinishi ishte në burg. Këtu kishte zënë shoqëri të fortë me një "shok". Ky shoku na paskësh qenë një informator i xhandarmërisë. Vjen dita që "shoku" do lirohej. Gjinishi nuk nis letër, por shkruan një mesazh në këmishën e "shokut". Kaq mjaftoi, u ridënua me varje.
Vetë Mbreti Zog, në dhjetor të 1935, i kaloi shumicën e dënimeve nga me vdekje, në të përjetshëm. Këtë herë Gjinishi u dënua me 101 vjet burg. "Në këtë vendim nuk duhet të shihet vetëm ndjenja e mëshirës, por kryepari dhe ma fort, ndjenja e inspirueme nga desaprovimi i përgjithshëm me të cilin e priti kombi mbarë qëllimin e keq të këtyre ngatërrestarëve. Ngjarja e Fierit është një ngjarje fatkeqe, por ajo pati edhe një rezultat të çmueshëm sepse dha provën e padyshimtë për ata që nuk besonin se kombi shqiptar ka formuar një ndjenjë kombëtare të pjekur", shkruante Mbreti në një mesazh drejtuar gjithë popullit. Në atë kohë Kostë Çekrezi dhe Musa Kraja, dy krerët e kryengritjes, ishin arratisur në Itali me një peshkarexhë që mezi doli matanë, ndërsa Riza Cerova ishte vrarë në malet e Gorës gjatë një përpjekjeje të dëshpëruar për të dalë në Jugosllavi.
Motra e Mustafait, Xhemilja, ka lënë pas këtë kujtim për atë kohë: "Kur do e transferonin ato ditë nga Fieri në burgun e Porto-Romanos në Durrës shkova edhe unë për ta parë kur do të nisej. Vëllai im i dashur 23-vjeçar dukej i shpërfytyruar. Nuk ecte dot nga dhimbjet e torturave. Po e çonin te makina me batanije. Pashë vëllain tim të vdekur. Vetëm kur ngriti dorën e foli: Xhemile, mos u mërzit, jam mirë. Atëherë e kuptova që vëllai im ishte gjallë. Gjithsesi isha edhe e gëzuar në këtë hidhërim. Të paktën jetonte".
Një tjetër shok i Gjinishit, Mustafa Kruja ka lënë këto kujtime: "Më kujtohet Mustafai në kohën e ‘Lëvizjes së Fierit‘ në vitin 1935, kur ai ishte në burg në Porto-Romano, i dënuar nga gjyqi politik i Zogut si pjesëmarrës në këtë lëvizje. I shkoja disa herë në muaj meqë kisha makinën time e merresha me tregti. Një ditë, kur shkova për ta takuar, gardiani më tha se ishte i zënë. Prita pak, kur dëgjova se nga brenda burgut përplasnin duart. Në një moment, kur u hap dera, pashë Mustafanë që kishte hypur mbi një tavolinë dhe mbante fjalim. Ishin të paktën 50-60 të burgosur që e dëgjonin. Në fund tha: Rroftë Shqipëria e shqiptarëve".
(Astrit Kaziu, Legjenda Gjinishi përballë së vërtetës, Dumreja, Tiranë 2005, Arben Puto, Shqipëria politike, 1912-1939, Toena, Tiranë 2009).

###

Shenjti që shëron fytin dhe grykët

Vlashi, më vonë Shën Vlashi i kishës ortodokse, jetoi në fillim të shekullit IV në Azinë e Vogël, diku në bregdetin e Detit të Zi. Në fillim ishte mjek, madje fort i aftë, por shumë shpejt iu kushtua jetës kishtare dhe arriti të bëhej edhe peshkop. Kohë më pas u dha pas asketizmit dhe, pas një periudhe të kaluar në shkretëtirë, u mbyll në një shpellë në Malin Argjeo në Kapadokia. Legjenda thotë se, aq shumë kishte përparuar Vlashi në shenjtërinë e tij, sa që edhe bishat e egra rrinin rreth shpellës së tij fare të qeta. Një sundimtar i vendit që e mësoi këtë punë dhe që ishte kundër krishterimit dërgoi ushtarë që ta arrestonin Vlashin dhe ta sillnin në kështjellë. Thuhet se gjatë rrugës për të sundimtari Vlashi bëri aq mrekullira, duke shëruar njerëz, sa që shumë ushtarë u konvertuan që gjatë rrugës në të krishterë.
Një nga mrekullitë më të njohura të Shën Vlashit është ajo e "halës në fyt". Një nënë e alarmuar iu lut Shën Vlashit që t‘i shpëtonte fëmijën. Djali i saj i vogël kishte gëlltitur një halë e cila po ia merrte jetën pak nga pak. Në librat kishtarë ruhet ende lutja që Vlashi i drejtoi Perëndisë në këtë ngjarje: "Perëndia im, Ti që dëgjon të gjithë ata që ftojnë me besim emrin tënd, pranoje të lutem edhe lutjen time dhe nxirre me fuqinë Tënde të Shenjtë halën nga fëmija. Dhe nëse ndodh në të ardhmen në njerëz ose në kafshë ndonjë e keqe e tillë dhe ftojnë emrin tënd duke thënë: O Perëndi, me ndërmjetësimet e shërbëtorit tënd Vlash, ndihmomë, dhuroi edhe atyre shërimin, për lavdi të emrit tënd të madh". Mrekullia ndodhi, fëmija sakaq shpëtoi nga hala e keqe. "Gjithë sa vuajnë nga fyti dhe grykët dhe e thërrasin Shën Vlashin me besim, marrin shërimin e tyre", shkruhet në librat e kishës.
Pas shumë përpjekjeve dhe torturave për t‘ia mbushur mendjen që të hiqte dorë nga krishterimi, Agrikola, sundimtari vendas vendosi ta hedhë në liqen. "Të shohim sa do të ndihmojë tani Jesu Krishti", thuhet t‘i ketë thënë ai Vlashit. Porse legjenda thotë se Vlashi ecte mbi ujë njësoj sikur të ishte mbi tokë. Kur e panë këtë ushtarët kujtuan se mund të bënin të njëjtën gjë edhe ata. Përfunduan në thellësitë e liqenit me ujë të akullt. Ishin 68 ushtarë të mbytur.
Përfundimisht, Agrikola urdhëroi t‘i pritej koka. Bashkë me të u ekzekutuan edhe dy fëmijë të një nëne që nuk kishte pranuar të ndryshonte fenë. Kjo ndodhi në qytetin Sevasti. Ishte viti 316 pas Krishtit. Shën Vlashi nderohet kudo ku ka kisha ortodokse. Ai është shumë i njohur sidomos në Korint, ku ka edhe një manastir të madh që mban emrin e tij. Dita e tij në kalendarin ortodoks është 11 shkurti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›