E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shenja optimizmi per Europen

“Europa ka bërë shumë progrese kundër krizës, por duhet ende të kompletojë mekanizmin e saj të shpëtimit. Europa duhet të bëjë progrese në mbrojtjen e burimeve të përshtatshme të cilat duhet t’i gjejë brenda gjysmës së parë të muajit shkurt, kur do të jetë edhe takimi në Meksikë i ministrave të financave të G20”. Kështu ka deklaruar komisioneri për çështjet ekonomike dhe financiare në BE, Olli Rehn, në diskutimin e tij në ditën e tretë të Forumit ekonomik botëror të Davosit. Sipas tij, veprimet e BQE, kundër krizës kanë qenë të rëndësishme por jo të mjaftueshme ka thënë Rehn. Ai i ka kërkuar Britanisë dhe SHBA të japin kontributin e tyre në ndërtimin e një rrjeti të sigurisë kundër përkeqësimit të krizës. Përsa i përket çëshjtes greke, komisioneri europian ka deklaruar se bisedimet greke me palët kreditore janë pothuajse afër një konkluzioni. Edhe Ministri gjerman i Financave ka nënvizuar gatishmërinë e të gjithëve për shmangien e falimentimit të Greqisë.
“Jemi afër mbylljes së një marrëveshje mes qeverisë greke dhe komunitetit privat të kreditorëve, nëse jo sot, ndoshta gjatë fundjavës, pra mundësisht në janar dhe jo në shkurt”, deklaroi Rehn.
"Unë nuk pres falimentim të Greqisë. Unë jam i sigurt se të gjithë jemi të gatshëm të ofrojmë atë çka kemi rënë dakord dhe të gjithë partnerët e Greqisë janë të gatshëm për ta bërë atë. Ne mund ta shmangim dhe do ta shmangim falimentimin e greqisë por natyrisht, sektori privat duhet të marrë përgjegjësitë e veta”, u shpreh Schouble.
Ndërsa ministri francez, Fransua Baroin ka vlerësuar veprimin e BQE, në përballje të krizës së likuiditetit dhe mungesës së kreditimit të instituteve europiane.
"Është e pakundërshtueshme se likuiditeti i pakufizuar trevjecar i dhënë nga Banka Qendrore Evropiane ka ulur presionin mbi bankat evropiane që nga gushti dhe është e pakontestueshme se do ta ndihmojë atë në rikthimin e besimit", vuri në dukje Baroin.
Presidenti i BQE, Mario Draghi ka përshëndetur progreset e bëra nga Eurozona gjatë këtyre muajve të fundit.
Sipas tij, Eurozona po bën hapa të dukshme në përpjekje për zgjidhjen e krizës së borxhit sovran. Progreset janë të dukshme, pesë muaj më parë Eurozona ishte një tjetër botë.
Gjithsesi ka deklaruar Draghi në Forumin ekonomik të davosit, për të arritur në një stabilitet të eurozonës është i nevojshëm krijimi i besimit mes vendeve të ndryshme dhe pikërisht këto duhet të jenë të parat ta rimëkëmbin konsolidimin fiskal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›