Shenja të reja në diplomacinë greko-turke
Shumë i përfolur, si në shtyp ashtu edhe më gjerë, është ndryshimi që shpesh diplomacia helenike pëson rotacion mes dy partive të mëdha. Të përditshmet shqiptare e kanë paraqitur pak, në mos aspak, por aspekte interesante po duken në zhvillimet politike mes Athinës dhe Ankarasë, qëkur Papandreu është rikthyer në qeveri, tashmë si kreu i saj. Me këtë rast Turqia, e personifikuar në figurën e të suksesshmit Erdogan, dhe Greqia kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre.
Jemi në prani të muajve më të mjaltë mes dy vendeve, që kur “diplomacia e tërmetit” dha rezultatet e para. Në 1999, ndihma që shkëmbyen Turqia dhe Greqia, të ndodhura nën të njëjtin tërmet të dhunshëm, zhvilloi ato kontakte të para, të cilat shtynë helenët të heqin veton ndaj hyrjes së Turqisë në BE. Që marrëdhëniet mes Athinës dhe Ankarasë janë duke përjetuar një periudhë të gjatë lulëzimi, këtë e tregon edhe korrespondenca e fundit mes dy kryeministrave.
Menjëherë pas zgjedhjes së Papandreut në krye të vendit, homologu i tij turk i dërgoi një letër publike, në të cilën “duke shprehur dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve” e cilësoi pozitivitetin mes dy kryeqyteteve si faktor stabiliteti në rajon. Shprehja konkrete e këtij urimi pasohet nga propozimi që Erdogan i hedh palës helene për ngritjen e një grupi pune, në nivel ministerial, mes dy vendeve. Ky i fundit duhet të studiojë çështjet e mbetura pezull, dhe nuk janë pak, në të cilat ende në heshtje Ankaraja dhe Athina vazhdojnë të përplasen.
çështjet më urgjente janë ekzaktësisht katër. Secila ka natyrisht specifikën e vet, por letra e Erdoganit sintetikisht arrin t’i përmbledhë në pak rreshta. Në radhë të parë mbetet që prej më shumë se 30 vjetësh “çështja Qipro”, ishulli i ndarë që prej ndërhyrjes ushtarake turke në 1974. Vështirësia e saj është unike, pasi pjesa greke që Turqia vazhdon të mos njohë, pjesa e vetme anëtare e BE-së, është edhe pengesa më serioze për Ankaranë në Bruksel. “Edhe pse ky problem nuk i përket drejtpërdrejt popujve tanë, ne duhet t’u japim atyre një dorë”, shkruan Erdogan. U bënë vite që Turqia, në mënyrë të tërthortë, e shpall qëllimin e saj për bashkimin e ishullit. Një Qipro e vetme në BE, me një minoritet turk të garantuar në të drejtat e tij, do të largonte edhe empasse-n e njohjes së tij prej Ankarasë. Ndoshta, insistimi që i kërkohet Papandreut ka të bëjë me “fjalën e mirë” që ai duhet t’u thotë greko-qipriotëve, ende skeptikë rreth një bashkëjetese të ardhshme me turqit e ishullit.
çështja tjetër që Erdogan hedh në tavolinë për zgjidhje ka të bëjë me minoritetet respektive që Greqia dhe Turqia kanë në territoret e njëra-tjetrës. Në Greqi banojnë rreth 130.000 turq etnikë dhe në Turqi – numri ende nuk është i saktë - banojnë mijëra persona që deklarohen helenë. “Minoritetet tona kanë nevojë për ne dhe presin përgjigje. Në kohët në të cilat jetojmë ne duhet t’ua plotësojmë këto kërkesa”, vazhdon Kryeministri turk. Kësaj problematike i shtohet një tjetër çështje e përhershme mes dy vendeve: vija kufitare detare mes tyre, e cila në bregdetin e thyer egjean përfshin edhe shumë ishuj të vegjël. Në fund theksohet edhe bashkëpunimi, që në kuadrin e BE-së dy vendet duhet të kenë për parandalimin e trafiqeve që, nëpërmjet tyre, kalojnë nga Lindja e Mesme në Europë. Përgjigjja e Papandreut, edhe pse e vonë – më 25 janar – mbërriti dhe sintonia mes dy kryeministrave është më se e qartë, nëse do kemi parasysh situatën e nderë në të cilën ndodhet ekonomia greke. Në njëfarë mase, Papandreu i ka duart e zëna, sipas shumicës së analistëve. Të bëjë hapa shumë spektakolare në politikën e jashtme mund t’i kushtonte shumë vota në opinionin publik helen, jo tërësisht simpatizant ndaj afrimit greko-turk. Duke pasur në dorë një ekonomi të lënë si mos më keq nga qeveria konservatore e Karamanlisit, kreu aktual grek ndodhet duket shumë i kujdesshëm në hapat diplomatikë. Ndërsa vë kushte për qartësimin e vijës bregdetare – firmën e një traktati bilateral ose shqyrtimin në Hagë – duket se risi mund të vijnë në “çështjen Qipro”. Papandreu shprehet se çelësi mbetet vetëm në dorën e dy komuniteteve, greke dhe turke, për të zgjedhur një të ardhme “pa ndërhyrje të jashtme ose presione”. Ndoshta mund të quhet rastësi, por pak ditë pas kësaj përgjigjeje epistolare të Kryeministrit grek, më 27 janar një sinjal pozitiv erdhi nga kryeqyteti qipriot. Presidenti i pjesës greke, Kristofias, dhe lideri turk Talat lajmëruan zgjerimin e raundit të dytë të bisedimeve mes dy palëve. Në përfundim, mund të themi se dy kryeministrat ballkanikë ndodhen në pozita krejt të kundërta. Erdogani tashmë ka konsoliduar suksesin e partisë së tij në pushtet, edhe kundër opozitës që i bëjnë ambientet ushtarake. Nga ana tjetër, ende e paqartë është situata e vështirë ekonomike e Greqisë. Humori publik në fqinjin tonë jugor është shumë delikat dhe çdo lloj lëvizje radikale, edhe në shenjë paqeje, mund të tingëllonte aventuroze për shumë grekë. Ndoshta “ngacmimi” i Erdoganit vjen pasi njeh situatën e vështirë të homologut të tij. Por në rastin e Qipros ndoshta mund t’i “shkëpusë” Greqisë një vendim pozitiv për një të ardhme më të mirë të ishullit. Dhe ndoshta shembulli i Erdoganit mund të shërbente shumë për diplomatët tanë në Tiranë, pasi pezullimi i shumë çështjeve mes nesh dhe Athinës nuk është më i vogël.
#