E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri që masakroi nënën dhe vajzën, një vrasës serial

Librazhd
Hetimet përfshijnë tri vrasje të tjera dhe mundësinë e incestit. Policia: E kemi rrethuar në pyll

Ndërsa gazetarët “mallkojnë” rrugën e gjatë prej afro 60 kilometrash nga Elbasani, me ngrica dhe dëborë, banorët e fshatit Përvallë mallkojnë këta të fundit, pse ngulmojnë të nxjerrin në pah “biografinë” e kriminelit të fshatit të tyre të cilit prej vitesh kishin frikë t’ia zinin emrin në gojë. Frika endet në fshat edhe pse vrasësi Haki Miska kërkohet shteg më shteg nga policia për ngjarjen e fundit. Banorët e këtushëm ndiejnë keqardhje për vrasjen e gruas 75-vjeçare dhe plagosjen vajzës 18-vjeçare, por nga ana tjetër “gëzohen” se kësaj herë vrasësi nuk do t’i shpëtojë më drejtësisë siç kishte ndodhur vite me radhë. Tashmë, në Përvallë, një fshat rreth një orë larg nga qendra e Komunës së Lunikut, kanë filluar të pëshpëritin se Hakiu kishte kryer edhe vrasje të tjera, por asnjë “gjemb” nuk i kishte hyrë në këmbë.
Dyshimet
Në fshatin Përvallë thonë se pas kësaj ngjarjeje do të dalin akuza pa mbarim në lidhje me atë që kreu vrasjen e dyfishtë, por që konsiderohej si krimineli i këtij fshati. Në fshat, njerëz që nuk duan të identifikohen, thonë se disa arsye mund ta kenë çuar Haki Miskën të vrasë nënën dhe të plagosë rëndë të bijën dhe këto janë: fshehja e vrasjeve të tjera dhe fshehja e incestit.
Bashkëfshatarët besojnë se Hakiu 55 vjeç ka vrarë përpara 15 vjetësh gruan e tij. “Në tavanin e shtëpisë së Hakiut janë ende shenjat e plumbave”, thotë njëri nga banorët e Përvallës. Ai thotë se nëna e Hakiut, Dija, e masakruar me sëpatë, ishte e vetmja dëshmitare e këtij krimi të pazbardhur nga organet e drejtësisë. Një tjetër banor i fshatit tregon se pas vrasjes së gruas së Hakiut, Mimozës, u vranë edhe dy të afërm të saj, vrasje për të cilat ende nuk ka autor. Në fshat janë të bindur se autori është sërish Hakiu, por policia nuk flet. Sipas kësaj logjike, vrasja e nënës është e katërta për Haki Miskën, që mund të konsiderohet kështu një vrasës serial. Motivi tjetër, sipas bashkëfshatarëve, mund të ketë qenë incesti. “Hakiu shkonte me të bijën. Ka kohë që këto fjalë qarkullojnë në fshat. Madje, vajza ka abortuar njëherë”, thotë një tjetër bashkëfshatar i vrasësit.
Të dyja këto pista janë bërë tashmë edhe pjesë e hetimeve të policisë dhe prokurorisë, që kanë marrë në pyetje dhjetëra banorë të fshatit, të afërm e të njohur të Haki Miskës. Megjithatë, informacioni zyrtar mbetet i thatë: Haki Miska akuzohet për vrasje dhe plagosje të rëndë.
Kërkimi
Prej orës 20:30 të së enjtes, kreu i uniformave blu të Elbasanit është vënë në krye të një operacioni të gjerë policor për kapjen e Haki Miskës, por deri dje në mbrëmje vonë vrasësi ka qenë i lirë. “Ne kemi një plan veprimi të gjerë dhe në këtë terren të vështirë dhe me dëborë po përpiqemi të kapim autorin dhe mund t’ju them se kemi lokalizuar vendndodhjen e tij, duke shpresuar se shumë shpejt do të jetë në pranga”, pohoi dje në mbrëmje kreu i policisë së Qarkut të Elbasanit, Sajmir Muça. Forcat e policisë kanë krijuar një rrethim, duke pasur si pikësynim mbylljen e shtigjeve të kalimit për në fshatrat fqinjë, nga ku vrasësi mund të kalojë lehtësisht edhe kufirin me Maqedoninë. Kërkimet e policisë janë përqendruar pranë fshatit Llëngë, në afërsi të Steblevës e Gollobordës. “E kemi lokalizuar. Herët a vonë do t’i duhet të dalë nga pylli për t’u ushqyer dhe nuk na shpëton dot”, tha Sajmir Muça.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›