Shenjtorët e armatosur të Mborjes
Instituti i Monumenteve restauron afresket e kishës së Shën Mërisë në Mborje të Korçës. Kishë e shek. XIII-XIV e konsideruar ndër më të bukurat në Ballkan për mënyrën e kompozimit, larminë e skenave dhe numrin e shenjtorëve
Shenjtorë të armatosur, skena të famshme, lindje, vdekje, ringjallje, pëllumba që zbresin nga qielli e shqiponja me dy krerë. E ndërtuar rrëzë malit të Moravës ndërmjet shekujve XIII-XIV, në Mborje të Korçës, Kisha e Shën Mirësisë konsiderohet si një nga më të bukurat e Ballkanit. E ndërtuar në kohë kritike për kishën bizantine, kur ajo katolike po forcohej me pushtimin e Durrësit dhe të bregdetit shqiptar nga Karli I Anzhu, "investitor" i kësaj kishe, që përfshihej në territoret e Muzakajve, u kujdes që kisha të ishte e rrallë në llojin e saj. Çdo hapësirë e brendshme është e mbushur me afreske me ngjyra të gjalla, me dekoracione e shenjtorë. Një armatë me 23 shenjtorë. Por koha, agjentët atmosferikë dhe ndërhyrjet e pakujdesshme, i kanë zbehur disi vlerat e pikturave.
Kjo është arsyeja pse Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka ndërmarrë një projekt për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme, restaurimin dhe evidentimin e vlerave. Një projekt që do të mbulohet nga një fond modest, por i rëndësishëm për jetëgjatësinë e afreskave. Sipas restauratores së IMK-së, Edlira Çaushi, përpara është një punë shumë e gjatë, por që duhet mbyllur sa më shpejt të jetë e mundur. Piktura e Ristozit është realizuar nga një grup piktorësh që rezulton të kenë veshur me afreska dhe kishën e Maligradit në Prespë, kishën e Muzakajve në Kostur dhe një pjesë të kishës së "Shën Mitrit" në Boboshticë. Sipas mbishkrimeve, pikturimi filloi më 31 mars, me mbarimin e ndërtimit dhe përfundoi më 13 nëntor. Në të njëjtat mbishkrime përmendet dhe emri i Peshkop Nimfonit, i cili ka ndërtuar kishën. Mbishkrimet kanë përmbajtje standarde fetare, kurse figura e Peshkopit gjendet e pikturuar mes shenjtorësh teksa mban në dorë maketin e kishës.
Në kishë dallohen dy faza pikturimi. Faqet e brendshme janë veshur me afreska qysh në vitin 1389, kurse piktura e hajatit dhe fasadës më vonë. Afreskat shpalosen nga poshtë-lart, një mënyrë dekorimi që njihet në perandorinë Bizantine aty nga shek IX. Ansamblet me piktura ndahen në breza që vijnë njëri mbi tjetrin, kurse skenat e kompozuara brenda kuadratesh dhe veçmas nga njëra –tjetra, karakteristike për kishat e Lindjes. Afreskat mbushin të gjitha vendet e lira sikur të ishin elementë të një ornamenti dekorativ. Përfund mureve janë përfshirë ornamente të thjeshta gjeometrike dhe bimore, zigzage e përdredhje në formë degësh të stilizuara kuq e zi, që ndeshet edhe në bazilikën Paleokristiane të Ballshit dhe në kishën e Cerskës në Leskovik. Në sistemin dekorativ mes motiveve hasen shqiponja dykrenare të njëllojta, me natyrë të qartë bizantine. Restauratorja Çaushi veçon brezin e parë me figura. Përgjatë naosit paraqiten 23 figura të plota shenjtorësh. Pjesën qendrore të kompozimit "Deisis" e zë figura e Krishtit në pozën "mitike" me dorën e djathtë të çuar lart që bekon, teksa me tjetrën mban ungjillin e hapur. Përkundër madhështisë së figurës së Krishtit, figurat anësore, Shën Mëria me Pagëzorin jepen kokëpërkulur nga ai. Sipas Çaushit, në fasadën perëndimore gjendet skena e "Shestjes", por për studiuesen (Dhorka Dhamo), për nga stili i përket një periudhe më të vonë, shek. XVII. Ndër figurat më interesante paraqiten shenjtorët strategë me veshje ushtarake e armatime, mes të cilëve ndodhet Shën Gjergji e Shën Mitri, të pajisur me mburoja e shpata të zhveshura. "Bërthama ideore e pikturës së altarit është skena "Melizmos", e pasur me detaje ikonografike, ku fiksohet në mënyrë të konkretizuar tema liturgjike, e ku është pikturuar dhe trupi i vdekur i Krishtit", - thotë Çaushi, teksa shton se kjo skenë mori zhvillim të madh në shek. XIII. Interesant është detaji ikonografik i paraqitjes së Frymës së Shenjtë në formën e një pëllumbi që fluturon mes rrezesh për nga virgjëresha duke përpëlitur krahët. Nuk mund të mungojnë skenat e rëndësishme si "Lindja e Krishtit", "Fjetja e Shën Mërisë", "Ngjallja e Llazarit". "Afresku i Mborjes në tërësi qendron për nga mjeshtëria më lart se afreskat e së njëjtës periudhë. Paraqitet më i kompozuar, më i harmonizuar dhe lidhja ndërmjet skenave është më kompakte. Shohim një gamë artistike të toneve të blerta, ngjyrës së kuqe, të kuqe të thellë e të çelët dhe tone të artë në rozë. Për paraqitjen sa më të lehtë të engjëjve, gratë pranë mbajnë rroba me ngjyra të forta, të kuqe e blu. Piktura e kishës së Ristozit në Mborje karakterizohet nga një vizatim i qartë, i sigurt e mjeshtëror. Koloriti është i harmonizuar dhe ka një ngrohtësi të veçantë. Piktorët që kanë punuar kanë njohur mirë vlerën artistike të pikturës paleologe të kësaj zone", - thotë Edlira Çaushi. Gjendja aktuale është e tillë shtresa e trashë e vernikut që i mbulon është nxirë. Është pastruar dikur ky afresk, vetëm një herë. Brezat e poshtëm të afreskave dhe në pjesën më të madhe tek të sipërmet ka ndërhyrje joprofesionale dhe të trashë, duke prishur e shëmtuar pikturën e vjetër të një kualiteti të lartë artistik. Piktura murale shfaq dhe probleme të tjera degradimi. Në një pjesë të mirë shtresa ku është realizuar piktura me murin, paraqet xhepa dhe boshllëqe që sjellin shkëputjen dhe rënien e pikturës. Diku tjetër ka rënie të ngjyrës, për shkak të rrjedhjeve dhe lagështisë në ambientet e kishës. Sipas Çaushit, rënia e pelikulit të ngjyrës përbën një problem serioz që më vonë çon edhe në humbjen e vetë pikturës. Shfaqet prania e kriprave që e bën të paqartë imazhin e ikonave dhe sjellin ndryshimin e pigmenteve, përfshi çarjet dhe llaçin që ka prekur pjesë të afreskut dhe ku do të ndërhyhet për ta risjellë në një nivel estetik.