E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH-i "përplaset" me spitalin: Siguroni vetë energji gjatë defekteve

 

Gjatë një takimi në prefekturë, përfaqësuesit e KESH-it i kërkojnë spitalit të marrë masa për energjinë gjatë defekteve

Spitali: Na u shkatërruan pajisjet nga luhatjet e tensionit. Gjeneratori nuk vihet e hiqet çdo 5 minuta

Shkodër

SHKODËR-Spitali rajonal i Shkodrës duhet të sigurojë vetë furnizimin me energji elektrike, në kohën e ndërprerjeve për shkak të punimeve të KESH-it, apo defekteve në rrjet. Përfaqësuesit e KESH-it kanë deklaruargjatë një takimi të zhvilluar dje në prefekturën e qarkut Shkodër, se nuk mbajnë përgjegjësi për defektet që mund të ndodhin në linjën elektrike që furnizon spitalin dhe për ndalesat e energjisë elektrike gjatë punimeve të ndryshme në rrjet. Sipas tyre, është vetë spitali që duhet të sigurojë gjeneratorë për të pasur furnizim normal me energji elektrike. Deklarata, që ka gjetur dhe mbështetjen e prefektit Maxhit Cungu është kundërshtuar nga drejtorja e spitalit rajonal Alma Kurti, e pranishme në këtë takim.

Spitali

Kurti ka argumentuar me fakte konkrete se prej tre muajsh institucioni që ajo drejton dhe pse është i një rëndësie jetike nuk lajmërohet nga KESH-i për ndalesat e furnizimit me energji elektrike për shkak punimesh të ndryshme në rrjet . "Po të bëhej lajmërimi, të paktën mund të planifikonim mos ndërhyrje kirurgjikale apo ekzaminime të ndryshme. Por kjo, jo vetëm nuk ndodh, por ka mbi një muaj që energjia elektrike ikën e vjen në spital çdo 5 minuta dhe nuk mund të bëhet asnjë veprim",- tha Kurti. Ajo sqaroi se spitali ka gjenerator, por duke u takuar e stakuar çdo 5 minuta gjatë gjithë ditës ai pëson defekte. Bashkë me të, sipas drejtores të shumta janë defektet në pajisjet ekzaminuese që punojnë me energji elektrike. "Dëmi ekonomik që i është shkaktuar spitalit nga prishja e aparaturave, pasi energjia elektrike ikën e vjen dhe është me luhatje tensioni është i madh, por mbi të gjitha dëmin më të madh e pëson shërbimi ndaj pacientëve",- tha ajo, duke shtuar se në këtë mes të dëmtuar janë pacientët, të cilët nuk duan të dinë për punime apo defekte në rrjet.

KESH-i

Përfaqësues të operartorëve të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë elektrike pas 'akuzave' kanë deklaruar se kanë njoftuar gojarisht spitalin në rastet e problemeve. Përfaqësuesi i operatorit të transmetimit të KESH-it, Shkëlzen Grenasi, ka thënë se defektet në rrjet janë të pranishme, ndaj spitali duhet të marrë masa vetë për të pasur energji elektrike, pasi ekzistojnë disa lloje gjeneratorësh. Kësaj situate nuk ka mundur t'i japë zgjidhje as prefekti Cungu, sipas të cilit spitali pavarësisht energjisë, duhet të jetë i pajisur me gjenerator për çdo lloj situate. Por ankesa për furnizim me energji elektrike kanë paraqitur dhe drejtoria e mjedisit dhe ajo e agjencisë së baseneve ujore , pasi sipas tyre ka një muaj që energjia elektrike mungon nga ora 08-15.00. Admir Golemi kryeinxhinier i operatorit të shpërndarjes ka tërhequr vëmendjen në mospagesën e faturave të energjisë elektrike nga punonjësit buxhetorë dhe përqindjen e ulët të arkëtimeve nga institucionet shtetërore.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›