Arratisja nga burgu i Burrelit mund të ishte evituar
Ish- drejtori Dushku, tregon se si janë marrë informacionet 2 muaj më parë dhe mosreagimin e strukturave përkatëse
TIRANË- Ish- drejtori i burgut të Burrelit, Shyqyri Dushku, pohon se tentativa e të burgosurve për arratisje ishte mësuar dy muaj më parë por ajo nuk ishte vlerësuar nga strukturat përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë. Në atë kohë ai ka qenë në krye të institucionit por informacionet e përcjella prej tij janë cilësuar si të pa vlera. Në një letër drejtuar ministrit Alibeaj por edhe në një intervistë për "Shekullin" ai shpjegon situatën në burg dhe mënyrat se si mund të ishte parandaluar arratisja.
Zoti Dushku, kur keni marrë informacionet e para për tentativën e arratisjes të të dënuarve nga burgu i Burrelit?
Unë e kam mësuar këtë gjë rreth datës pesë ose gjashtë shkurt, nuk e mbaj mend datën e saktë. Në atë kohë ish drejtori i burgut të Burrelit dhe në rrugë operative mësova se po organizohej një arratisje e madhe nga burgu.
Nga e keni marrë këtë informacion?
Ky informacion është marrë në rrugë sekrete operative. Janë biseda me njerëz të ndryshëm që më kanë informuar mua për këtë gjë.
Si u veprua më pas?
Unë kam njoftuar menjëherë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, me drejtorin Flamur Kapllani, për mundësinë e organizimit të një tentative për arratisje. Po atë natë bashkë me shefin e policisë së Burrelit shkuam në institucion dhe qëndruam në gatishmëri. Bëmë një kontroll të imtësishëm të situatës dhe të nesërmen kontaktuam me shefin e komisariatit. Komisariati në bashkëpunim me ne organizoi një plan patrullimi rreth burgut. Ky problem vazhdoi për disa ditë me radhë.
Cili ishte reagimi i kreut të SHKB-së?
Reagimi i tij ishte shumë i vakët. Flamur Kapllani nuk e quajti si informacion që duhej marrë në konsideratë por si një informacion që unë po e jepja për të mbajtur karrigen. Ky informacion duhej vlerësuar pasi kishte të bënte me një rrezikshmëri shoqërore. Ata kujtuan se unë e bëja për karrierë apo për të forcuar pozitat e mia. Të nesërmen në mëngjes dërguan dy inspektorë të SHKB-së por u mjaftuan vetëm me një verifikim të thjeshtë.
Po nga ana juaj çfarë masash u morën?
Unë për të shmangur tentativën propozova lëvizjen e të dënuarve. U mor parasysh për një pjesë dhe vetëm kaq. Një tjetër masë që u mor ishte shtesa e një vendroje përballë seksionit të sigurisë së lartë që të shihej e gjithë hapësira dhe të mos kishte mundësi ikjeje.
Ju kur jeni larguar nga drejtimi i institucionit?
Më datë 26 shkurt unë paraqita dorëheqjen për arsye shëndetësore dhe familjare. U miratua dhe më nëntë mars u largova nga detyra. Nuk isha unë drejtor në kohën kur u prenë telat dhe u salduan sërish. Sipas mendimit tim, nëse do ishte vepruar në kohë dhe do ishte kapur situata nga të dhënat që morëm mendoj se do ishin gjetur organizatorët, do t'i ishteparaprirë dhe këto fenomene nuk do të kishin ndodhur. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm duhet të ishte më efikas që të mos arrihej deri këtu.
Mendoni se ka pasur bashkëpunëtorë nga personeli i burgut?
Nuk vendos dot pikën dhe të them emrin por pa bashkëpunim nga brenda kjo tentativë do ishte shumë e vështirë. Nëse do ishte bërë detyra në kohë nuk do kishte ndodhur gjë. Ligji për policinë e burgjeve thotë se kontrolli i sigurisë bëhet dy herë në javë. Në situata të tilla mund të bëhet çdo ditë por kjo nuk është bërë.
Burrel, arrestimi i 10-të për arratisjet nga burgu
BURREL- Mbërrin në 10 numri i të arrestuarve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit kur dy të burgosur me dënime maksimale sharruan hekurat e dritareve të dhomave të izolimit, hapën muret dhe kapërcyen telat e rrethimit të jashtëm duke e fituar lirinë për afro gjysmë ore. Paraditen e djeshme është arrestuar edhe Rasim Hoxha, i cili ka kryer funksionin e shefit të kontrollit. Mësohet se Hoxha është pushuar nga puna para disa kohësh duke qëndruar pa punë për disa kohë ndërsa ishte kthyer para afro tri javësh sërish me punë në këtë institucion. Ndërkohë që burgu i Burrelit është përforcuar me masa sigurie ekstreme nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, policia e këtij burgu ka zbuluar në orët e pasdites edhe dy dritare të sharruara nga të dënuarit me qëllim daljen prej andej. Këto janë parë pikërisht në seksionin B të këtij burgu ku vuajnë dënimin dhe kategoria e të dënuarve maksimalë, me burgim të përjetshëm apo me shumë vite burg për vepra të rënda penale.