Skandali i kartave, fillon hetimi i tenderit
Avokati i Prokurimeve ka nisur hetimin për çështjen, firmat kërkojnë çuarjen e çështjes në gjykatë
Dhënia me koncesion e pasaportave dhe kartave rriti me 3 herë çmimin e tyre
Tenderi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike tashmë është nën hetim nga ana e Avokatit të Prokurimeve, në një kohë që pritet marrja e një vendimi nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Kjo Agjenci është edhe institucioni i fundit administrativ ku firmat pjesëmarrëse në tender mund të drejtohen, ndërsa tre kompani kanë deklaruar se do ta çojnë çështjen në gjykatë. Tre firmat pjesëmarrëse në tender "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto" të ankuara në Agjencinë e Prokurimeve, e kanë vlerësuar këtë tender me shkelje të rënda. Si pasojë e këtyre shkeljeve, ato kanë vlerësuar që i gjithë procesi është pre e pavlefshmërisë absolute të akteve që dalin si rezultat i tij. Për këto arsye, firmat kërkojnë pavlefshmërinë absolute të aktit përfundimtar të shpalljes së fituesit të tenderit, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore. Por një nga problemet që solli procedura e papërshtatshme e këtij koncesioni është vonesa në kohë dhe kostoja e lartë e tij. Vendimin për anulim ose pezullim të tenderit sipas ligjit e jep vetëm Agjencia e Prokurimeve. Hetimet e nisura do të kërkojnë kohë pasi kompanitë ankuese kanë paraqitur një dosje voluminoze me dokumentacion. Kjo vonesë mund të rrezikojë pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti brenda vitit 2009. Avokati i Prokurimeve, Edvin Spaho, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se ky institucion është duke punuar intensivisht mbi këtë dosje dhe rekomandimet e këtij institucioni do t'i dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur edhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas Spahos dokumentacioni i paraqitur nga ana e firmave pjesëmarrëse është voluminoz dhe rezultatet e nxjerra nga ky hetim do t'i vihen në dispozicion edhe institucioneve të drejtësisë, nëse kjo është e nevojshme.
***
Bërja me koncesion të këtij procesi e ka rritur koston e pasaportave dhe kartave, së paku 50% deri mbi 100%. Kjo sepse ofertuesit, mbi çmimin e tyre të shitjes, kanë aplikuar edhe përqindjet e interesit bankar të investimit të tyre për 5 vitet e koncesionit, që llogaritet minimalisht 30%. Mbi këtë kosto është përllogaritur dhe koeficienti i riskut të koncesionit, qe e rrit çmimin edhe më shumë. Ky është shpjegimi ekonomik, që çmimet e ofruara në tender për të njëjtin proces varionin nga 96 milionë euro, më i liri, ofruar nga "Oberthur", deri në 290 milionë euro, çmimi më i shtrenjtë ofruar nga "Nadra". Nëse qeveria do të subvenciononte për kartat e shqiptarëve dhe t'i shpërndante ato pa pagesë, duke shmangur këtë procedurë tepër të shtrenjtë dhe me pasojë për procesin zgjedhor dhe sigurinë kombëtare, çmimi i këtij tenderi nuk i kalonte 35 milionë euro. Nga ana tjetër, një problem shumë serioz në tenderin e zhvilluar në datën 28 shkurt 2008 ka qenë afati një mujor i pamjaftueshëm në dispozicion të firmave dhe për pasojë, pothuajse të gjitha firmat pjesëmarrëse patën mangësira dokumentare, çka solli skualifikimin e tyre ose kualifikimin e diskutueshëm të tyre, çka është një objekt që do të ndiqet nga ana ligjore nga pjesëmarrësit në tender. Nëse do të vazhdohet me procedurat e rishikimit administrativ të procesit të përzgjedhjes ose me shpalljen fitues të firmave me mangësi dokumentare, qeveria rrezikon të hyjë në konflikte gjyqësor me firmat pjesëmarrëse, pasi realisht vetëm një firmë e ka dokumentacionin e plotë, por me ofertë shumë më lart se 200 milionë euro, ose disafish më tepër se oferta më e ulët.
SAGEM, sipas apelimit të bërë nga tre firmat, "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto", nuk ka plotësuar "Kërkesën për Kualifikim", ku nuk ka arritur të paraqesë "Certifikatë Sigurie ISO 27000 për sistemet e menaxhimit të sigurisë së lartë", të kërkuar në kërkesën 23, të pikës 2/3. Certifikata e ISO 27000 e paraqitur i përket një shoqërie tjetër, SAGEM-ORGA Gjermani, sipas animimit, me të cilën SAGEM është aksionere, por që ka personalitet juridik më vete.
Gjithashtu një kriter tjetër që e bën këtë tender të pavlefshëm, sipas dokumentacionit, lidhet me faktin se SAGEM nuk ka paraqitur 15 kopje specimenesh të personalizuara të pasaportave dhe kartave. Kjo duket shumë qartë në videoregjistrimet dhe në fotot përkatëse që firmat pjesëmarrëse i kanë bashkangjitur apelimeve të tyre dhe që jepen edhe në fotot e paraqitura gjatë zhvillimit të tenderit. Madje në video shihet qartë, që vetë përfaqësuesja e SAGEM e ka pranuar këtë fakt gjatë zhvillimit të tenderit. Kjo duket shumë qartë dhe në mostrat e paraqitura nga SAGEM, ku për mostrën e pasaportës, SAGEM ka dorëzuar 15 specimene të pasaportës së prodhuar nga SDU-Holandë në vitin 2004, të cilat janë materiale promocionale (standard samples) dhe nuk janë të personalizuara. Një fakt i tillë, duket edhe në fotot e realizuara gjatë zhvillimit të tenderit, ku në specimenet e treguara duket qartë viti 2004 i prodhimit të tyre.