Shkodër, mbytet në kanalin vaditës 2-vjeçari
Fëmija i shpëtoi kontrollit të prindërve dhe ra në kanalin vaditës. Humbi jetën rrugës për në spital
SHKODËR-Një fëmijë 2-vjeç ka gjetur vdekjen aksidentalisht, pasi ka rënë në një kanal vaditës dhe është mbytur në ujin e tij. Në kohën që e kanë gjetur prindërit mësohet se fëmija kishte ende shenja jete, por nuk arriti dot të shpëtonte, pasi humbi jetën rrugës teksa po e dërgonin në spital. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 11.30, në fshatin Mjedë në Shkodër. Sipas burimeve policore, fëmija Klodian Vladimir Bujari, vetëm 2-vjeç, i ka shpëtuar kontrollit të familjarëve dhe duke luajtur ka arritur të dalë jashtë banesës së tij në fshatin Mjedë. Mësohet se rreth 50 m larg shtëpisë ndodhet kanali vaditës, që përdoret për ujitjen e tokave të gjithë fushës së Zadrimës. Kanali kalon pranë argjinaturës në qendër të fshatit dhe furnizohet me ujë nga burimi poshtë hidrocentralit të Vaut të Dejës. Fëmija duke mos pasur edhe një ekuilibër të mirë për shkak të moshës fare të vogël ka rrëshqitur, ka rënë brenda kanalit dhe ka gjetur vdekjen, duke u mbytur. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, kanali ku është mbytur vogëlushi ndodhet afër ish- shkollës së vjetër në Mjedë dhe rënia e tij në ujë ka qenë aksidentale. Fati i keq ka dashur që në momentin që fëmija ka qenë pranë zonës së rrezikshme, rrugët të ishin të boshatisura e për pasojë atë nuk e ka parë askush në momentin e rënies, në mënyrë që t'i vinte në ndihmë. Ndërkaq, mungesa e fëmijës në shtëpi ka vënë në alarm familjarët, të cilët kanë nisur ta kërkojnë dhe e kanë gjetur pa jetë një orë më pas. Ndonëse me mjaft shpejtësi është bërë dërgimi i tij në spital, vogëlushi nuk ka mundur të mbijetojë, duke gjetur vdekjen rrugës. Fqinjët tregojnë se familja e tij është me origjinë nga Puka dhe është vendosur prej vitesh në këtë zonë, ndërsa Klodiani ishte fëmija më i vogël nga tre fëmijët e familjes Bujari.