Shënkoll, i vë flakën shokut të qelisë, shmanget tragjedia
Tentoi të digjte shokun e tij në dhomën e paraburgimit, ndërhyrja e policisë shmangu ngjarjen. Dragut Skana, i dënuar me 20 vite burg, për grabitje me maska në bashkëpunim dhe vrasje të mbetur në tentativë, i vuri flakë dyshekut të tij dhe të bashkëvuajtësit të qelisë, e më pas këtë të fundit e hodhi në mes të flakëve. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë rreth orës 14:35 në burgun e Shënkollit në Lezhë. Sipas Policisë, Skana, veç dy akuzave të mësipërme, do të përballet edhe me dy vepra të tjera penale, atë të tentativës së vrasjes dhe dëmtim prone. Burime të Prokurorisë së Lezhës bënë të ditur se i dënuari Dragush Skana, para pak ditësh ka tentuar të djegë në dhomën e paraburgimit 24-vjeçarin Elvis Shimçani, i cili ndodhej në të njëjtën qeli me 35-vjeçarin Skana. Mësohet se ai ka vendosur tek dera e qelisë dyshekun e tij dhe të shokut të dhomës dhe më pas u ka vënë flakën. Në momentin që dy policët e shërbimit kanë vënë re tymin, kanë ndërhyrë, ndërkohë që Skana, për të mos lejuar ndërhyrjen e tyre, ka hedhur mbi dyshekët që ishin përfshirë nga flakët, 24-vjeçarin Elvis Shimçani. Ndërhyrja e dy punonjësve të Policisë ka shmangur edhe ngjarjen e rëndë në burg. Mësohet se i riu ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në repartin e djegieve, në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku po merr mjekimet e duhura i survejuar nga efektiva të shumtë të policisë. r.n