Si zgjidhet çështja e kutive me të drejtën zakonore shqiptare

Demir Vladi, plaku i Kanunit të Lurës
Ka jetuar në mbretëri, diktaturë dhe demokraci, por më mirë sesa këto tri sisteme, njeh të drejtën zakonore shqiptare. E quan “Kushtetuta e vërtetë e shqiptarëve” dhe, me anë të saj, ka rregulluar jetët e qindra njerëzve nga lindja deri në vdekje.Quhet Demir Vladi ose ndryshe thirret “plaku i Kanunit” për zonat e Veriut. Ai që dëgjon njerëzit për konflikte të ndryshme, nga ato familjare, të pronave e deri te gjaqet dhe që arrin të sjellë paqen mes tyre. Tani, teksa i ka kaluar të 90-at, “plaku i Kanunit” dëshiron të zgjidhë gjithashtu konfliktin e madh të Partisë Demokratike dhe Socialiste për rinumërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, pikërisht me anë të së drejtës zakonore shqiptare. “Është shumë e thjeshtë. Mendoni sikur në oborr janë varë disa rroba të shtëpisë. Fryn era dhe disa prej tyre i merr dhe i hedh në rrugën ngjitur. Nëse dikush i sheh ato dhe i merr, menjëherë duhet t’ia kthejë të zotit të shtëpisë, pasi dihet se të kujt janë. Nëse nuk ia çon të zotit, atëherë është hajdut. Ky veprim për t’i dhënë secilit gjënë e vet, mos me vjedhë, mos me grabitë, nuk ka nevojë për marrëveshje, është gjest moral që mësohet që fëmijë”, thotë ai, ndërsa bën një paralelizëm ndërmjet sistemit ligjor dhe zakonor shqiptar. Të mos ju gënjejë mosha, ai është në dijeni të çdo zhvillimi politik
Apo gabohem?
Gabim a me dashje bëtë pyetjen. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet e politikës shqiptare, sidomos zgjedhjet e 8 majit e gjithçka ndodhi më pas. Çështja është më e lehtë sesa duket. Fillimisht duhet parë se ku është problemi. Janë dy njerëz (parti) që zihen që të rinumërohen ose jo votat në kuti dhe normalisht vetëm njëri ka të drejtë. Institucionet shtetërore duhet ta kishin gjetur deri tani, sepse janë të specializuara për këto çështje. Megjithatë, mendoj ky sherri i kutive do të ishte zgjidhur më shpejt me të drejtën zakonore shqiptare.
Po si mund të dalë e drejta zakonore shqiptare mbi shtetin?
As që e mendoj që e drejta zakonore shqiptare të dalë mbi shtetin, por të bashkëpunojë me të. Institucionet të “pleqërojnë”, të këshillohen dhe të marrin ç’është më e mira. E drejta zakonore shqiptare ka rregulluar marrëdhëniet juridike për shumë shekuj në vendin tonë dhe nuk mund të përbuzet. Origjina e saj, vërtet ka lindur në një shoqëri pa shtet, por, me formimin e shtetit, e drejta zakonore bashkëjetoi me të drejtën shtetërore. Normalisht ka evoluar dhe është përshtatur ndër shekuj, siç mund të përshtaten edhe kësaj here për zgjidhjen e çështjes së rinumërimit të votave.
Para zgjedhjeve, partitë ranë dakord që të mos numërohen votat që hidhen në kutitë e gabuara, ndërsa më pas njëra prej tyre ndryshoi mendim: Të numërohen. Ç’do të thoshte e drejta zakonore në këtë rast?
E drejta zakonore do ta kishte zgjedhur këtë pa thirrë fare asnjë plak. Është shumë e thjeshtë. Mendoni sikur në oborr janë varë disa rroba të shtëpisë. Fryn era e disa prej tyre i merr dhe i hedh në rrugën ngjitur. Nëse dikush i sheh ato dhe i merr, menjëherë duhet t’ia kthejë të zotit të shtëpisë, pasi dihet se të kujt janë. Nëse nuk ia çon të zotit, atëherë është hajdut. Ky veprim për t’i dhënë secilit gjënë e vet, mos me vjedhë, mos me grabitë, nuk ka nevojë për marrëveshje, është gjest moral që mësohet që fëmijë.
Më saktë, ju lutem, duhen numëruar ato vota apo jo?
Besoj se ju e kuptuat shumë mirë, duhet të numërohen. Duhet t’i kthehen të zotit. Një marrëveshje që përmban hajdutllëk, nuk quhet marrëveshje. Është njësoj sikur të kesh ngarkuar kalin me dru në mal, të jesh lodhur e djersitur dhe, në kthim, në prag të shtëpisë, të bien disa. Të kujt janë ata dru? A mund t’i marrë tjetërkush? Asnjeri nuk ka të drejtë t’i prekë.
Si mund të zgjidhet ky konflikt, referuar të drejtës zakonore shqiptare, por duke marrë parasysh se zgjidhja vjen nga institucionet?
E para që duhet mbajtur mend gjithmonë: Kush nuk shkon para një trupi gjykues (çfarëdolloj qoftë), humb automatikisht të drejtën për çdo lloj pretendimi. E drejta humbet gjithashtu, nëse palët bëjnë zhurmë para trupit gjykues ose ofendojnë. Kur dy palë janë në konflikt, duhet shkuar patjetër tek një i tretë. Personi i tretë me të drejtën zakonore është një plak me përvojë, ndërsa në këtë rast institucioni i tretë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai që nuk pranon të shkojë tek i treti, humb automatikisht të drejtën edhe nëse ka të drejtë. Pra, zgjidhja është personi i tretë dhe pasi dëgjon palët, ai vendos se çfarë është e drejtë e çfarë është e gabuar.
Po nëse ky person i tretë nuk rezulton i besueshëm?
Fillimisht provohet. Nuk mund të flitet për besueshmëri pa e provuar. Nëse në fund ky person rezulton me hile dhe palët në konflikt dalin sërish pa sqaruar, atëherë ai gjobitet dhe zgjidhja e çështjes shkon në një plak edhe më me përvojë se ky. Në këtë rast, “plaku” i bie të jetë Kolegji Zgjedhor, me aq sa unë kam dijeni.
E zëmë se edhe ky nuk rezulton i besueshëm. Çfarë ndodh?
Këtu ka diçka. Nëse dy pleq me përvojë dhe të zgjedhur ndër vite për zgjidhje konfliktesh rezultojnë jo të besueshëm për të njëjtën çështje, atëherë duhet parë nëse është faji i pleqve apo i palëve në konflikt. Nëse pleqtë rezultojnë jo të besueshëm vazhdimisht nga e njëjta palë në konflikt, atëherë kjo palë paralajmërohet. Nëse pleqtë nuk janë quajtur të besueshëm një herë nga njëra palë dhe një herë nga tjetra, atëherë kjo është pak më e vështirë. Megjithatë, në të dy rastet, pleqtë “e pabesueshëm” gjobiten, ndërsa çështja çohet te një plak i tretë. Më i besueshëm dhe më me përvojë nga të gjithë. Nëse pleqtë i zëvendësojmë me institucione, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor duhet t’ia kalojnë çështjen një institucioni tjetër, më të besueshëm se ata.
Po deri në sa pleq zëvendësohen kështu, çështja duket pa fund
Jo, i treti është i fundit. Çfarë vendos plaku i tretë, duhet pranuar nga të dyja palët në konflikt. Nëse njëra prej tyre nuk e pranon, atëherë është ajo që duhet ndëshkuar, pasi ka luajtur me besueshmërinë e pleqve.
Cili është plaku i tretë në këtë rast?
Është një gjykatë ndërkombëtare për zgjedhjet, me sa di unë në Venecia, por s’e kam shumë të qartë.
Është Komisioni i Venecias dhe jep këshillimin ligjor për funksionimin demokratik të institucioneve, por jo t’u japë zgjidhje të gatshme atyre
Edhe pleqtë nuk japin zgjidhje të gatshme, as nuk imponohen, por vetëm shprehin mendime të paanshme dhe korrekte.
Megjithatë, sa u përket ndërkombëtarëve, ata kanë dhënë opinionet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe. Pse duhet të kalojmë te “Venecia”?
Për kë ndërkombëtar është fjala? Ata që janë këtu janë vizitorë në zgjedhje, jo “pleq kompetentë”. Të ishin të tillë, këtë konflikt duhet ta kishin ndaluar sapo nisi. Çdo gjë e qartë. Dy veta u zunë, le të ndërhynin: Ti ke të drejtë, ti ke gabim! Dhe jo të thoshin: Ti mirë dhe ti mirë Madje, ndërkombëtarët që prishën unitetin, u treguan ngatërrestarë dhe më mirë do ta kishim zgjidhur këtë çështje pa ata. I zoti e ndan gjyqin vetë
E ndan gjyqin edhe me forcë?
Forca nuk është thjesht fuqia. Forca është e drejta dhe e vërteta. I zoti e ndan gjyqin vetë, nuk ka kuptimin e forcës apo luftës, por në kuptimin që “I mençuri nuk kërkon atë që nuk i takon”.
Cili është i mençuri dhe cili budallai në rastin e këtyre zgjedhjeve?