E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Listat e kandidatëve duhet të ishin më transparente

Nga Vizion Plus

Listat e kandidatëve mund e duhet të ishin më transparente. Gjykimi vjen nga ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch, në një intervistë për “Vizion Plus”, pas publikimit në limitet e fundit të emrave, me të cilët do të garojnë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste për zgjedhjet e qershorit. “Për sa i përket listave të partive politike mendoj që deri diku ishin transparente, por mund të bëhej edhe më shumë në këtë drejtim”, - tha Bosch. Bosch thekson rëndësinë e veçantë të këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë, sidomos pas aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE.

“Është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të jenë sipas standardeve ndërkombëtare. Zgjedhjet duhet të jenë gjithmonë të lira e të ndershme, por këtë radhë standardet kanë edhe më shumë rëndësi, pasi ju keni aplikuar për t’u bërë pjesë e BE. Zgjedhjet e lira janë një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Duhet patjetër të keni zgjedhje të pakontestueshme”.

Për një ecuri të mirë të procesit zgjedhor, diplomati i huaj iu bën thirrje qytetarëve të pajisen me karta identiteti.

“Shpresoj që procesi të shkojë mirë, por një nga masat paraprake për ecurinë e tij është pajisja e shtetasve me karta identiteti. Këto karta nuk ju duhen vetëm për zgjedhjet, por për shumë shërbime të tjera”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›