E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbëtori i muzikës



Virtytet dhe vlerat që na kanë lartësuar gjithmonë i kishin rënë në sy, sapo kishte shkelur tokën shqiptare. Mikpritja, bujaria, komunikimi... Kështu e tregon impresionin e tij, në kontaktin e parë me Shqipërinë, pianisti francez, Pascal Gallet. Ai është ftuar të marrë pjesë në koncertin e radhës që organizohet nga formacioni i “Camerata e Tiranës”. Kritika e rangut botëror e ka vlerësuar pianistin Gallet si një nga më të famshmit e brezit të tij. Sonte, në Akademinë e Arteve në bashkëpunim me orkestrën e të rinjve të kësaj “Camerate”, ai do të ekzekutojë repertorin e disa prej autorëve më të njohur francezë dhe ndërkombëtarë, si Janacek, Messiaen, Chopin etj. Nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko, një nga emrat më të njohur të artit shqiptar, pianisti është shprehur i kënaqur për këtë bashkëpunim, pasi në të njëjtën kohë, nivelin e instrumentistëve tanë ai e krahason me atë evropian. “Duke u nisur nga ajo çfarë kam dëgjuar në prova, për mua niveli është krejtësisht evropian. Janë artistë të shkëlqyer dhe jam shumë i sigurt për këtë që them”, - shprehet pianisti francez, Pascal Gallet. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ky koncert kërkon të evidentojë sa më shumë talentet e instrumentistëve të rinj. Ky formacion ka organizuar edhe koncerte të tjera, ku në fokusin e tyre kanë qëndruar të ftuarit, artistë të njohur në skenat e botës.

Intervistoi: Suela Furriku

Jeni i ftuar në një koncert nga formacioni “Camerata e Tiranës”. Sonte do të jeni pjesë e këtij koncerti, si ndiheni?

Jam shumë i eksituar, sepse vepra është shumë komunikative dhe plot energji pozitive. Me këtë dua të shpjegoj eksitimin dhe kënaqësinë që unë jam pjesë e këtij koncerti.

Jeni i ftuar të luani si një pianist i nderuar në këtë koncert, si e vlerësoni këtë lloj bashkëpunimi?

Për mua është vërtet një vlerësim i madh të jem i ftuar nderi. Ajo që më pëlqen më tepër në këtë koncert është se do prezantoj muzikën franceze, pasi Chopin është më francezi nga polakët. E them këtë, pasi unë jam me origjinë franceze nga nëna dhe polak nga babai. Ky është raporti midis kompozitorit francez që do të luajmë dhe dominimit të veprave të Chopin-it në këtë koncert. Kjo është shumë interesante për mua. Që në moshën 18 vjeç, Chopin ka jetuar në Francë dhe lidhja që ka si në aspektin spiritual, ashtu edhe në raport me muzikën e artin francez, është shumë e fortë. Pikërisht këtë lloj marrëdhënie kemi dashur të transmetojmë në këtë koncert. Vepra e muzikës franceze që unë do të prezantoj, bëhet fjalë për kompozitorin Olivier Messiaen, i cili është shumë i njohur në Francë, ndërsa këtu në Shqipëri më pak. Sigurisht që në misionin e Chopin-it ka një diferencë kohe, por duke kuptuar lidhjen e ngjyrave dhe formave të ekspresionit artistik, është i njëjtë. Ky raport më pëlqen dhe kjo është ajo çka do të evidentohet sonte në koncert, në Akademinë e Arteve.

A mendoni se publiku shqiptar do të arrijë ta kuptojë këtë lloj raporti, që sapo na shpjeguat?

Për këtë duhet të theksojmë se ky kompozitor është një nga më të mëdhenj francezë dhe të kuptojmë se është një vazhdimësi e shkollës franceze. Kam pasur fatin dhe nderin që të punoj vetë me kompozitorin Messiaen dhe bashkëshorten e tij. Kështu, unë do t’i shpjegoj edhe publikut shqiptar në mënyrë të veçantë, se kush ishte ky kompozitor, veprën e tij e shumë detaje të tjera. Nuk jam i sigurt për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, nëse impakti do të jetë ai që shpresoj unë, por unë marr riskun ta prezantoj këtë gjë.

Qëllimi i formacionit “Camerata e Tiranës” është evidentimi i talenteve të reja. Për aq kohë sa keni punuar, cila është përshtypja juaj për instrumentistët tanë në këtë orkestër?

Mendoj se rezultati është tepër pozitiv, sepse ndikon edhe diferenca e moshës ndërmjet titullarëve dhe të rinjve. Por kur ata luajnë, nuk arrij t’i dalloj, pasi mua më duken sikur kanë të gjithë të njëjtën moshë. Ajo që më pëlqen shumë është se çdo muzikant i orkestrës investohet 100 për qind. Dhe investimi personal i çdo njërit është maksimal. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Nëse do të krahasohemi me nivelin evropian, instrumentistët tanë ku gjenden?

Duke u nisur nga ajo çfarë kam dëgjuar në prova, për mua niveli është krejtësisht evropian. Janë artistë të shkëlqyer dhe jam shumë i sigurt për këtë që them.

Jeni cilësuar nga kritikët si një prej pianistëve më të mirë. A mund të na tregoni se cila është filozofia juaj?

Ajo çka është më e rëndësishme është mesazhi që ne duam të përçojmë. Ne, si instrumentë, jemi gjithmonë mbrapa kompozitorit. Ne thjesht interpretojmë bukurinë që tashmë kompozitori ka shkruar. Jam shërbëtor i muzikës, por nuk dua që muzika të më shërbejë mua në aspektin komercial.

Ju luani edhe nën dirigjimin e një prej artistëve tanë më të mirë, siç është Zhani Ciko, aktualisht drejtor i TKOB. Çfarë domethënie ka kjo për ju?

Për këtë, unë ndihem jashtë mase mirë. E them me plot gojën se për mua zoti Ciko është një dirigjent i madh dhe një muzikant shumë i mirë në të njëjtën kohë.

Si do ta gjykonit “lojën” e tij?

Është një personazh, i cili dirigjon jo thjeshtë për të luajtur duart, por në një mënyrë që koncepton frazën muzikale. Një gjë e tillë është shumë e rrallë. Duket që ai është një dirigjent që ka dirigjuar shumë vepra lirike. Chopin-i është një nga kompozitorët më lirik që unë njoh, ndaj edhe ka koinçiduar shumë mirë bashkëpunimi, e për këtë jam jashtë mase i kënaqur.

Po Shqipëria, si po ju duket?

Është e mahnitshme. Kemi dalë në mbrëmje dhe kemi prekur paksa jetën e Tiranës. Kam vënë re se edhe njerëzit e kryeqytetit janë të mrekullueshëm, duke përmendur këtu edhe femrat, të cilat janë shumë të bukura. Në tërësi e kam fjalën jo vetëm për aparencën e jashtme, por njerëzit këtu janë shumë të komunikueshëm dhe të sjellshëm. Ajo që më pëlqen dhe më ka bërë shumë përshtypje është mikpritja e njerëzve, menjëherë sapo kam shkelur në tokën shqiptare.

Me çfarë përshtypjeje do të ikni nga Shqipëria? Çfarë do ju tregoni miqve, kolegëve, të afërmeve për Shqipërinë?

Miqve, kolegëve të mi, së pari do t’iu bëj të ditur se në Tiranë ka vërtet një formacion shumë profesional. Kuptohet, se gjithmonë kualiteti i një formacioni muzikal varet shumë nga njerëzit që e përbëjnë atë dhe mbi të gjitha nga drejtuesit.

A do të vini më në Shqipëri?

Do ta mirëprisja një ftesë tjetër me shumë kënaqësi, flas për aspektin profesional. Ka shumë vepra të Chopin-it të cilat janë të përshtatshme për t’u luajtur nga një formacion si “Camerata e Tiranës”. Kështu dua të tregoj se ka shumë projekte që do të zhvillohen në të ardhmen, në bashkëveprim me këtë orkestër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›