E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, zihen për kullotat, qëllon me sëpatë bashkëfshatarin



Një 18-vjeçar u arrestua nga policia e Gjirokastrës, pasi goditi me sëpatë bashkëfshatarin e tij pas një sherri për motive pronësie. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në Luftinjë të Tepelenës. Sipas burimeve nga policia, autor i ngjarjes është Altin Vela, i cili goditi me sëpatë 20-vjeçarin Arjan Sinomati. Sherri ka lindur pas një konflikti të çastit për kullotat e bagëtive. Fjalët i kanë lënë vendin përplasjes fizike, ku 18-vjeçari ka marrë sëpatën dhe ka qëlluar ndaj Sinomatit. I riu ka marrë plagë në kurriz, ndërsa autori është larguar për t’u fshehur. Menjëherë shtetasi i plagosur është shoqëruar për në spitalin e Gjirokastrës nga disa bashkëfshatarë, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve rezultoi se sherri nisi teksa të dy këta shtetas ishin duke kullotur bagëtitë e tyre. Pas ngjarjes, autori u fsheh në pyllin e fshatit. Policia nisi kërkimet për të ndaluar autorin dhe e vuri atë në pranga në mesnatë. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, ku pritet të dalë përpara drejtësisë për të marrë masën e arrestit. 18-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›