E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me biznesin e vogël



Shqetësimi i kreut të qeverisë lidhur me vjeljen e taksës së biznesit të vogël është plotësisht i drejtë. Vetë komuniteti i biznesit është ankuar në asamblenë e Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë për vjeljen e këtij tatimi nga ana e bashkive, duke u bazuar në xhiron e vitit të mëparshëm. Kjo metodë është abuzive. Le të kemi parasysh një ushqimore në lagjen tonë. Mund të ketë një xhiro njëzet milionë lekë të vjetra në muaj. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit të kaluar (janar-shtator 2008) e ka pasur pak a shumë këtë xhiro, kryesisht nga blerjet e ushqimeve të përditshme prej komshinjve. Mirëpo me shpërthimin e krizës financiare botërore, disa shpenzime u ngushtuan. Vetë dyqanxhiu i bllokut tim të pallateve (ku unë banoj) më thoshte dje se ka pesë muaj që nuk shet dot më uiski. “Më parë shisja të paktën njëzet shishe në muaj. Tani nuk kam pse të furnizohem më, sepse më ka mbetur furnizimi i shtatorit të vitit të kaluar”. Me fjalë të tjera, jo vetëm ushqimoret, por në tërësi biznesi i vogël e ka ulur xhiron dhe shitjet/shërbimet e tij gjatë këtyre muajve. Pritet që ulja të vijojë gjatë gjithë vitit 2009. Nuk mundet që punonjësi i tatimeve të bashkisë t’i tatojë këto biznese duke u bazuar në xhiron e vitit 2008 (që ishte shumë më e mirë në tërësi, pra për pronarin e ushqimores rreth njëzet milionë lekë të vjetra në muaj), plus edhe një rritje rreth 10 për qind që mendon punonjësi! Sepse kjo nuk i përgjigjet realitetit. Duhet të ndryshohet procedura e vjeljes së tatimit mbi biznesin e vogël. Ata kryetarë bashkish që deklarojnë se po e ulin këtë tatim e kanë të kotë, për sa kohë procedura e vjeljes së tij do të bazohet mbi xhiron e një viti më parë, plus rritjen vjetore që biznesi ka pasur gjatë viteve të fundit. Pse për këtë vit nuk flitet për rritje vjetore, por për ulje vjetore, për shkak të krizës dhe faktit të thjeshtë, por të qartë si drita, se qytetarët tashmë nuk shpenzojnë më si më parë. Edhe po t’i kenë paratë, i ruajnë për “një ditë të keqe”. Kriza në të gjithë botën është në radhë të parë psikologjike dhe po ashtu kjo pasojë po ndihet edhe tek ne. Ndonëse në mënyrën më të lehtë se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Prandaj kryetarët e bashkive dhe i gjithë personeli i tyre tatimor duhet të bëjnë kujdes me biznesin e vogël. Vërtet qeveria qendrore e ka kaluar të drejtën e vjeljes së taksës për qindra e mijëra biznese të vogla të qyteteve tona, por kjo vjelje duhet të njohë kushtet ku po zhvillohet sipërmarrja. Vetë komuniteti i biznesit ka propozuar që organizimi i pagesës së tatimit për biznesin e vogël të bëhet duke parë në fund të vitit xhiron faktike. Sigurisht që kjo është e vështirë, përderisa mungojnë kasat regjistruese në shumicën e bizneseve tona të vogla dhe kontrollet fizike të vetë tatimorëve mund të keqpërdoren shumë lehtë për abuzim personal të nëpunësit të bashkisë që kontrollon. Por ama mund të nisë në bizneset e vogla që përdorin kasat, si për shembull kafenetë apo restorantet, apo farmacitë. Ndërsa detyra e punonjësve tatimorë të bashkive është që të sigurohen se këto kasa punojnë normalisht dhe gjatë gjithë ngarkesës ditore të punës. Pse ndodh shpeshherë (ndoshta në shumicën dërrmuese të rasteve) që kasat dhe faturat tatimore të tyre lëshohen vetëm sa për sy e faqe, në një nga njëqind klientë që lokali i biznesit të vogël i ka shërbyer. Këtu ndoshta duhet një bashkëpunim i sinqertë mes organeve tatimore të qendrës (të Ministrisë së Financave) dhe punonjësve tatimorë të bashkive. Pa parë dasi partiake. Kryeministri ka premtuar rishikimin e procedurës së vjeljes së tatimit mbi biznesin e vogël. Do të ishte në të mirë të punës që ky rishikim të merrte parasysh kërkesat dhe sugjerimet e vetë komunitetit të biznesit. Ndërsa vëmendja dhe kontrolli i organeve tatimore lypset të jetë maksimal dhe në të gjithë gamën e bizneseve të vogla, pavarësisht se ushtron kontrollin qeveria qendrore apo qeveritë vendore. Prandaj dhe vetë kryetarët e bashkive që nxituan të shprehen se nuk e kanë rritur, përkundrazi, ulur taksën mbi biznesin, duhet të marrin parasysh këtë kërkesë urgjente: ndryshimin e vjeljes së tatimit mbi biznesin e vogël. Sa më shpejt ta marrin parasysh këtë (urojmë pa syze apo pasione partiake), aq më mirë do të jetë për klimën e të bërit biznes tek ne.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›