Shërbimet konsullore do të kryhen vetëm me postë
/>Duke filluar nga data 26 janar 2009, shtetasit shqiptar që jetojnë jashtë vendit do të kryejnë shërbimet konsullore vetëm nëpërmjet shërbimit postar. Ministria e Punëve të Jashtme urdhëroi dje, të gjitha përfaqësitë shqiptare jashtë vendit, ambasadat dhe konsullatat shqiptare, që, prej 26 janarit 2009, të gjitha veprimet konsullore në shërbim të shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar dhe pagesat për të gjitha shërbimet e ofruara do të kryhen vetëm nëpërmjet sistemit bankar.
Nga ky rregull përjashtohen vetëm aplikimet për pasaportë, nënshkrimi i prokurave dhe aplikimi për viza, për të cilat aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit. Kjo masë, duke shmangur kontaktin fizik me personelin e përfaqësive shqiptare jashtë vendit, ka për qëllim rritjen e transparencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimit si dhe eliminimin e çdo mundësie abuzimi duke u gjendur kështu më pranë nevojave të shtetasve shqiptarë.