“Shërbimet në natyrë”, abuzimet e partive, PD refuzon pyetësorin
Albert Gjoka
“Shërbimet në natyrë”, që kompani të ndryshme kanë dhënë për partitë politike në zgjedhje, u shpëtojnë procesit të deklarimit dhe monitorimit të transparencës së financimeve të subjekteve gjatë fushatës. Ky detaj është bërë i ditur në raportin monitorues të Qendrës së Studimeve Parlamentare, e cila dje publikoi konkluzionet paraprake të nivelit të transparencës financiare të dy subjekteve politike kryesore në vend në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ekspertët e kësaj qendre konstatojnë mangësi të theksuara të kuadrit ligjor, të cilat lënë shteg për shmangie të deklarimit të financimeve. Monitorimi doli vetëm pak javë pas dorëzimit të burimeve të financimeve nga subjektet politike në KQZ. Gjatë procesit të përgatitjes së monitorimit, drejtuesit e QSP thonë se Partia Demokratike iu shmang plotësimit të pyetësorit që i është paraqitur për këtë çështje, ndërsa PS-ja nuk i përmbushi të gjitha kërkesat. Ata theksojnë se kërkesa e bërë nga Qendra nuk përbën detyrim ligjor për subjektet, por do të ishte e vlerësueshme nëse ata do të ishin transparent edhe ndaj kërkesave që u vijnë nga shoqëria civile.
Skema e fshehjes
Në jo pak raste ka ndodhur që gjatë fushatës, makinat e pjesëmarrësve nëpër mitingje të furnizoheshin me karburant në pikat e tregtimit pa paguar para, por duke marrë thjesht një faturë. Aktivitetet janë bërë nëpër salla apo mjedise shtetërore dhe private pa pasur kosto. Koncertet, posterat apo reklamat për partitë janë bërë pa nxjerrë asnjë kacidhe nga buxheti i tyre. Të gjitha këto konsiderohen “shërbime në natyrë”, për të cilat një ditë partia që vjen në pushtet do të jetë e detyruar moralisht që t’i shpërblejë. Këto lloj shërbimesh është e pamundur që të identifikohen dhe të bëhen transparente te subjektet politike gjatë periudhave zgjedhore, dhe kjo ndodh edhe për shkak të vakuumit ligjor te ligji “Për partitë politike” apo Kodi Zgjedhor. Pikërisht ky detaj është vënë në pah nga raporti monitorues i Qendrës së Studimeve Parlamentare. “Gjetjet empirike dëshmojnë se partitë politike janë në gjendje të përfitojnë shërbime në natyrë, të cilat, falë intensitetit të fushatës zgjedhore, bëhen të rëndësishme në vlerë dhe mbesin të padeklaruara dhe të pallogaritshme në nivel kontabël edhe nga kontrolli i auditit”, - thuhet në deklaratën zyrtare të QSP-së. Drejtuesit e projektit kanë marrë në shqyrtim një rast konkret: “Nëse merr në natyrë shërbimet e fonisë për të bërë një koncert, duke llogaritur vlerën prej 400 eurosh për një aktivitet të tillë, në 100 aktivitete elektorale, kostoja në total arrin 40 mijë euro”. Sipas raportit monitorues, “këto financime të padukshme janë të prira që të vijnë nga subjekte tregtare private që vetë ligji, përmes klauzolës së konfliktit të interesit, i pengon të përfshihen në donacione direkte në favor të subjekteve politike”. “Kjo klauzolë i shtyn drejt veprimeve klandestine palët e interesuara që të ndërveprojnë në periudha elektorale dhe që mund të shkëmbejnë favore, jo legjitime pas përmbylljes me sukses të procesit të sponsorizuar zgjedhor”, - thekson raporti.
Një tjetër detaj interesant i konstatuar në procesin e monitorimit të transparencës së financimit të subjekteve gjatë zgjedhjeve është edhe fakti se “mungojnë të ardhurat e mbledhura nga degët e partive në rrethe”.
Problemet
“Financimi nuk është subjekt i rregullimit ligjor në ligjin për partitë politike”, - thonë ekspertët e Qendrës. Sipas tyre, “interesi publik për garantimin e transparencës në fazat e para dhe gjatë fushatës kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme të rrugëve të financimit të partive politike, të cilat mund të grumbullojnë të ardhurat e tyre gjatë viteve jozgjedhore”. Por, një gjë e tillë është e pamundur që të bëhet. Në kushtet e një praktike shumë të dobët të rregullimit ligjor të transparencës financiare të subjekteve politike, del i nevojshëm një penalizim më i fortë në rastet e shkeljes së ligjit, i tillë që i njeh përgjegjësitë individuale dhe tejkalon thjesht kostot financiare, të cilat lehtësisht mund të mbulohen nga subjekti në tërësi. “Ky penalizim duhet të përfaqësojë një shumëfishim të devijimit financiar të kryer në raportimin e bilancit nga vetë subjekti, ndërsa duhet të konsiderojë ndaj punonjësit të financës dhe kontabilistit të certifikuar përgjegjësi penale individuale nën akuzën e krimit ekonomik, me pasoja të rënda shoqërore dhe të korrupsionit pasiv”, - theksojnë hartuesit e raportit monitorues. QSP, me mbështetjen e fondacionit “SOROS”, përmbylli dje fazën e dytë të monitorimit në vlerësimin e zbatimit të detyrimeve ligjore prej partive politike në lidhje me transparencën e financimeve jopublike gjatë fushatës së zgjedhjeve. Raporti do të publikohet në ditët në vijim. Nëse konstatohen shkelje në deklarimin e të dhënave financiare, sipas Kodit Zgjedhor, subjekti ndëshkohet me gjobë nga 50-100 mijë lekë. Pas deklarimit të shumave të përdorura gjatë fushatës, tani KQZ-ja po merret me procesin e verifikimit të tyre, i cili përfundon në janarin e vitit të ardhshëm.
DEKLARIMET
(Buxheti i shtetit + donatorët privatë)
PD-ja ka shpenzuar 157 054 067 lekë
PS-ja ka shpenzuar 101 746 870 lekë
LSI-ja ka shpenzuar 22 889 831 lekë
PDK-ja ka shpenzuar 1 946 975 lekë
PR-ja ka shpenzuar 13 147 971 lekë
PBDNJ-ja ka shpenzuar 7708921 lekë
G99-a ka shpenzuar 5352801 lekë
PSD-ja ka shpenzuar 6821852 lekë
PAD-ja ka shpenzuar 10484814 lekë (propozim për gjobë nga KQZ)
Shuma e shpenzuar nga partitë politike është 366 599 376 lekë
12 Dhjetor 2009