E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e sistemit bankar në Greqi, emigrantët të pasigurt



Ervin KOÇI

Ekonomia dhe sistemi bankar në shtetin fqinj Greqinë, kanë hyrë kohët e fundit në vështirësi të mëdha likuiditeti. Kjo ka ardhur si pasojë e borxheve të mëdha që ka vendi, por dhe e mungesës së parasë në ekonominë e vendit. Situata ka precipituar shpejt sidomos gjatë muajit të fundit, ku përveç sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, në vështirësi janë ndjerë edhe bankat e shtetit helen. Kjo situatë ka sjellë në të njëjtën kohë frikë dhe pasiguri edhe tek emigrantët e shumtë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend anëtar të BE-së. Këta të fundit në jo pak raste kanë nxituar nëpër banka për të tërhequr kursimet e tyre, por janë gjendur përball faktit të moslikujditetit. Shumë banka në shtetin helen, nuk kanë pranuar që t’u kthejnë shtetasve të huaj kursimet e tyre në CASH, por kanë pranuar që të ndërmjetësojnë vetëm në ato raste kur ata kërkojnë të blejnë prona, mallra ose shërbime me kompanitë ose subjektet që i ofrojnë ato. Dhimitër D. një emigrant shqiptar nga Berati që jeton dhe punon në kryeqytetin grek Athinë, i pyetur nga gazeta “Albania” thotë se, këto ditë ai dhe shumë bashkëkombës të tij, janë gjendur përballë faktit të mos tërheqjes së parave nga bankat. “Kam shkuar në bankë për të tërhequr një pjesë të kursimeve të mia, pasi dua të kryej disa shpenzime për fundvit, por në sportelin e bankës më kanë thënë se nuk mund të më likuidonin pasi nuk kishin para për momentin. I kam pyetur se sa duhet të prisja, por nuk kam marrë asnjë përgjigje, ndërkohë që menaxheri i bakës ku i kam mbyllur paratë më kontaktoi dhe më tha se nëse duhet të blej ndonjë send ose shërbim, ai mund të kontaktonte me kompaninë dhe të ma mundësonte marrjen e çdo lloj malli ose shërbimi nëpërmjet bankës”. Sipas Dhimitrit, ai por dhe shumë shqiptarë të tjerë që mendojnë të kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit, e kanë të pamundur që të tërheqin të hollat e tyre nga bankat. Situata ndërkohë vijon të jetë e vështirë për shtetin helen, gjë e cila është pranuar edhe nga qeveria greke.

Situata
“Nëse Greqia nuk eliminon borxhet, atëherë janë ato që do ta eliminojnë atë”. Ka qenë vetë kryeministri aktual Jorgos Papandreu, i cili përmes një deklarate publike bërë dy ditë më parë ka ngritur shqetësimin dhe alarmin, se efektet e krizës financiare në këtë vend, rrezikojnë sovranitetin kombëtar. “Greqia duhet ta çrrënjosë borxhin, në të kundërt borxhi do ta eliminojë vendin”, - ka thënë fjalë për fjalë Papandreu, pas komenteve shqetësuese nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian mbi treguesit ekonomikë regresivë të Greqisë. Asnjëherë një kryeministër grek nuk ka folur me nota kaq alarmante për sa i përket treguesve ekonomikë. Komisioni Evropian, në takimin e fundit paraqiti me shqetësim të dhënat negative për ekonominë që vinin nga një vend i zonës së euros, siç është Greqia. Sipas të dhënave zyrtare, deficiti publik i Greqisë pritet të rritet për afro 13 për qind këtë vit, prandaj qeveria greke ka njoftuar marrjen e masave radikale për daljen sa më parë nga kriza. Banka Qendrore Europiane ka paralajmëruar Greqinë se ka vetëm një vit kohë për të rimarrë në kontroll financat publike, përndryshe fondet e vendit fqinj nuk do të mund të përdoren nga bankat si kolateral për të marrë borxhe nga kjo Bankë. Presioni mbi qeverinë socialiste të Athinës po shtohet ndjeshëm vetëm pak ditë pasi u mësua se buxheti i saj ishte në gjendje tepër të keqe.
Ndikimet
Por kriza financiare në Greqi, mund të sjellë ndikime edhe mbi sistemin bankar shqiptar. Katër banka greke kanë filialet e tyre në vendin tonë. Një situatë e vështirë e bankës mëmë, mund të detyrojë degët e tyre që operojnë në vendin tonë që të çojnë fitimet por edhe kapitale të tjera atje, për të kapërcyer krizën. Në anën tjetër, megjithë përmirësimet e kuadrit ligjor, Banka e Shqipërisë e ka të pamundur që të kontrollojë të gjitha transaksionet e këtyre bankave drejt vendit fqinj.
Gjatë tetorit të vitit të kaluar por edhe rreth 6 vjet më parë, ka pasur rrjedhje të mëdha të depozitave, për shkak të konjukturave të bankave në Greqi për të thithur sa më shumë depozita.

Plani emergjent

Plani shtetëror për shkurtimin e deficitit publik do të paraqitet nga kryeministri grek Jorgos Papandreu javën e ardhshme, pas takimit me sindikatat. Lajmin e bën të ditur një eksponent i qeverisë që preferon të ruaje anonimatin. “Kryeministri do të paraqesë një plan stabiliteti dhe rritjeje të ekonomisë me angazhime konkrete pasi të jetë takuar me shtresat sociale ditën e hënë”, ka deklaruar burimi. Vetë Papandreu kishte bërë të ditur më parë se synon ta reduktojë deficitin nën kuotën 3 për qind të GDP-së brenda katër vjetëve. Nga ana tjetër kryeministri grek Papandreu, ka përjashtuar mundësinë që qeveria të kërkojë ndihmë nga FMN-ja për të kaluar krizën financiare në të cilën ndodhet vendi. Një ditë pas disa deklaratave të forta mbi të ardhmen e vendit, kreu i qeverisë Greke deklaroi dje me tone më të zbutura se, “Greqia nuk rrezikon një dështim në pagimin e detyrimeve”. Papandreu ka deklaruar se shpresohet që të shkurtohet deficiti aktual i 12.7 përqindëve të PBB-së me të paktën 3- 4 për qind në 2010-ën.

BE refuzon ndihmën, Greqia të dalë vet nga kriza

Krerët më të lartë të Bashkimit Europian kanë theksuar dje se, “BE-ja nuk është e gatshme, të paktën për momentin, për të miratuar një ndihmë financiare për Greqinë”.
Sipas kryeministrit suedez, Fredrik Reinfeld, “gjendja financiare e Greqisë është problem i brendshëm i saj, për zgjidhjen e të cilit duhet të sillen vendime nga brenda”. Por zyrtarët më të lartë evropian janë të mendimit se, Greqia ka për të dalë me siguri nga kriza e rëndë ekonomike nëse zbaton këshillat e vendosura nga BE-ja dhe prioritetet që i ka vënë vetes. Këto mendime ata i kanë shprehur në takimin që kanë zhvilluar me përfaqësuesit e delegacionit grek në Bruksel, të kryesuar nga kryeministri Jorgos Papandreu. Ndërsa vetë kryeministri aktual grek, Jorgos Papandreu, përmes një deklarate publike ka ngritur shqetësimin dhe alarmin në të njëjtën kohë se, efektet e krizës financiare në këtë vend rrezikojnë sovranitetin kombëtar. “Nëse Greqia nuk eliminon borxhet, atëherë janë ato që do ta eliminojnë ato”,- tha ai. Qeveria e re e kryesuar prej Papandreut ka njoftuar se këtë vit deficiti buxhetor do të jetë shumë më i lartë nga ai që pritet dhe do të arrijë në rreth 12,7 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›