E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi i biznesit shqiptaro-turk, të pranishëm presidentët Topi dhe Gyl



“Kompanitë turke janë të mirëpritura të investojnë në Shqipëri”. Kjo ka qenë ftesa që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka drejtuar përfaqësuesve të biznesit turk në forumin e biznesit që u mbajt në Tiranë dhe ku i pranishëm ka qenë edhe kreu i shtetit turk, Presidenti Abdullah Gyl. “E kanë dhënë provën shumë kompani turke, kompani të tjera nga vende të tjera. Ne ju ofrojmë sërish të vini në Shqipëri, të investoni, duke pasur konfidencën e plotë të komunikimit, duke pasur sigurinë, duke pasur dashamirësinë që mbi bazë edhe të politikave fiskale, të politikave të cilat do të jenë afatgjata, te jepni mundësi që miqësia dhe ekonomia e dy vendeve tona të rritet dhe të jetë e garantuar për popullin turk dhe për popullin shqiptar”,- tha Topi. Ndërsa homologu i tij turk, tha se “marrëdhënieve të shkëlqyera politike mes dy vendeve tona janë të gjithë mundësitë t’u bashkëngjiten edhe shkëmbimet ekonomike. E në këtë drejtim një peshë edhe më të madhe mund të kenë investimet e sipërmarrësve tanë në vendet respektive. Kompanitë turke janë mjaft të pranishme në tregun shqiptar siç është rasti i telefonisë, bankave, prodhimit të hekurit etj. Forume të ngjashme biznesi mes dy vendeve janë zhvilluar çdo vit”.

Ndotja e ambientit, Bullgaria "varros" projektin Burgas-Aleksandropulos

Qeveria e Bullgarisë pezulloi për 18 muaj fillimin e punimeve në naftësjellësin Burgas-Aleksandropulos, një projekt ky i mbështetur fuqimisht nga Rusia dhe Greqia, duke justifikuar vendimin e vet me "mungesën e një studimi ambiental". Media vendëse njofton se qeveria vendosi t‘i japë një vit e gjysmë kohë Ministrisë së Ambientit të kryejë studimin e impaktit ambiental, gjë që solli pezullim të planeve për fillimin e punës ndërtimore në terren. Qeveria e re e Bullgarisë që doli nga zgjedhjet e fundit, i ka shpallur luftë të hapur këtij projekti duke e konsideruar atë si të paleverdishëm për vendin. Marrëveshja që Bullgaria ka nënshkruar në vitin 2007, nuk i jep mundësi tërheqjeje nga projekti e për pasojë, qeveria po gjen arsye për ta bllokuar. Burgas-Aleksandropulos është një projekt që synon t‘i japë Rusisë kontrollin faktit të rrugëve të nxjerrjes në tregun ndërkombëtar të një pjese të naftës së basenit të detit Kaspik. Projekti synon të shmangë ngushticën e Bosforit, e cila konsiderohet si tepër e ngushtë për të kaluar të gjitha anijet e nevojshme me naftë. Projekti u iniciua në vitin 1993 si një alternativë ndaj naftësjellësit AMBO që qe mbështetur nga disa kompani amerikane. Rusia zotëron 51 për qind të aksioneve të Burgas-Aleksandropulos ndërsa Greqia e Bullgaria zotërojnë pjesën tjetër.
Rusia duket se ka një alternativë tjetër. Pak muaj më parë, Moska nënshkroi me Ankaranë marrëveshjen e mirëkuptimit për të ndërtuar një naftësjellës tjetër që duhet të kalojë përmes territorit të Turqisë dhe të lidhë Detin e Zi me Detin Egje.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›