E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishja e objektit 12-katësh, Inspektorati, indiferent ndaj thirrjes së Gjykatës



Laureta Rryçi

Drejtues të Inspektoratit të Ndërtimit janë treguar indiferentë ndaj padisë së biznesmenit Ilir Mata. Me gjithë deklaratat e bujshme se objekti është i paligjshëm dhe duhet të shembet, duket se Inspektorati nuk ka dhe aq shumë argumente sa për t’u përballur edhe në Gjykatë. Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës nisi shqyrtimin e kërkesës së biznesmenit Ilir Mata për pezullimin e prishjes së objektit 12-katësh në Tiranës. Katër ditë pas tentativës për prishjen e këtij objekti në qendër të Tiranës, pronë e biznesmenit Ilir Mati, gjyqtarja Arjana Caco nisi shqyrtimin e padisë së bërë prej tij. Përballë presionit të Inspektoratit, Mata u detyrua të padisë Inspektoratin e Lartë të Ndërtimit dhe në të njëjtën kohë t’i kërkojë Gjykatës pezullimin e veprimit të këtij Inspektorati në mënyrë që të mos i shembej godina që është pjesë e pronës së tij. Në seancë, gjyqtarja Arjana Caco, pasi bëri apelin e palëve, vërejti se nuk ishte e pranishme në gjyq pala e paditur, Inspektorati i Ndërtimit. Nga ana e saj, pala paditëse ka paraqitur në Gjykatë provat, mes të cilave edhe dokumente për objektin që sipas Matës e ka lejen e ndërtimit të marrë që në 2001-shin. Gjykatësja Caco e shtyu procesin për të premten e ardhshme.
Shembja e pallatit 12-katësh, pronë e kunatit të deputetit socialist Dashamir Peza, nisi në fillim të javës dhe gjatë konfliktit forca të shumta të policisë së rendit rrethuan objektin në kohën që fadromat e Inspektoratit shkatërruan pjesë të tri kateve të para të ndërtesës.
Padia
Mata depozitoi padinë civile tri ditë më parë bashkë me avokatët e tij në Gjykatën e Tiranës. Ai, nëpërmjet këtij veprimi ligjor kërkonte pezullimin e urdhrit të Inspektoratit Ndërtimor. Duke qenë se të tilla padi, për shkak të pasojave, duhet të gjykohen brenda një kohe të shkurtër, kërkesa iu nënshtrua shortit në të njëjtën ditë duke përcaktuar si gjyqtare Arjana Caco për ta gjykuar këtë kërkesë. Kjo e fundit tashmë ka përcaktuar të premten e javës që vjen për të vendosur nëse qëndron pretendimi i biznesmenit, ose argumentet që ka përdorur Inspektorati për të prishur objektin.
Dosja
Pretendimet e Inspektoratit Ndërtimor dhe të ministrit të Transporteve Sokol Olldashi ishin se 12-katëshi ishte objekti i paligjshëm dhe për arsye ndaj tij ishte marrë urdhri për prishjen. Ndërkohë, tjetër pretendim ka pasur biznesmeni Mata, i cili, në një prononcim për mediat, bëri publik të gjitha dokumentacionet që, sipas tij, vërtetojnë se ngritja e godinës është në përputhje me ligjet. Ai shpjegoi se 95 për qind të tokës e kishte blerë në vitin 1999, ndërsa 5 për qind të saj e ka marrë me qira po atë vit. Më pas ai shpjegoi se e ka hipotekuar në vitin 2005, duke e kthyer tërësish në një objekt të ligjshëm. "Kjo tokë është hipotekuar më 15.09.2005 me firmë të kryeministri Fatos Nano. Jam pronar i tokës. Kam lejen e ndërtimit dhe lejen e sheshit të ndërtimit. Kam gjithashtu edhe vendimin e KKRTSH-së së Shqipërisë", - u shpreh Mati. Sipas tij, vendimi për ndërtimin e tunelit për kalimin qytetarëve u rrëzua nga KKRTSH-ja dhe më pas nga Gjykata e Apelit. Ai theksoi se këtë çështje e hetoi edhe Prokuroria dhe kërkoi pushimin e saj. Mata e komentoi si të çuditshëm vendimin për prishjen e objektit. “Kam lejen e ndërtimit, lejen e sheshit të ndërtimit, vendimin e KRRTRSH-së së Shqipërisë. Do të thotë që ky objekt është i pajisur me leje si shumë pak objekte të tjera në Republikën e Shqipërisë”, - deklaroi Mata, duke shtuar se dokumentet mbanin firmën e kryetarit të Bashkisë Edi Rama dhe të vetë kryeministrit Sali Berisha. Mati vazhdon më tej dhe dokumenton se prokuroria kishte pushuar padinë e ministrit Olldashi bërë në vitin 2007 në lidhje me këtë çështje. Kunati i deputetit socialist Dashamir Peza, pronar i godinës së cilës i është shembur fasada e tri kateve të para, thotë se nuk ka bërë ende vlerësimin e dëmit, por ka besim se do të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar për këtë padrejtësi. “Dëmin ende s’e kam vlerësuar. Por besoj te drejtësia se do të ma paguajë dëmin. Unë i jam drejtuar gjykatës për shkeljen që më është bërë”, deklaroi tri ditë më parë biznesmeni. Pronari i pallatit 12-katësh deklaroi se do të ndjekë vetëm rrugën ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndaj i është drejtuar gjykatës. Ai tha se ende nuk ka bërë vlerësimin e dëmit në objekt.

Krimet e Rënda, pretencë për së dyti për Emiljano Shullazin
Prokurorët e Krimeve të Rënda do të përgatisin për të dytën herë konkluzionet përfundimtare për procesin penal ndaj Emiljano Shullazit dhe Ervin Ferhatit. Procesi i rinisur për së dyti pas vendimit të Gjykatës së Lartë dje është mbyllur nga kolegji penal i Gjykatës për Krimet e Rënda, duke u dhënë disa ditë kohë përfaqësuesve të akuzës të caktojnë vitet e burgut për secilin të pandehur. Në pretencën e parë prokurorët kërkuan nga 13 vite burg për dy të pandehurit. I njëjta masë dënimi u pranua dhe nga të dyja shkallët e gjykatave për Krimet e Rënda, ndërsa u prish nga Gjykata e Lartë. Dy të pandehurit, sipas prokurorisë, janë drejtues dhe financues të organizatës, e cila funksiononte me dy nëngrupe të veçanta në Itali, me korrierë kroatë dhe kosovarë, si dhe një furnizues turk. Për këtë organizatë, sipas përfaqësueses së akuzës, policia italiane ka organizuar përgjatë viteve 2004 -2005 disa operacione, duke sekuestruar sasi të shumta heroine dhe duke arrestuar 9 bashkëpunëtorë të drejtuesve, dy prej të cilëve, Emiliano Shullazin, i prezantuar në narkotrafik me emrin Anton Nikolli dhe Ervin Ferhatin, i njohur si Ergys Ferhati. Duke përmendur 72 përgjimet telefonike, prokurorja tha se vërtetohet plotësisht mënyra si trafikantët organizoheshin për shpërndarjen dhe shitjen e heroinës në merkaton italiane. Nëpërmjet korrierëve të arrestuar nga italianët, Branko Govedarovich, Strago Zagoi dhe kosovarit Nevzdet Haziri, të pandehurit kanë trafikuar në total rreth 150 kilogramë heroinë dhe përzierës, të ndarë në dërgesa me 10-15 kg. Korrierët drejtoheshin me telefon nga të pandehurit dhe kryenin dorëzimin e heroinës më së shumti me makina me targa kroate, por edhe me biçikleta.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›