Ish-ushtarakët, si mund ta rifitojnë pensionin në Gjykatë
Laureta Rryçi
Ish-ushtarakët tashmë e kanë një rrugëzgjidhje për të rifituar pensionin e mohuar ndër vite. Një padi civile në Gjykatën e Tiranës, e përpiluar me kërkesat e duhura, rezulton e suksesshme për të rifituar të drejtat e mohuara. Një ndër paditë më të plota të depozituara vetëm pak kohë më parë nga një ish-ushtarak është edhe ajo që ka depozituar Kadri Muka. Në të janë përfshirë pesë kërkesa kryesore që, sipas tij, u janë mohuar nga qeveritë dhjetëra e qindra ushtarakëve. Ish-ushtarakët që duan t’i drejtohen Gjykatës për të paditur qeverinë për pensionin e padrejtë që përfitojnë, së pari duhet të përgatisin kërkesë-padinë. Gazeta “Albania”, për t’iu atyre ardhur në ndihmë, po boton në numrin e sotëm pesë kërkesat që duhet të përmbajë padia duke u bazuar në padinë e dorëzuar nga ish-majori i Ushtrisë Shqiptare, Kadri Muka, i cili ka dalë në lirim në vitin 1994.
Kërkesat
Ish-majori, në kërkesëpadinë drejtuar trupit gjykues, ka parashtruar jo vetëm kërkesat e tij, por edhe ka argumentuar se çfarë trajtimi për pension meriton sipas ligjit. Sipas tij, falë këtij argumentimi juridik, trupi gjykues nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Moszbatimi i ligjit për trajtimin e ish-ushtarakëve ka bërë që secili prej tyre t’i bëjë një padi individuale në gjykatë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas Mukës, drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore, duke filluar nga ai i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe deri tek ata të drejtorive rajonale, lidhur me trajtimin e ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie, me veprimet e mosveprimet e tyre, kanë asimiluar një sërë veprash penale.
Baza ligjore
Për t’iu drejtuar gjykatës këta ushtarakë duhet të bazohen në të drejtën që të jep ligji. Kodi i Procedurës Civile njeh të drejtën e kërkesë-padive individuale, por edhe në grup. Madje, sipas tij, kur është i njëjti objekt kërkesë-padie dhe e njëjta bazë ligjore, bëhet bashkimi i padive dhe unifikimi i vendimit të gjykatës për të drejtën e fituar. Gjithashtu, ligji i njeh të drejtën shtetasit që i drejtohet gjykatës që të mbrohet individualisht ose me avokat. Kjo varet nga dy faktorë. E para, nga mundësia për të mbrojtur kërkesë-padinë dhe e dyta nga mundësia financiare. Kur personi e gjykon se është i aftë të vetëmbrohet, nuk ka pse të kërkojë avokat. Kostoja për një proces të tillë është mbulimi i shpenzimeve gjyqësore dhe tarifa që do përcaktojë avokati që do të zgjidhet për të mbrojtur të drejtat e mohuara nga ish-ushtarakët.
Box
PESË KËRKESAT QË DUHET TË PËRMBAJË PADIA PËR ISH-USHTARAKËT
Detyrimin e palës së paditur (Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Tiranë), për:
1. Të më lidhur pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data e daljes në lirim, 01.09.2004 sipas Nenit 35 të Ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe Nenit 13 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Të më rillogarisë dhe të më paguajë shumën që rezulton nga diferenca e trajtimit me pagë kalimtare me masën e pensionit sipas Nenit 13 dhe 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” nga data 01.09.2004 deri me datë 01.09.2006.
3. Të më rillogarisë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi që më ka lidhur nga data 01.09.2006 e deri më sot, në bazë të Nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të Nenit 14, të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar dhe të paguajë diferencën ndërmjet masës së pensionit të rillogaritur dhe masës së pensionit që më ka dhënë gjatë kësaj periudhe.
4. Të vazhdojë trajtimin me pension të parakohshëm sipas Nenit 3 dhe pikës 1 e 2 të Nenit 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20. 05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” derisa masa e pensionit të mos ketë pësuar rritje për shkak të ndryshimeve në Ligjin e mësipërm.
5. Të më japë shtesat e përvitshme të pensionit të parakohshëm në masën e ndryshimit të pagës referuese siç përcaktohet në Nenin 27 pika 2 e Ligjit Nr. 9418, datë 20. 05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
12 Dhjetor 2009