E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Kukës-Morin përfundon në 2011-n, kontratës i shtohen dhe 10 milionë dollarë



Rruga Durrës-Kukës nuk është vetëm pjesa Rrëshen-Kalimash, aq e përfolur për koston e lartë, dyshimet mbi kontratën etj. Pas shumë debatesh për gjerësinë e rrugës, qeveria vendosi zgjerimin e saj sipas linjës Rrëshen-Kalimash, që është me 4 korsi. Sikurse mësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në muajin korrik 2009 u zhvillua tenderi me vlerë rreth 10 milionë dollarë, ku fitues u shpall një bashkim firmash shqiptaro-sllovene. I gjithë procesi i punës lidhet me dublimin e urave, pjesa e Lotit II në aksin e Morinit, për shkak se qeveria vendosi zgjerimin e rrugës me katër korsi. Dy urat (243 dhe 400 metra) që do të zgjerohen ndodhen në një terren të vështirë, kryesisht malor, në kuotat 353 metra mbi nivelin e detit. Ura më e madhe në segmentin Kukës-Morin është ajo pranë ish-uzinës së bakrit në Rexhepaj, rreth 400 metra e gjatë dhe 50 metra e lartë. Sipas kontratës të lidhur në muajt e fundit, punimet duhet të përfundojnë brenda 18 muajve, që përkojnë me janarin e vitit 2011. Deri tani është ngritur kantieri, kryesisht zyra, spostim dhe ndërtim linjash elektrike, si dhe kanë nisur disa gërmime në lumin Luma. Specialistët e firmës ndërtuese janë duke pritur analizat e karrierave, ku do të merret materiali bazë për prodhimin e betonit, si dhe certifikatat e cilësisë. Për vitin që vjen, Ministria e Punëve Publike ka planifikuar rreth 2 milionë dollarë fonde vetëm pjesën e Lotit II, ku janë dy urat, kurse për të gjithë aksin Kukës-Morin janë planifikuar rreth 12 milionë dollarë.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›