E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimet shëndetësore vendosen edhe në mjedise private

Mjeku, i pranishëm në çdo komunë, nis shpërndarja e medikamenteve të ardhura nga Ministria e Shëndetësisë

Shërbimi Shëndetësor, ashtu siç edhe është urdhëruar nga krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, vazhdon 24 orë, shërbim i cili mbështetet nga një mjek dhe një infermiere. Ai ofrohet në të gjitha zonat e përmbytura apo të izoluara nga uji, shpeshherë duke u ndihmuar me varka nga forca të ushtrisë apo policisë. Sipas të dhënave të ofruara, nuk ka rritje të sëmundshmërisë. Konkretisht, në zonën më problematike, atë të Dajçit, ka shkëputje komunikimi me rrugë tokësore; në mes Dajçit-qendër dhe Pentarit, si dhe mes Dajçit-qendër dhe Mushanit, për shkak të çarjes së argjinaturës dhe, për pasojë, banorët e këtyre zonave janë të izoluar. Rruga që nga fshati Trush, komuna Bërdicë deri në Dajç është e pakalueshme me rrugë tokësore. Mjeku ofron shërbim shëndetësor nga fshati në fshat me varka, megjithatë personeli i mesëm është i pranishëm në çdo fshat. Edhe në komunën Ana e Malit vazhdon shërbimi 24 orë, në qendrën shëndetësore Oblikë, sipas një grafiku, janë angazhuar edhe mjekë të qendrave shëndetësore të zonave të tjera. Shërbimi vazhdon 24 orë edhe në komunën Guri i Zi, Bërdicë, ku në këtë të fundit vazhdon shërbimi në një mjedis privat, pasi ambulancat janë të përmbytura ose të izoluara nga uji. Në këtë zonë ka edhe një rritje të lehtë të sëmundshmërisë dhe kryesisht janë probleme të rrugëve respiratore. Edhe në Velipojë vazhdon shërbimi shëndetësor 24 orë dhe e njëjta situatë paraqitet edhe në dy lagjet që ndodhen buzë lumit Drin, përkatësisht lagjja Bahçallëk dhe Ajasem. Nga ana e Emergjencave Civile janë marrë të gjitha masat që shërbimi shëndetësor të mos mungojë në asnjë familje dhe për asnjë banor, ndërkohë që tek-tuk janë vërejtur probleme të vogla shëndetësore në fëmijë apo të rritur. Ndërsa, për sa i përket vaksinimit të fëmijëve romë të strehuar pranë repartit ushtarak Rencë, gjatë ditës janë vaksinuar 41 fëmijë të moshës deri në 10 vjeç me pentavalente. Gjithashtu, janë magazinuar, sistemuar dhe ka filluar shpërndarja e medikamenteve të ardhura nga Ministria e Shëndetësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›