E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji vërshon Klinën

Pak ditë pasi që uji ka mbushur fshatrat e qytetet veriore të Shqipërisë, tashmë pamjet e njëjta pothuajse kanë filluar të shihen në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Fshati Volljakë i Klinës duket që është vendi që ka pësuar më së shumti nga vërshimet.

Restorantet e këtij fshati të ndërtuara te vendi i quajtur Guri i Zi, të cilat gjatë muajve të verës shtojnë fitimet e tyre falë bukurive që u ofron Drini i Bardhë, i njëjti lumë gjatë këtyre ditëve u ka shkaktuar telashe të mëdha.

Megjithatë, edhe pse vërshimi i këtij lumi është pothuajse i përvitshëm, pronarët e këtyre restoranteve pohojnë se kjo është hera e parë të ketë ndodhur një vërshim i tillë.

“Shiu ka filluar të bjerë të enjten. Nuk e kemi pritur se do të ketë përmbytje kaq të mëdha, i tërë restoranti dhe kopshti kanë qenë të mbushur me ujë. Nuk kishim se si ta ndalim përmbytjen, por për fat tashmë koha ka filluar të ndreqet dhe uji ka filluar gradualisht të bjerë në shtrat të lumit”, thotë pronari i motelit “Drini”, Sylë Berisha.

Ai pohon se nga këto vërshime ka pësuar dëme materiale me vlerë prej rreth 15 mijë eurosh.

“Më është prishur ngrohja qendrore, motori i hidroforit, rrethoja e kopshtit e shumëçka tjetër. Uji për fat të mirë nuk ka arritur të hyjë shumë në sallën e restorantit tim, sepse kam angazhuar 20 punëtorë, të cilët gjatë tërë natës kanë larguar ujin nga salla”, thotë pronari Berisha.

Sipas tij, një fatkeqësi e tillë nuk do të ndodhte po që se shtrati i këtij lumi do të rregullohej me kohë. Për këtë ai fajëson udhëheqësit komunalë të Klinës.

“Sikur herën e kaluar, edhe kësaj here gjatë fushatës elektorale na është premtuar se do të ndërtohet shtrati i lumit, mirëpo nuk e bënë këtë ende. Shpresoj se do ta kryejnë këtë gjatë verës, sepse vërshime do të kemi çdo dimër”, thotë ai.

Në gjendje aspak më të mirë nuk është as restoranti “Guri i Zi”, i cili ndodhet pak metra larg restorantit të Sylë Berishës.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Klinës të premten kanë lajmëruar se lumi Dri i Bardhë ka dalë nga shtrati i tij edhe në fshatin Zllakuqan duke përmbytur kështu tokat bujqësore.

Zyrtarja për informim e kësaj komune, Samije Gjergjaj ka bërë të ditur se niveli i këtij lumi është rritur dhe situata është përkeqësuar te vendi i quajtur Ura e Haxhisë, me ç’rast ka rrezikuar edhe dy familje të vendosura në objektin kolektiv.

“Familja e rrezikuar, ajo e Besim Rracit, është evakuuar dhe tani gruaja me tre fëmijët e tij janë në vend të sigurt, kurse Avdi Agushi ka qëndruar me gruan e tij në objekt. Drejtori i shkollës fillore në Klinë, Ismet Raci dhe Gani Ahmetxhekaj ua kishte ofruar mundësinë e evakuimit dhe strehimit në dy lokale të shkollës, por ata kanë vendosur që të qëndrojnë në objekt, pasi që të reshurat kishin filluar të pushojnë”, tha zyrtarja për informim, Gjergjaj.

Bëhet e ditur se po ashtu lumi ka përmbytur motelet ‘Villa Park’ dhe motelin ‘Ujëvara’, ku sipas zyrtarëve komunalë të Klinës, katet e para të këtyre objekteve ishin tërësisht të përmbytura nga uji dhe se dëmet materiale janë të mëdha.

Po ashtu, thuhet se uji ka përmbytur tokat pjellore në fshatrat Dugujevë, Bokshiq, Grabanic, Gremnik, Volljakë, Ujmir, Siqevë, Shtaricë, Gjurgjevik i Madh, Dush, Pogragjë dhe në Klinë.

Zyra e alarmimit në këtë komunë pohon se te ish-kompleksi industrial ka qenë në rrezik nga erozioni i këtij lumi që të përmbytë lagjen përtej hekurudhës.

Pas këtyre përmbytjeve të shkaktuara, drejtori i Shërbimeve publike, Esat Raci, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë emergjente dhe ka mobilizuar Njësitin e Zjarrfikësve për mbrojtje dhe shpëtim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›