E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoblindohet Sheremeti

Përderisa policia dhe sindikata e tyre çdo ditë të zotit bëjnë zhurmë për rritjen e pagave, drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka blerë veturë të blinduar, që sipas përllogaritjeve kushton disa qindra mijëra euro.

Vetura është një xhip Toyota Land Cruiser ngjyrë e zezë, e blinduar, e të cilën vetëm ndonjë minë anti-tank mund ta dëmtojë.
Drejtori i policisë mund të ndihet shumë komod në “autoblindën” e tij, ngase më parë ai ishte vozitur me një passat.
Policia e Kosovës ka konfirmuar blerjen e kësaj veture, e që sipas tyre kërkesa për blerje, ka ardhur si rezultat i nevojave të policisë së Kosovës.

“Të gjitha veturat që ka Policia e Kosovës janë për nevoja zyrtare të policisë dhe ato caktohen varësisht prej rëndësisë dhe nevojave operacionale të PK-së. Vetura është e tipit TOYOTA Land Cruiser, automjet i blinduar”, thotë Brahim Sejdiu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

E një burim brenda policisë, thotë se vetura për drejtorin ka kushtuar diku rreth 300 mijë euro.
“Për shkak të pajisjeve shtesë që ka kjo veturë, kushton edhe kaq shtrenjtë”, tregon ky burim.
Policia e Kosovës gjithçka ka treguar për veturën, por jo edhe për çmimin se sa ka kushtuar. Zyra për Informim e Policisë nuk ka treguar çmimin e blerjes së veturës Toyota Land Cruiser e blinduar.
“Unë nuk e di se sa ka kushtuar, pyetni prokurimin për këtë”, ka qenë krejt ajo që ka thënë drejtori i policisë, Sheremet Ahmeti.
Sindikata e policisë nuk është e njoftuar zyrtarisht për blerjen e kësaj veture, e as për çmimin e saj.

Shaban Tasholli thotë se nuk di asgjë për këtë, por që javën e ardhshme do të kërkoj në emër të sindikatës, sqarime për blerjen e kësaj veture.
“Në rast se i është dashur policisë kjo veturë, në rregull, por ne do të kërkojmë sqarime për çmimin dhe do të shikojmë se për çfarë nevojash është blerë”, thotë Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë.
Policia ka treguar se përveç kësaj veture, ky institucion ka edhe vetura të tjera të blinduara, të cilat përdoren për nevoja të tyre.

Në Kosovë, një Toyota si e drejtorit të policisë, sipas ueb-sajtit të kompanisë që shet këto vetura në Kosovë, kushton rreth 85 mijë euro.
E kur kësaj shume shtohen edhe pajisje ekstra siç është blindimi e të tjera, çmimi mund të rritet për katër herë më shumë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›