E Shtunë, 31 Tetor 2026

RTK, me drejtor pas 3 javësh

Nëse gjithçka shkon në rregull, Radio-Televizioni i Kosovës, pas tri javësh mund të bëhet me drejtor të ri. Afati për të konkurruar në këtë pozitë është shtyrë edhe për tri ditë për shkak të festave të fundit të vitit.

Gazeta ka mësuar se për drejtor të RTK-së dy nga kandidatët e mundshëm mund të jenë kryeredaktori aktual Sylejman Shaqiri dhe ish-producenti ekzekutiv i këtij mediumi, Liridon Cahani.

“Gjasat më të mëdha për të t’u bërë drejtor i RTK-së kanë Sylejman Shaqiri dhe Liridon Cahani. Mirëpo për momentin nuk dihet saktësisht se cili e ka më të sigurt të fitojë këtë pozitë”, thotë një burim i gazetës.

I kontaktuar nga Expressi, kryeredaktori Shaqiri ka thënë se ende nuk ka konkurruar për pozitën e drejtorit ekzekutiv në RTK. Por, ai ka paralajmëruar se këtë gjë pritet ta bëjë shumë shpejt meqë afati për konkurrim është i hapur vetëm deri më 12 janar të këtij viti.

“Nuk kam konkurruar ende, por do ta bëj një gjë të tillë”, ka thënë kryeredaktori në RTK.

Jozyrtarisht është mësuar se për drejtor të RTK-së, përpos Sylejman Shaqirit dhe Liridon Cahanit, do të konkurrojnë dhe kanë konkurruar Mentor Shala, aktualisht redaktor përgjegjës dhe gazetari Nuhi Bytyqi.

Përveç këtyre, bëhet e ditur se për këtë pozitë ka konkurruar edhe aktori Mentor Zymberaj e të tjerë.

Nëse ka konkurruar apo jo, këtë nuk e ka konfirmuar Mentor Shala. Ai thotë se nuk ka vendosur ende për të konkurruar dhe se nuk e di nëse do të konkurrojë apo jo.

“Afati është shtyrë edhe për disa ditë, nuk kam vendosur ende nëse do të konkurroj apo jo. Do të shoh ...”, thotë Shala.

Përderisa konkursi vazhdon të mbetet i hapur, disa punëtorë të Radio-Televizionit të Kosovës kanë kërkuar përmes një peticioni që ish-drejtori i tyre, Agim Zatriqi të kthehet sërish në pozitën e drejtorit.

“Kjo ftesë publike lind si nevojë qenësore që në konkursin e shpallur për drejtor të përgjithshëm të RTK-së të marrin pjesë njerëz të dëshmuar profesionalisht dhe të përkushtuar ndaj mediumit publik. Mendojmë se z. Zatriqi si një menaxher dhe ekspert i dëshmuar në menaxhimin e suksesshëm të RTK-së, duhet të jetë pjesëmarrës në këtë konkurs”, thuhet në komunikatë.

E, për një gjë të tillë ish-drejtori shumëvjeçar i RTK-së as që ka dashur të dëgjojë. Ai u ka pohuar mediave së nuk do të plotësojë dëshirën e ish-punëtorëve të tij, për të konkurruar sërish në këtë pozitë.

Radio-Televizioni Publik i Kosovës që nga 30 shtatori i vitet të kaluar ka mbetur pa drejtor, pasi që ish-drejtori Agim Zatriqi kishte ofruar dorëheqje të parevokueshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi nuk ka dhënë asnjë emër apo numrin e personave që kanë konkurruar për drejtor të këtij institucioni.

Ai ka thënë se është marrëveshje e Bordit të RTK-së që mos të flitet për emra dhe numra, meqë sipas tij, kjo mund të ndikojë në një mënyrë apo tjetër për inkurajimin apo pengimin e atyre që dëshirojnë të konkurrojnë.

Pas mbylljes së konkursit, pas katërmbëdhjetë ditësh do të duhej të përfundojë i gjithë ky proces dhe RTK-ja do të bëhet me drejtor ekzekutiv”, thotë kryetari i Bordit të RTK-së.
Bëhet e ditur se zgjedhja e drejtorit të ri mund të bëhet vetëm pasi që të kalojnë 14 ditë nga dita e mbylljes së konkursit.

Paçarizi është arsyetuar se shtyrja e afatit për konkurs është bërë pas rekomandimeve të ekspertëve ligjorë.

“Me këshillat e ekspertëve ligjorë, për shkak se dita e mbylljes së konkursit ka qenë e shtunë dhe ka qenë festë dhe për të mos u dëmtuar njerëzit që duan të konkurrojnë sidomos ata që konkurrojnë me postë, e që posta mund të vonohet ditëve të vikendit dhe erdhëm në përfundim që afati të shtyhet”, tregon ai.

Dy javë pas mbylljes së konkursit, Bordi i RTK-së do të zgjedhë drejtorin ekzekutiv të transmetuesit publik. Drejtori zgjidhet me vota ta hapura nga anëtarët e Bordit.

Kushtet që duhen plotësuar

Kualifikim superior profesional në drejtimin përkatës;
Së paku 3 vjet përvojë pune në menaxhimin e mediave apo fushave të tjera relevante (Përparësi kanë kandidatët me përvojë më të gjatë);
Është person me integritet të lartë personal dhe moral;
Njohuri të shkëlqyeshme të spektrit medial në Kosovë, regjion dhe më gjerë;
Aftësi të dëshmuara në organizim, udhëheqje dhe planifikim;
Standard i lartë i gjuhës shqipe në të folur dhe në të shkruar;
Njohje e shkëlqyeshme e gjuhës serbe dhe e gjuhës angleze;
Aftësi për caktimin e prioriteteve dhe për të punuar në mënyrë efikase nën presion;
Të mos ketë dëshmuar përkatësi partiake;
Aftësi të shkëlqyeshme për përdorimin e kompjuterit, veçanërisht programeve MS Word, Excel dhe të Internetit;
Aftësi për të bashkëvepruar me maturi dhe ndjeshmëri me kolegë dhe palë;
Përkushtim ndaj shërbimit publik të transmetimeve.

Drejtori i përgjithshëm:

Është kryeshef ekzekutiv i cili i zbaton politikat dhe udhëzimet e Bordit të Drejtorëve dhe është përgjegjës për administrimin e përgjithshëm, organizimin, udhëheqjen dhe përfaqësimin e Radio-Televizionit të Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm duhet të jetë person me përvojë të gjerë të menaxhimit të medieve apo fushave të tjera relevante;
Drejtori duhet të jetë banor i Kosovës dhe me vendbanim të përhershëm në Kosovë;
Drejtori i përgjithshëm përzgjidhet dhe emërohet nga Bordi i Drejtorëve, përmes konkursit publik;
Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Bordit të Drejtorëve të Radio-Televizionit të Kosovës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›