Shërbimi Sekret amerikan me rregulla të reja

Shërbimi Sekret amerikan ka forcuar rregullat për personelin, në përpjekje për të ndaluar çdo ripërsëritje të skandalit seksual në Kolumbi.
Agjentëve që udhëtojnë jashtë shtetit do t’u ndalohet të pinë në detyrë, të vizitojnë qendrat me reputacion të keq dhe të sjellin të huaj në dhomat e hotelit.
"Konsideroni sjelljen tuaj nëpërmjet këndvështrimit të disa javëve të fundit", i tha personelit drejtori Mark Sullivan.
Agjencia do të mbajë gjithashtu seanca të etikës për personelin.
Dymbëdhjetë agjentë të Shërbimit Sekret dhe disa oficerë të ushtrisë amerikane u implikuan në një natë seksi dhe dehjeje në qytetin-port kolumbian, Kartagjenë, përpara vizitës së presidentit Barack Obama, në një takim rajonal në fillim të këtij muaji.
Të 12 anëtarët e personelit tashmë kanë dhënë dorëheqjen ose janë duke u përballur me masat disiplinore.