Washingtoni kërkon plan B për Sirinë

Kathlen Hicks, nënsekretare e Mbrojtjes dhe Derek Chollet, kreu i Strategjisë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, pohojnë se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Kofi Annan nuk po i japin fund masakrës ndaj civilëve në Siri dhe po bien në veshin e shurdhër të Damaskut zyrtar.
Pikërisht për këtë në korridoret e Departamentit të Mbrojtjes ka nisur të qarkullojë “plani B”. Asgjë nuk është bërë publike rreth këtij plani, se në ç’mënyrë synon të vendosë paqen në Siri dhe a do të ketë ndërhyrje ushtarake në terren, apo një strategji e ndjekur në rastin e Libisë, kur u rrëzua Muamar Gaddafi.
Ndërkohë, ditën e premte gjakderdhja është rikthyer edhe në Damask. Një bombë shpërtheu në një nga lagjet kryesore të kryeqytetit sirian duke shkaktuar të paktën 8 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Regjimi i Bashar al Assad e quajti sulmin “vepër të bandave terroriste”, kundër të cilave po lufton në veri të vendit.
Franca dhe Turqia po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri. Ankaraja dhe Parisi kërcënojnë presidentin Bashar al Assad se do të ndërhyjnë, nëse nuk i jepet fund vrasjeve të civilëve.