E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-anëtarët e PDR-së do të kandidojnë

06/12/2008  Tritan Shehu flet për angazhimin në procesin e ristrukturimit të Partisë Demokratike

Përmes procesit të riorganizimit synohet implementimi i marrëveshjes PD-PDR

Ish-anëtarë të Partisë Demokrate të Re, e cila tashmë është shkrirë me Partinë mëmë Demokratike, do të kandidojë për të marrë në dorë drejtimin e të gjitha seksioneve. Sipas ish-nënkryetarit të PDR-së Tritan Shehu, aktualisht anëtar i PD-së pas procesit të shkrirjes së dy forcave politike, persona të cilët kanë milituar në PDR e që tanimë janë pjesë e PD-së do të ndërmarrin nismën për të garuar si kandidatë në zgjedhjet e brendshme të PD-së. Shehu nuk e fsheh këtë vullnet dhe nënvizon se kjo gjë është më se normale. Duke marrë parasysh se procesi i riorganizimit të PD-së ka hyrë në fazë konkrete, duke sanksionuar hapat vendimtarë organizativë, Shehu vlerëson se tashmë ka vetëm një parti, ajo Demokratike dhe të gjithë janë anëtarë të kësaj force politike. Deri në muajin mars të vitit të ardhshëm forca më e madhe politike e spektrit të djathtë do të duhet të ketë përfunduar ristrukturimin, përfshirë këtu edhe zgjedhjet e krerëve të rinj të degëve. Në këtë proces rëndësi i është dhënë edhe implementimit të marrëveshjes mes PD-së dhe Partisë Demokratë të Re, e cila mundëson shkrirjen e dy partive. Në këtë drejtim, Shehu ripërsëriti angazhimin e të gjithë ish-anëtarëve të PDR-së, që militojnë në radhët e PD-së. Angazhimet organizative, që janë parashikuar për zbatim në terren, e kanë zanafillën në sistemin e ri elektoral, ai proporcional-rajonal. Mësohet se Genc Pollos, Tritan Shehut dhe njerëzve që ata do të propozojnë do t’u lihet drejtimi i 4 ose 5 qarqeve. Burimet kanë bërë të ditur se atyre do t’u besohet drejtimi i qarqeve Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Fier. Ndërkohë po shqyrtohet mundësia për t’u dhënë kompetencat për të drejtuar edhe Qarkun e Beratit. Por kjo nuk është vendosur ende nga strukturat e Partisë Demokratike dhe mbetet ende si pikë për t’u shqyrtuar. Riorganizimi i PD-së, ndarja e re bëhet edhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përmes këtyre fazave synohet që deri në marsin e vitit që vjen të ketë përfunduar i gjithë procesi i zgjedhjeve të drejtuesve të rinj të degëve të partisë. Tritan Shehu tha dje se përafërsisht deri në fund të muajit janar do të ketë përfunduar procesi i shpalljes së të gjithë kandidatëve, të cilët do të votohen për të marrë në dorë drejtimin e strukturave qendrore të bazës. Demokratët u kanë kushtuar rëndësi procesit të riorganizimit.

Marrëveshja PD-PDR

Në funksion të bashkimit, degët në të gjitha rrethet do të nisin menjëherë shkrirjen e tyre, proces i cili do të ecë paralelisht me zgjedhjet e reja në parti.

Deri në bashkimin e plotë të gjitha strukturat e dy partive do të bashkëpunojnë ngushtësisht për realizimin e kësaj nisme dhe për të gjitha aktivitetet e tjera partiake.

Ky proces do të ndiqet në të gjitha nivelet nga një grup pune i përbashkët i drejtuar nga nënkryetarët Astrit Patozi dhe Tritan Shehu.

Grupi i punës është i ngarkuar që të përcaktojë gjithashtu të gjitha detajet e tjera teknike e numerike që lidhen me bashkimin, si dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet në parti dhe me çështje të zgjedhjeve të ardhshme politike.

Marrëveshja parashikon që procesi i bashkimit në të gjitha nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohet që të mbahen brenda 3-mujorit të parë të vitit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›