E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherifi: Kemi rënë dakort ti heqim një deputet Beratit dhe një Vlorës

27/01/2005  

PD-PS bien dakort ti shtojnë një zonë Tiranës, diskutimi mbetet në mes për zonën tjetër

Anëtari i Partisë Socialiste në Komisionin e Posaçëm për ndarjen Elektorale, Elmaz Sherifi, ka bërë të ditur dje se, gjatë diskutimeve me Partinë Demokratike, është arritur gjuha e përbashkët. "Kemi rënë dakord dhe me PD që dy zona zgjedhore të lëvizin. Një nga Qarku i Vlorës dhe një nga Qarku i Beratit. Kemi rënë dakord që një zonë të vijë në Tiranë dhe do të negociojmë për zonën tjetër se ku do të shkojë", tha Sherifi. Nga ana tjetër, ai ka hedhur poshtë idenë për lëvizjen e zonave që kanë elektorat të minoriteteve. Sherifi theksoi se, duke u bazuar në kriteret e vendosura prej Këshillit të Evropës, po punohet dhe për interesat e përfaqësuesve të minoriteteve. "Kujdes ne po tregojmë për të respektuar dhe atë pjesë të minoritetit që nuk ka marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, për arsyet që dihen, pasi thirrja e disa shoqatave ishte që të bojkotohej regjistrimi, kjo është arsyeja që ne do të jemi shumë të kujdesshëm për të garantuar të drejtat politike të minoritetit për përfaqësimin në parlament", tha Sherifi. Sipas tij, në diskutime nuk ka pasur as përparësi, as prioritete, sepse "kriteret janë kritere. Ka një numër mesatar të votuesve, i cili duhet respektuar, ka dhe një tolerancë plus minus 10% për çdo zonë zgjedhore. Brenda këtyre kritereve, ne kemi paraqitur hartën tonë ashtu si e mendojmë ne". Sherifi saktësoi se për hartën elektorale nuk ka asnjë vendim nga Kryesia e PS. "Nuk mund të marrë vendim Kryesia për një çështje që është punë e ekspertëve të PS-së dhe të OSBE-së. Ne kemi paraqitur variantin tonë, PD variantin e saj, do t'i shikojë dhe grupi i ekspertëve të OSBE-së dhe do të vazhdojnë negociatat për çdo zonë zgjedhore", tha Sherifi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›