Sherri në kalçeto, vritet me thikë në zemër 17-vjeçari
Zihen për lojën në kalçeto, vritet me thikë 17- vjeçari nga bashkëmoshatari i tij. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:15 në qendër të Kukësit, në lulishten e këtij qyteti. Viktima A.H, është goditur me thikë në zemër nga shoku i tij me inicialet B.Gj., duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, vrasja e adoleshentit është bërë pas debateve të dy grupeve të gjimnazistëve, të cilët kishin qenë duke luajtur futboll. Viktima dhe autori mësohet se ishin nxënës në vitin e tretë në gjimnazin “Havzi Nela” në Kukës. Prej kohësh, disa nxënës të dy klasave paralele të këtij gjimnazi kishin formuar grupe dhe luanin në kalçeto. Por loja është kthyer në konfrontime të vazhdueshme ndërmjet tyre. Një precedent i tillë është shënuar edhe katër ditë më parë, kur dy grupet e viteve të treta janë konfliktuar me njëri-tjetrin për shkak të lojës duke përfunduar me grushte ndërmjet tyre. E njëjta situatë ka ndodhur edhe mbrëmë, ku adoleshentët janë konfrontuar ashpër sërish gjatë lojës. Pasi kanë përfunduar futbollin, ata janë nisur me grupe të ndara për në banesat e tyre por, gjatë rrugës kanë bërë sërish sherr. Vetëm pak metra larg kalçetos, ngjitur me ish –poliklinikën e këtij qyteti, dy grupet janë zënë me grushte. Ngjarja precipitoi fatalist për 17-vjeçarin kur bashkëmoshatari i tij, B.Gj nxori një thikë që e kishte mbajtur të fshehur në rroba. Ai e goditi një herë, por tehu i thikës i preku zemrën viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Pamja ka terrorizuar shokët e tij të cilët kanë dhënë alarmin. Ndonëse viktima u dërgua menjëherë në spital, mjekët konfirmuan se 17-vjeçari kishte mbërritur pa jetë. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi djemtë të cilët kishin qenë protagonistë dhe njëherazi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Pak metra larg vendit ku ndodhi krimi, blutë arrestuan edhe autorin e saj, i cili po tentonte të largohej. Sipas burimeve të policisë, ai ka pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje. Mësohet se i riu nuk është marrë në pyetje me detaje në lidhje me ngjarjen për shkak të gjendjes psikologjike të tij mjaft të rënduar.