E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët shtyjnë seancën ndaj dy mjekëve

Mungesa e dëshmitarëve të organit të akuzës ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj dy mjekëve Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj që akuzohen për mjekim të pakujdesshëm. Gjyqtari Ilir Çeliku kishte kërkuar në seancën e djeshme thirrjen e dëshmitarëve që të faktonin nëse mjekët kishin faj apo jo në vdekjen e një 26-vjeçareje shtatzënë. Sipas Prokurorisë, viktima Arta Huldedaj, një muajsh shtatzënë ka mbërritur në gjendje të rëndë nga rrethi i Dibrës. Me qëllimin për të marrë mjekime nga mjekë të specializuar kryeqytetas, ajo ishte vendosur te disa të afërm të familjes në Paskuqan. Pas disa problemeve shëndetësore akute Huldedaj shkon për t‘u kuruar në spitalin gjinekologjik të kryeqytetit, por dy mjekët e paditur Balili dhe Thomaj e orientojnë për t‘u kuruar në Spitalin Ushtarak, me pretendimin se ajo ishte helmuar. Mjekët e Spitalit Ushtarak pas vizitës i kanë konfirmuar se nuk kishte asnjë problem të tillë dhe se shqetësimet i vinin nga shtatzënia. Sipas tyre, ajo kishte probleme me fetusin, ndaj e kishin urdhëruar që të merrte sa më parë mjekime të specializuara në maternitetin e Tiranës. Ajo u rikthye në maternitet, por dy mjekët sërish i rekomanduan Spitalin Ushtarak. 26-vjeçarja ka shkuar në një klinikë private ku ka realizuar analizat që flisnin se ajo kishte probleme me shtatzëninë. Ndërsa është rikthyer sërish në maternitet ajo ka vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›