Tiranë, gjendet e mbytur në pus 48-vjeçarja
Gjendet e mbytur në pus një 48-vjeçare, ndërkohë që policia ngre dy pista hetimore për këtë rast. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur në Vorë të Tiranës dhe dyshohet se viktima Dije Dedej mund të jetë vetëmbytur, ose vdekja e saj ka qenë aksidentale. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 09:20 të mëngjesit janë njoftuar se në Vorë të Tiranës është gjetur e mbytur në pus shtetasja Dije Dedej, 48 vjeçe. Ajo është gjetur nga familjarët e saj, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Në vendngjarje, veç uniformave blu kanë shkuar edhe ekspertët e mjekësisë ligjore, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga pusi dhe kanë nisur hetimet. Në trupin e viktimës janë vënë re disa shenja dhune, por ka rezultuar se ato ishin shkaktuar nga rënia në pus dhe përplasjet. Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje familjarët e saj në lidhje me problemet që ajo mund të kishte. Policia tha se prej dëshmive u mësua që 48-vjeçarja njihej si e sëmurë nga depresioni nervor. Nga ana tjetër është konkluduar se ajo mund të ketë rënë aksidentalisht në pus, ose është vetëmbytur. Për pistën e parë, policia mendon se ajo ka qenë duke qëndruar pranë pusit, dhe mund të ketë rrëshqitur poshtë. Ndërsa duke marrë shkas nga depresioni nervor që ajo po kalonte, dyshohet se ka vendosur t‘i japë fund jetës. Megjithatë, trupi i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës, ku u bënë gjithë analizat e nevojshme dhe pritet dalja e rezultateve, ndërkohë që materialet për këtë çështje i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.