E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj, sulm kryetares të shoqatës së gjyqtarëve

Ministri: Bejleri duhet proceduar sepse ka shkelur ligjin. Gjyqtarja: Është një sulm ndaj meje që të mos kandidoj

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nis sulmin ndaj njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj të ligjit për sistemin gjyqësor, kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri.

Burimet zyrtare të KLD-së thanë dje se Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesën për procedim disiplinor ndaj gjyqtares Bejleri, me pretekstin e shkeljes së etikës së gjyqtarit.

Shkelje kjo e konstatuar sipas inspektoratit të KLD-së, në vonesën e vënies në lëvizje të çështjes Nr.2563 Prot., të datës 7 qershor 2007 nga gjyqtarja Bejleri, ku paditës në këtë rast ishin tre shoqëri tregtare ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me objekt "Detyrimin e anës së paditur të zbatojë kontratat respektive të qirasë të lidhura me paditësit si dhe Shpërblimin e dëmit të shkaktuar të ardhur si rezultat i moszbatimit të tyre.

Gjyqtarja pretendon se ajo është një çështje që nuk duhet t'i shkonte asaj ndërsa ministria pretendon të kundërtën. Të dyja palët kanë paraqitur arsyetimin dhe dokumentet e tyre në lidhje me çështje dhe tashmë i takon KLD-së që të vendosë.

Përsa i përket kërkesës për masë, vetë gjyqtarja Bejleri shprehet se gjithçka ka ardhur pasi ajo kandidoi për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, dhe kjo kërkesë për masë është një presion për të hequr dorë nga kandidimi.

Pritet që KLD-ja të caktojë në rendin e ditës, shqyrtimin e kësaj kërkese ku gjyqtarja Bejleri do të japë versionin e saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›