E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, shtyhet ligji

 

BLEDAR HOTI

Mungesa e opozitës në Parlament detyron maxhorancën të shtyjë për të enjten votimin në tërësi për projektligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli duke parë mungesën e kourumit të votave ka deklaruar se, “votimi në tërësi shtyhet të enjten për t’i dhënë mundësi opozitës që të jetë e pranishme”. Përpara nisjes së votimit të këtij p/ligji, Topalli ka kërkuar 5 minuta pushim për të mbledhur të gjithë deputetët, por në këtë moment një pjesë e deputetëve socialistë janë larguar nga salla. Në votim në parim pro kësaj nisme votuan 69 deputetë dhe 19 vota kundër. Abstenim nuk ka pasur asnjë votë, ndërsa një pjesë e mirë e deputetëve të pranishëm nuk ka pranuar që të votojë një nismë të tillë.
Debati
Demokrati Bujar Leskaj debatoi me socialistin Pandeli Majko në lidhje me nismën. Majko ka deklaruar se nuk mund të lejojmë që të dëmshpërblehen ata persona që kanë qenë kolaboracionistët, duke u shprehur se, “një gjë e tillë nuk bëhet edhe nëse shkelni mbi varret e të parëve tanë”. “Ne jemi ashtu siç kemi marrë meritat e të parëve tanë për atë që kanë bërë në 1944, jemi të gatshëm të mbajmë kryqin e përgjegjësive, megjithëse e dimë se ka goxha renegatë që sot bëjnë sikur s’kanë qenë andej nga pjesa jonë. Falja është për ato që dinë të falin, por harrojeni se kjo mund të bëhet duke shkelur mbi varret e të parëve tanë”, tha Majko. Ndërsa Leskaj i është kundërpërgjigjur se, “Majko tregon se nuk ka lexuar më shumë se 5-6 libra dhe se ka parë filmat e Kinostudios “Shqipëria e re”. Pas këtyre përplasjeve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi ndërprerjen e diskutimeve, “pasi këtu po flitet sikur nuk jemi drejt integrimit në NATO”. Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, tha se nisma “është jo vetëm tërësisht elektorale, po e padrejtë dhe e pazbatueshme”. “Sot sillni një projekt që dëmshpërblen edhe ata që kanë qenë kolaboracionistë gjatë luftës nacionalçlirimtare. Madje, po shkoni deri te brezi i katërt”, tha Leskaj.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në mes të seancës dhe ka deklaruar se, “amendamentet janë standard për ligjin, me to bëhet një akt i madh njerëzor. Eshtë trilluese të thuhet se ne po shpërblejmë kriminelë lufte. Përkundrazi, shpërblejmë viktimat e krimeve kundër njerëzimit”. “Mendoj se këtu duhet të jemi të bashkuar, unë jam i vetëdijshëm, se fatura është jo e thjeshtë, por shumë më e rëndë për vendin është të mbikalojë mbi ta. Ky është një akt ligjor dhe moral. Mendoj se me këtë akt i shtojmë moralin këtij parlamenti dhe vendos që të mos i dallojmë të vdekurit. Ndërkaq kryeministri i ka propozuar Parlamentit që, “krahas shpalljes së të përndjekurve si martirë të lirisë, të bëjë edhe dëmshpërblimin e atyre, të cilët Berisha i konsideroi si ‘ata bënë që ne të jemi të lirë, ku vetë u stërvitën nga bazat NATO-s’”. “Unë nuk e kuptoj qëllimin e opozitës me këtë nismë. Kjo është politika e re e juaj, po vazhduat kështu partia juaj do të bëhet pas zgjedhjeve, si partia e Hysni Milloshit”, deklaroi Berisha. Pas diskutimit të tij, Kryeministri ka lënë sallën e Parlamentit.

Batutat e deputeteve dje ne kuvend

Bujar Leskaj: Politika flet me kokë jo me pjesët e tjera të trupit dhe të shpirtit, ju në disa diskutime këtu zotëri socialistë më ngjani si shpirtra të zinj, megjithatë kjo është puna juaj. Do të kërkoja që ligji të zbatohej nga 2 gushti 1943- tetor 1991, jo siç është tani nga nëntori i vitit 1944. Kjo për shkak se prishja e marrëveshjes së Mukjes solli luftë civile në Shqipëri.
Pandeli Majko: Më dëgjo mirë këtu Bujar Leskaj. Kam librin “Misioni amerikan në Shqipëri”, në faqen 33 thotë: “Balli Kombëtar bashkëpunon me gjeneralët e ushtrisë kuisingle, gjatë në beteja ne u sulmuam nga ballistët. Kush janë këta bashkëpunëtorët kolaboracionistë”. Në një libër thuhet se, “regjenca është Mehdi Frashëri, Patër Arapi, Lef Nosi. Mehdi Frashëri është kryetari i regjencës”. Meqenëse je nga Vlora, dëgjo mirë, më 3 prill, pyet Bujar në Vlorë, misioni amerikan informon qendrën e vet se komanda gjermane në Vlorë, tok me Ballin Kombëtar, njofton pushkatimin e 5 komunistëve. Ky ekzekutim përfshinte një imam mysliman dhe një grua. Ju mund të zgërdhiheni, por ajo që ka ndodhur gjatë luftës një ndeshje mes Li Peni edhe një elite. Jo. Përplasja ka qenë e qartë midis atyre që donin çlirimin e vendit të tyre dhe bashkëpunëtorëve fashistëve. Ne jemi, ashtu siç kemi marrë meritat e të parëve tanë për atë që kanë bërë në 1944, jemi të gatshëm të mbajmë kryqin e përgjegjësive, megjithëse e dimë se ka goxha renegatë që sot bëjmë sikur s’kanë qenë sot andej nga pjesa jonë. Falja është për ato që dinë të falin, por harrojeni se kjo mund të bëhet duke shkelur mbi varret e të parëve tanë. Këtë ne nuk ua lejojmë.
Bujar Leskaj: Shprehja më e saktë për partizanin e vogël Majko është fali o Zot se nuk diti ç’foli. Me kohë kisha krijuar përshtypjen se Majko ishte djalë i ditur, por jo unë, por të gjithë shqiptarët e morën e vesh që ke lexuar pesë deri në shtatë libra nga historia e luftës civile e nacionalçlirimtare dhe ke parë të gjithë filmat e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Luftën civile në Vlorë e ka drejtuar Dushan Mugosha me pseudonimin ‘çalamani’ dhe kriminelja Liri Gega. Duhet ta dini se luftën e famshme të Drashovicës, shoku Majko, e ka drejtuar Hysni Kapo dhe Hysni Lepenica.
Ferdinand Xhaferri: I them Majkos, që mos bëj teatër me këtë çështje. Ju trashëgoni një parti që mbasi vrau e internoi në ‘49, ‘59, ‘69, ‘79 të paktën sot heshtni.
Bujar Nishani: Për të ardhur keq, sot 20 vjet, të flitet me mentalitetin e 40 viteve të shkuara. Cilësohen si kolaboracionistë të vrarët pa gjyq, njerëzit që kërkonin që gjykimet të bëheshin me avokat. Njerëz që ishin për fjalën e lirë, e që besonin në Zot. Do e çojmë misionin deri në fund, misionin e themelimit të PD-së.
Rajmonda Stefa: Nuk jam një dizenjatore e shkëlqyer, por ekonomiste. Me këtë ndërhyrje, nuk e korrigjoni dot historinë.
Blerim Çela: Opozita ka ngelur në pozitat e Enver Hoxhës. Balli Kombëtar ka kontribuar në çlirimin e vendit.
Valentina Leskaj: Nuk ia vlen t’u japësh përgjigje abuzivizmit mjeran që u bënë në këtë sallë. Ca nga ata që folën këtu harruan se kë kanë në qeveri, harruan se kush i kapte diversantët për të cilët u fol këtu. Këtë e harroi edhe kryeministri komunist, që na bëri leksion antikomunizmi e që ishte sekretar partie kur NATO na dërgonte grupin 4000 për të cilin ai foli. Natyrisht ai është i mirinformuar për ato ngjarje, se ishte sekretar, ne nuk kemi qenë.

Ndryshimet ne ligj

• Parashikohen dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991.
• Përfshihet dëmshpërblimi edhe për ish të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e këtyre të fundit.
• Nga ky ndryshim krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve.
• Saktësohen dokumentet që nevojiten për familjarët e të përndjekurve për çeljen e depozitës bankare
• Me miratimin e këtyre ndryshimeve Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2009, miraton afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›