E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i servisit denoncon gjobëvënien nga të rinjtë

 

KAVAJE - Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pas një denoncimi që pronari i një servisi makinash ka bërë në Komisariatin e Kavajës. Sipas burimeve nga policia mësohet se 36-vjeçari Gezim Hyskaj, i është drejtuar policisë, pasi është kërcënuar dhe është plagosur me mjete të forta nga dy të rinj. Veç kësaj ai ka treguar në polici se Altin Bakaj dhe Ardjan Tina, nëpërmjet kërcënimeve dhe ushtrimit të dhunës fizike, i kanë kërkuar atij një milion lekë të vjetra, në formën e gjobës. Në rast të kundërt ata e kanë kërcënuar me jetën. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Kavajë dhe policia menjëherë pas arrestimit është vënë në ndjekje të autorëve. Është i mundur arrestimi i njërit prej tyre, 35-vjeçarit Altin Bakaj, nga Durrësi, ndërsa personi tjetër që e ka ndihmuar, 32-vjeçari Ardjan Tina është shpallur në kërkim. Dy të rinjtë akuzohen për "plagosje të lehtë me dashje" dhe "shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës, për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim. Sipas deklarimeve të dhënë na polici pas arrestimit, Bakaj pretendon se paratë që i kanë kërkuar Gëzim Hyskaj, janë të vëllait të tij dhe  nuk se nuk i ka vënë asnjë lloj gjobe. Sipas dëshmisë së tij mësohet se Hyskaj është pronari i një servisi makinash në Kavajë dhe vëllai i Altin Bakajt, kishte punuar disa muaj në këtë servis, por pronari nuk i kishte dhënë paratë. Të paktën këto kanë qenë deklarimet në polici, të njërit prej të arrestuarve, i cili e ka shpjeguar veprimin e tij si një mënyrë për të marrë paratë që i takojnë vëllait të tij nga puna e kryer dhe që Gëzim Hyskaj nuk pranonte t'ia jepte në mënyrë tjetër. Gjithsesi Bakaj është lënë në qeli, në pritje që të vlerësohet në gjykata masa e sigurisë, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij, Ardjan Tina është shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›