E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret veten gjatë shërbimit polici brenda në komisariat

• KUKES – Vret veten gjatë shërbimit punonjësi i Policisë së Kukësit, Qamil Hallaçi. Sipas burimeve zyrtare mësohet se 46-vjeçari sapo kishte marrë turnin, rreth orës 22:30, ka qëlluar veten me armën e shërbimit.Megjithëse është dërguar menjëherë në spital nga kolegët e tij, mjekët nuk kanë mundur ta ndihmojnë, pasi siç pohuan më vonë, polici kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Menjëherë është ngritur grupi i ekspertëve dhe është bllokuar vendi i ngjarjes, bashkë me armën e shërbimit, automatik. Grupi i ekspertëve ka hedhur dyshimin se mund të ketë qenë dhe një ngjarje aksidentale, por nga shkrehja e armës trupin ia kanë përshkuar plumbat. Hallaçi kishte shkuar pas darkës për të marrë turnin e tretë në drejtorinë e Policisë së Kukësit, duke ndërruar rojet, në bazë të rregullores dhe askush nuk ka pikasur ndonjë shqetësim tek ai. Por, disa minuta më vonë kanë dëgjuar zhurmën e armës. Punonjësit e policisë dhe vetë drejtori Muharrem Furriku i kanë shprehur ngushëllimet familjarëve paraditen e djeshme. Ai ka pohuar dje se nga hetimet rezulton se bëhet fjalë për vetëvrasje nga ana e 46-vjeçarit, pasi 3 plumbat e kanë goditur në pjesën e zemrës. Sipas ekspertizës plumbat e dala më pas në mur vërtetojnë pozicionin që ka pasur viktima në momentin e shkrehjes së armës, të cilën e ka mbështetur shumë pranë gjoksit. Kolegë të Hallaçit tregojnë se ai ishte një ndër policët më korrektë të komisariatit të Kukësit, ku punonte prej 25 vitesh, në detyra të ndryshme të Policisë së Rendit apo Qarkullimit. Muajt e fundit ishte caktuar me detyrë në sallën e shërbimit të rojeve si përgjegjës. Familjarët kanë pohuar se nuk kanë pasur probleme serioze që të mund ta shtynin babanë e tre fëmijëve të vriste veten, duke lënë mister motivin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›