Sherr politik në oborrin e “Sami Frashërit”
Debati politik i ditës së djeshme, për emërimin e prefektit të ri të Tiranës, duket se është thurur në oborrin e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet. Në fakt të katër protagonistët e përplasjes së djeshme janë ish-nxënës të shkollës “Sami Frashëri”. Klejtis Kruja, i cili mori postin e kreprefektit, ka mbaruar të mesmen te “Samiu”, bashkë me djalin e kryeministrit Shkëlzen Berisha, gjatë viteve 1993-1997. Emrat e tyre u lakuan dje negativisht, nga deputeti i ri i PS në Kuvendit, Saimir Tahiri, i cili po ashtu ka qenë nxënës tek e njëjta shkollë në të njëjtën periudhë. Reagimi i PD, erdhi me anë të zëdhënëses së tij, Erla Mëhilli, edhe kjo nxënëse e “Sami Frashërit”, në vitet 1996-2000. Të katër personazhet e përplasur dje janë shkolluar në të njëjtin gjimnaz dhe kanë qenë “shokë shkolle”.