Berisha i lë vilën, Topi merr pushimet në Dhërmi
Negociatat për Qeverinë e re i hapin rrugën kreut të shtetit të zhvillojë pushimet e tij verore në vilën qeveritare të Dhërmiut të Vlorës. Kthimi në Tiranë i Kryeministrit Sali Berisha i ka krijuar mundësinë Presidentit Bamir Topi, që të shkojë dhe të pushojë me familjen e tij përpara se të hedhë firmën për dekretimin e Qeverisë së re. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi mbërriti dje në qytetin e Vlorës për të filluar pushimet së bashku me bashkëshorten dhe një prej vajzave të tij. Në orën 11:00, Presidenti ka pirë një kafe në lokalin “Marinë” në zonën e Kalasë. Për më shumë se një orë Presidenti Topi ka pirë kafe në këtë lokal së bashku me familjen e tij, si dhe një mikun e tij nga Vlora. Sipas burimeve presidenti së bashku me bashkëshorten dhe një prej vajzave do të kryejë pushimet verore në bregdetin e Vlorës. Gjithsesi, presidenti ka pushuar për më shumë se një orë në lokalin “Marina” në zonën më të bukur të Vlorës, duke shijuar bukuritë bregdetare të qytetit të Vlorës nga ballkoni i lokal “Marina”-s. Gjatë kësaj kohe qytetarë të pranishëm në këtë ambient nuk kanë ngurruar t’i kërkojnë kreut të shtetit, që të kenë një kujtim të veçantë me presidentin e shqiptarëve nëpërmjet aparatit fotografik. Të pranishëm kanë qenë edhe disa qytetarë nga Kosova, të cilët kanë mbërritur në Vlorë për të bërë pushimet verore.