E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Bakteri në sallat e kardiokirurgjisë, më i rëndë se stafilokoku

Bakteri i zbuluar në sallat e operacionit të Kardiokirurgjisë nuk është stafilokok, por një mikrob më i rrezikshëm. 

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqaruan se, bëhet fjalë për “Pseudomonas”, bakter që shkakton infeksione të rënda dhe mjaft rezistues ndaj antibiotikëve. Veç tre sallave të kirurgjisë, ky bakter ka prekur edhe atë të reanimacionit, ku pacientët janë në terapi intensive. Nga mostrat e ekzaminuara ka rezultuar se mikrobi është gjetur në pajisjet mjekësore, por edhe në ajrin e sallës. Shkak për situatën e krijuar është bërë mungesa e dezinfektuesve. Qendra spitalore disponon vetë preparate të thjeshta, ndërkohë që për të zhdukur “Pseudomonasin” janë të nevojshëm dezinfektues që kanë në përbërje përzierje jodi dhe Klori. Por që prej një viti është e pamundur që ambientet e presupozuara më sterile të spitalit të furnizohen me këto dezinfektues. Kjo pasi nuk janë bërë tenderat. Aktualisht 4 pacientë janë infektuar nga mikrobi i rrezikshëm pas operacionit tek Kardiokirurgjia. Ata kanë temperaturë të lartë dhe po trajtohen më antibiotikë të fortë. Por sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik në disa raste pasojat e infektimit nga “Pseudomonas”, mund të jenë edhe fatale, pasi njihet si bakter mjaft rezistues ndaj antibiotikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›