E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku Dautaj: Fitoj 6 mijë euro në muaj

 

Fatos Mahmutaj

“Jam i katërpunësuar. Firmos çdo muaj rreth 6 mijë euro në bordero. Punoj, mjek në spital, pedagog në universitet, dhe mjek në dy klinika private. Veç kësaj kam shitur një sipërfaqe të konsiderueshme në qytetin e Vlorës mbi të cilën janë ndërtuar pallate, si dhe dy fëmijët e mi më dërgojnë çdo muaj nga SHBA shuma të mëdha të hollash”. Ky ishte justifikimi i pasurisë së mjekut urolog Kastriot Dautaj, i arrestuar katër ditë më parë në flagrancë, teksa mori 500 mijë lekë të vjetra nga babai i një pacienteje që sapo kishte operuar. I mbrojtur nga avokatët Eno Bushi dhe Fatmir Braka, mjeku Dautaj pohoi në gjykatë se nuk e mbante mend se kush ia kishte futur në xhep paratë që iu kapën në momentin e arrestimit. Ai shpjegoi se sapo kishte dalë nga operacioni i pacientes Liljana Hoxha, i ati i saj e kishte ftuar të hanin një darkë bashkë, nga gëzimi se gjithçka kishte ecur mirë dhe se operacioni kishte përfunduar me sukses. Por ky nuk kishte pranuar duke pretenduar se, nuk kishte kohë dhe pasi ishin përshëndetur ishin ndarë. “Në këtë moment mundet që ai të më ketë futur zarfin me para në xhep”, tha mjeku, duke shtuar se nuk kishte vënë re një veprim të tillë. Duke vazhduar më tej rrëfimin mjeku Dautaj tha se pasi ishte ndarë nga Ibrahim Hoxha, kishte hyrë në një operacion tjetër dhe sapo kishte dalë nga salla kishte vënë re në korridor një numër të madh personash. Ky i kishte përshëndetur këta duke i kujtuar të afërm të ndonjë pacienti dhe pastaj kishte hyrë sërish në operacion. Por sapo kishte përfunduar operacionin, njerëzit që kishte parë më parë në korridor i kishin vënë prangat dhe e kanë dërguar në komisariat. Ndërkohë, në një moment tjetër mjeku pyeti gjyqtaren e gatshme se kur do lirohej duke pretenduar se: “Nesër (sot) kam planifikuar tre operacione në veshka dhe duhet të jem patjetër në vendin e punës”. Por pas kësaj, përfaqësuesi i akuzës pohoi se prej gjashtë muajsh mjeku ishte vënë në përgjim, pasi ishin konstatuar hapja e një llogarie bankare nga ai në vlerën e 635 mijë USD. Prokurori tha se, kjo shumë ishte siguruar nga mjeku nëpërmjet ryshfetit që përfitonte për çdo ndërhyrje kirurgjikale. Pas kësaj prokurori kërkoi mbylljen e mjekut në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake, kjo masë sigurie justifikohej me faktin se dy akuzat: “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, parashikonin një dënim që në maksimum shkon në 7 vjet burg. Vetë i pandehuri dhe avokatët e tij mbrojtës kërkuan një masë më të lehtë, ndërsa gjykata e konsultuar në vend, vendosi ta mbyllte mjekun në qeli. Pas kësaj, mbrojtja pohoi se do e apelonte këtë vendim.

Vuante nga zemra, Dautaj pi ilaçe në gjyq

TIRANE – Kastriot Dautaj, mjeku urolog i arrestuar për korrupsion gjatë gjithë kohës dje në Gjykatën e Tiranës pinte kapsula duke pretenduar se vuante nga zemra. Në një moment gjykata i kërkoi atij të mos vepronte më në atë mënyrë, pasi mund të ishte një mënyrë për të shkaktuar vetëvrasje. Por pas pohimit të tij se vuante nga një sëmundje në zemër që i ishte përkeqësuar për shkak të kushteve të izolimit, nuk u pengua të merrte medikamentet. Mjeku pohoi veç tjerash se, mbajtja në izolim për disa ditë ka ndikuar edhe në shëndetin e tij mendor, ndërsa mbrojtja kërkoi që ai t’i nënshtrohej një vizite mjekësore për shkak të sëmundjes, e cila kishte marrë përmasa ditët e fundit. Vetë mjeku pohoi se sëmundja nga e cila vuante kishte nevojë për trajtim të specializuar.                                                         f.m.

Lirohet personi që i ofroi lekë mjekut

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për 60-vjeçarin Ibrahim Hoxha, personin që i ofroi mjekut Kastriot Dautaj 50 mijë lekë të reja për operacionin e së bijës Liljana Hoxha. Këtë masë e kërkoi prokurori i çështjes, pasi i komunikoi atij akuzën e “korrupsionit”. Ndërsa mbrojtja e mjekut Dautaj reagoi duke thënë kjo masë vendosej ndaj Hoxhës në mënyrë që të depononte kundër klientit të tyre. Sipas tyre, Hoxha, në këtë mënyrë merrte rolin e të penduarit për të “fundosur” mjekun Dautaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›